Fokus

MPB-ja e Xhelal Sveçles, brenda një dite, për pyetjen e njëjtë jep dy përgjigje të ndryshme

Autori: Islam Morina 21:00 | 08 November 2021

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka marrë përgjigje dy herë nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, për të njëjtën çështje, por me përgjigje kontradiktore me njëra tjetrën.

Ai ka marrë përgjigje nga Departamenti Ligjor i MPB-së nëpërmjet një opinioni ligjor dhe një mendim këshillues nga DMZP-ja e MPB-së, por që nuk ndajnë të njëjtin mendim për të njëjten çështje, shkruan Gazeta Infokus.

Në dilemën e Rektorit Sahiti, se “a ka të drejtë rektori që t’i vazhdojë kontratën e punës për një periudhë 5 vjeçare siç kishte rekomanduar MAP dhe KPMSHCK, kur administrata e UP-së e kishte statusin e nëpunësve civil, apo kontrata t’i vazhdohet për periudhë të pakufizuar ashtu siç veprohet në universitetet tjera publike të Republikës së Kosovës, pasi që statuti nuk parasheh ndonjë kufizim mandator”, ka marrë dy përgjigje të ndryshme nga MPB-ja, njën negative dhe tjetrën pozitive.

-Advertisement-

Këtë e konfirmojnë dy dokumentet që i ka siguruar Gazeta Infokus, e që mbajnë të njëjtën datë dhe që janë lëshuar në adresë të Rektorit të UP-së, Naser Sahiti, nga MPB-ja.

Përderisa në dokumentin me numër protokolli 1199, e i cili mbanë titullin “Mendim Këshillimor lidhur me vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së”, Rektorit Sahiti, i thuhet se “konstatojmë se me mbarimin e mandatit të nëpunësve të shërbimit publik nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit”.

Mirëpo të njëjtin konstatim nuk e jep edhe Opinioni Ligjor i po këtij institucioni që mbanë numrin e protokollit 148, i lëshuar në të njëjtin datë.
Ky opinion ligjor në konkluzionin e saj konstaton se “Kontrata e punës ë nëpunësit të shërbimit publik, përfshirë edhe kategorinë e lartë drejtuese në shërbim e lartë publik (ku bën pjesë pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së) bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 06/L-114 për zyrtarët publik, është kontratë në kohë të pacaktuar, vazhdohet nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë (në rastin konkret rektori) me kusht që: (1) vlerësimi periodik i rezultateve në punë të jetë pozitiv dhe (2) për pozitën drejtuese në shërbimin publik, një ligj i veçantë të mos ketë përcaktuar rregulla që kufizojnë mandatin e pozitës drejtuese në shërbimin publik.

Këto dy dokumente kundërthënëse jo që zgjidhin problemin për të cilin është kërkuar mendim, por krijojnë konfuzion dhe japin mundësi veprimi sipas diskrecionit të rektorit në këtë rast, duke ia lënë atij mundësinë që të thirret në dokumentin që i shkon për shtati atij./Gazeta Infokus/

Mendim Këshillimor lidhur me vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së
Opinion ligjor nga MPB-ja

Opinion ligjor nga MPB-ja

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera