Lajme

MSh-ja tregon se a do të ketë masa të reja pas shfaqjes së Omicron-it në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 15:24 | 27 December 2021

Varianti Omicron i virusit COVID-19 është përhapur edhe në Kosovë.

Zyrtarisht të dielën u njoftua se nga mostrat e testuara të rasteve pozitive me koronavirus, nëntë prej tyre janë të variantit më të ri të quajtur Omicron i cili po përhapet me një shpejtësi të madhe në botë.

Derisa e gjithë bota ka marrë masa pas shfaqjes të këtij varianti për shkak të rrezikut së përhapjes më të shpejtë, në Kosovë Ministria e Shëndetësisë ende po pret rekomandimin e Komisionit Këshillëdhënës për Pandeminë.

-Advertisement-

E një përgjigje për Gazetën Infokus nga ky dikaster kanë thënë se ky komision i jep rekomandime ministrisë për ndryshimin e masave në varësi të ecurisë së pandemisë në vendet e tjera, situatës epidemiologjike në vend e edhe rekomandimeve të OBSH-së e CDC-së.

“Komisioni këshillëdhënës lidhur me pandeminë COVID-19 jep rekomandime për Ministrin e Shëndetësisë lidhur me masat kundër COVID-19, bazuar në situatën epidemiologjike të IKSHPK-së në vend, ecurisë së pandemisë në vendet e tjera, dinamizimin e situatës epidemiologjike dhe rekomandimet që jepen edhe nga mekanizmat si OBSH e ECDC”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Mirëpo edhe pse në bazë të këtyre parametrave pritej një ndryshim i masave kjo ende nuk ka ndodhur, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas përgjigjes nga zyra për informim e MSh-së ende nga ky komision nuk ka pasë asnjë rekomandim për ndryshim të masave.

“Aktualisht janë në fuqi një seri masash të cilat duhet të zbatohen për përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi I plotë, ndërsa në varësi prej aspekteve që u theksuan më lart, Komisioni jep rekomandime nëse masat në fuqi janë të mjaftueshme, apo duhet ndryshuar diçka, qoftë në drejtim të shtrëngimit të tyre apo lirimit të tyre. Pra çdo ndryshim I masave është i lidhur me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kujtojmë se me variantin OMICRON në vend aktualisht raste të konfirmuara janë nëntë, derisa raste aktive me COVID-19 janë 343.

Nga ky virus në Kosovë kanë humbur jetën 2 mijë e 990 qytetarë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera