Fokus

Muharrem Kurtaj rrëfen për masakrat e serbëve në Abri të Drenicës: Më ranë thikë, prenë e vranë civilë të pafajshëm

Autori: Islam Morina 20:25 | 20 January 2022

Ka filluar së transmetuari emisioni “ZËRAT E LUFTËS”, prodhim i Gazetës Infokus, i cili sjellë rrëfime e përjetime të padëgjuara më parë nga të mbijetuarit e luftës së Kosovës.

Në episodin e parë ky emision sjellë rrëfimin rrëqethës të Muahrrem Kurtaj, i cili pa tmerrin me sy nga krimet çnjerëzore të kasapëve të Millosheviqit.

Kurtaj tregon se si e zunë serbët atë dhe tentuan ta ekzekutojnë e masakrojnë, duke i rënë disa herë thikë nëpër trup.

-Advertisement-

“Me 16 maj më kanë zënë mua dhe dy tjerë, Hamdi Kurtaj dhe Jahir Rukollin nga Rezalla. Mua dhe Jahir Rukollin na kanë marrë më kanë qitë mua përpara dhe bashkë edhe me Hamdinë na kanë qu në vend, aty edhe më kanë marrë e mi kanë lidhë duart me konop edhe mi kanë dredhë e më kanë rrëzu, edhe më kanë ra thikë në këmbë edhe në gjoks”, ka rrëfyer ai ngjarjen kur vet u plagos me armë të ftohta, kurse Jahir Rukolli nga Reazalla me breshëri automatike dhe se si kushëriri i tij Hamdi Kurtaj, kishte arritur t’u ikte nga duart kriminelëve serbë.

Ai ka treguar edhe për momentin e rënd kur u takua me familjen e tij dhe të Jahir Rukollit, i cili kishte mbetur ne vend me 6 plumba në shpinë.
Kurtaj kujton momentin emocional kur nëna e Jahirit e kishte pyetur për të birin dhe përgjigjen që ai i dha.

“Jam shku te familja e jem, kur jam shku atje poshtë më kanë parë dhe më thanë çka u ba kështu, iu thash më kanë zënë, më kanë plagu. Kushëriri im, Jahir Rukollin e kishte dajë, atij i thash e kanë vra, por kur nëna e tij më pyeti çka u ba me Jahirin? I thash vallahin nuk e di!”, ka rrëfyer Muharrem Kurtaj.

Ditën e 16 majit 1999, në Abri të Drenicës, vetëm në vendin e quajtur “Te livadhi i Spahisë”, ku u therr me thikë Muharrem Kurtaj, ishin vrarë e masakruar 13 civilë të pafajshëm e të pambrojtur./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera