Lajme

MSH: Secili sektor që nuk respekton masat, rrit rrezikun nga infeksioni Covid-19

Autori: Gazeta inFokus 21:19 | 07 July 2020

Sëmundja ngjitëse – SARS-CoV-2 që nga 13 marsi deri tani u ka marrë jetën 79 kosovarëve. Aktualisht në Kosovë janë infektuar me koronavirus 3.703 persona.

E ky numër po rritet çdo ditë e më shumë, pas lehtësimit të masave që nga 1 qershori.

Në një përgjigje për IndeksOnline, institucioni përgjegjës për menaxhimin e situatës me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kjo sëmundje po përhapet përmes kontakteve të personave.

-Advertisement-

Sipas MSH-së, secili sektorë që nuk i respekton masat që janë rekomanduar nga IKShP dhe MSH paraqet rrezik për përhapjen e këtij infeksioni që po merr jetën milionë njerëzve në botë.

“Infeksioni Covid përhapet kryesisht përmes kontakteve. Pra, është sëmundje ngjitëse e kontaktit. Secili sektor që nuk i respekton masat, e në veçanti aty ku mungon ruajtja e distancës fizike, mos-bartja e maskës , dhe mosmirëmbajtja e higjienës individuale dhe kolektive (në veçanti mos përdorimi i dezinfektuesve të duarve), rrit rrezikun nga infeksioni Covid-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për IndeksOnline.

Ky institucion të dielën ka marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Ndër masat e para janë ndalimi total i gastronomisë nga ora 21:00-05:00. Ndërkaq në orët e tjera do të punohet vetëm në hapësira të hapura dhe shërbimi merre-me-veti.

Po ashtu është ndalur qarkullimi i personave fizik nga ora 21:00-05:00 në Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri.

E në ditën e parë të hyrjes në fuqi të këtyre masave, Drejtoria e Inspeksionit në Prishtinë mbrëmë ka gjobitur tri lokale të gastronomisë për shkak të mos respektimit të masave të reja antiCOVID.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera