Sport

Mourinho: Mbappe e duan të gjithë, por askush nuk i afrohet dot…

Autori: Gazeta inFokus 10:27 | 25 March 2019

Jose Mourinho beson se Kylian Mbappe është lojtari më i vlefshëm në botë, duke shtuar se sulmuesi i ri francez mbetet aktualisht “i paarritshëm” për shumicën dërrmuese të klubeve. Mbappe u bashkua me PSG nga Monaco në vitin 2017, me klubin parizien që pagoi 180 milionë euro për të marrë shërbimet e tij.

Kjo lëvizje e bëri atë të riun më të shtrenjtë ndonjëherë, si dhe transferimin e dytë më të kushtueshëm ndonjëherë, vetëm pas Neymar, që kaloi nga Barcelona te PSG për 222 milionë euro. Mbappe prej asaj kohe e ka ndihmuar Francën të fitojë Kupën e Botës në Rusi, në vitin 2018, si dhe ka shënuar 26 gola në 23 ndeshje të Ligue 1, këtë sezon.

Jose Mourinho, i cili kohët e fundit tha se e vlerëson Mbappe më lart se Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi në tregun botëror të futbollistëve, shton se sulmuesi francez është dëshirë e të gjithëve, por i paarritshëm financiarisht nga klubet në botë.

-Advertisement-

“Unë nuk them se tani është lojtari më i mirë i botës, por sipas mendimit tim, ai ka vlerën më të rëndësishme të tregut sot, – tha Mourinho për “Canal Plus”. – Nëse do të isha trajner në një klub, nuk do të mendoja për Kylian Mbappe, sepse ai është i paarritshëm financiarisht. Askush nuk i afrohet dot. Nëse dikush dëshiron të provojë që ta blejë, i uroj fat të mirë!”

Mbappe është aktualisht i angazhuar me Francën, ndërsa kampionët e botës në fuqi po luajnë kualifikueset e “Euro 2020”. Futbollisti shënoi në minutën e 87-të të ndeshjes së parë të Francës, në fitoren 4-1 ndaj Moldavisë, për të hapur fushatën eliminatore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera