Lajme

MSH-ja sqaron vendimin për shfuqizimin e udhëzimit për rregullimin e çmimeve të barnave

Autori: Gazeta inFokus 22:21 | 04 August 2020

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të shfuqizojë udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

I menjëhershëm ka qenë shpjegimi i MSH-së për këtë çështje, ku thuhet se udhëzimi për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale ka rregulluar metodologjinë e përcaktimit të çmimit të produkteve duke u bazuar në shtetet referente në bazë të burimeve zyrtare.

“Në mungesë të listave zyrtare nga shtetet referente, Komisioni për përcaktimin e çmimeve i ka përcaktuar çmimet duke u bazuar në lista jozyrtare, pra në kundërshtim me dispozitat ligjore të këtij Udhëzimi administrativ. Po ashtu, ky UA ka imponuar tërheqjen e disa produkteve cilësore nga shtetet evropiane dhe botërore”, thuhet në reagimin e MSH-së.

-Advertisement-

Sa i pëeket metodoligjisë së përcaktimit të çmimeve nga MSH-ja thonë se ka mënyra të ndryshme.

“Sa i përket përcaktimit të çmimeve nga vendi i origjinës, dispozitat e Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale kanë përcaktuar mënyra të ndryshme për metodologjinë e përcaktimit të çmimeve të produkteve.”

Në këtë reagim thuhet se Ministri i Shëndetësisë zotohet se do t’i përkrah farmacistët dhe rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës vetëm në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Por nga Oda e Farmacistëve të Kosovës e kanë quajtur të turpshëm dhe kriminal vendimin. Farmacistët kanë kërkuar largimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Shfuqizimi i udhëzimit për rregullimin e çmimeve të barnave sa e turpshme aq kriminale. Ministër Zemaj po e turpëron veten dhe familjen tënde e popullin po e varfëron. Ik sa më parë! OFK do të thërrasë Këshillin Drejtues dhe do të këshillohet edhe me Kuvendin e OFK-së për veprimet që do të ndërmerren!”, thuhet në reagimin e kësaj ode.

Komunikata e plotë e MSH-së:

Shpjegim nga MSh për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale

Ndërlidhur me disa reagime publike rreth shfuqizimit të Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të jap këtë shpjegim:

Udhëzimi Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinaleka rregulluar metodologjinë e përcaktimit të çmimit të produkteve duke u bazuar në shtetet referente në bazë të burimeve zyrtare.

Në mungesë të listave zyrtare nga shtetet referente, Komisioni për përcaktimin e çmimeve i ka përcaktuar çmimet duke u bazuar në lista jo zyrtare, pra në kundërshtim me dispozitat ligjore të këtij Udhëzimi administrativ. Po ashtu, ky UA ka imponuar tërheqjen e disa produkteve cilësore nga shtetet evropiane dhe botërore.

Sa i përket përcaktimit të çmimeve nga vendi i origjinës, dispozitat e Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale kanë përcaktuar mënyra të ndryshme për metodologjinë e përcaktimit të çmimeve të produkteve.

Sipas çështjeve të sipërshënuara të cekura në raportin e Komisionit të ankesave si shkallë e dytë përfundimtare në procedurë të përgjithshme administrative ky UA është i pa zbatueshëm.

Po ashtu, Departamenti ligjor i Ministrisë së shëndetësisë bazuar në raportin e Komisionit të ankesave ka propozuar që për këtë politikë të shqyrtohet mundësia e Koncept dokumentit për rregullimin e çmimit të barnave.

Për informim korrekt, ka adresuar kërkesën për inicimin e procedurës për vërtetimin e ekzistencës së konfliktit të interesit dhe pasojat e tij në Agjencinë kundër Korrupsion, duke pasur dyshim të arsyeshëm për konflikt interesi për dy anëtar të këtij komisioni, njëri që ka përfaqësuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe anëtari tjetër që ka përfaqësuar Odën e Farmacistëve të Kosovës në përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, duke qenë se anëtari i OFK është pronar i qarkulluesit me pakicë dhe bashkëpronar i një qarkulluesi farmaceutik me shumicë.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar kërkesë te Auditori i Përgjithshëm për rishikimin e rregullsisë së këtij procesi.

Ministria e Shëndetësisë me Vendim me nr. protokolli 05-4834 të dt. 04/08/2020 ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ, nr.02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale, i cili i hap rrugë që politika e përcaktimit të çmimeve të barnave të vihet në binar ligjor, të rregulloj sektorin farmaceutik në interes të popullatës dhe jo në shërbim të grupeve të interesit.

Ky Vendim e autorizon Sekretarin e Përgjithshëm të MSh që të ndërmarr veprimet në drejtim të hartimit të Koncept dokumentit për rregullimin e çmimit të barnave me qëllim të shmangies së pa barazisë, monopolit dhe jo kualitet – cilësi në tregun farmaceutik, i cili ka ndikim të konsiderueshëm social dhe ekonomik.

Ministri i Shëndetësisë zotohet se do t’i përkrah farmacistët dhe rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës vetëm në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Sipas nenit 8 të LIGJIT Nr. 04/L-125 PËR SHËNDETËSI, Ministria e Shëndetësisë është organ kompetent për hartimin e politikave dhe zbaton ligjet e një sistemi jo-diskriminues dhe të përgjegjshëm për kujdesin shëndetësor; vendos normativa dhe standarde dhe nxjerr udhëzime për sektorin e shëndetësisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera