Opinione

Motivet “psikopolitike” të aksionit në veri

Autori: Gazeta inFokus 11:58 | 04 June 2023

Shkruan: Afrim Kasolli

Që kur e ndërmori aksionin në veri, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është munduar ta justifikojë vendimin për dërgimin e njësive speciale në atë pjesë, kryesisht në terma legal dhe politik. Pra sipas tij, Kosova është në të drejtën e saj për ta shtrirë sovranitetin shtetëror në gjithë territorin e saj.

Thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare që kryetarët e rinj t’i ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative, pasi nuk kishin legjitimitet të duhur, ai ju kundërpërgjigj, se nuk mund ta lejonte një gjë të tillë, sepse do të ishte antikushtetuese dhe antidemokratike. Sepse nuk mund të krijojë pushtet paralel, por ai duhet të ushtrohet në institucione shtetërore, ngase komunat janë pronë e republikës dhe ato nuk mund të administrohen e kontrollohen nga bandat e dhunshme të orkestruara nga Beogradi.

-Advertisement-

Mirëpo, përtej kësaj gjuhe juridiko-politike, është interesante të shihet mënyra se si disa nga mbështetësit e tij e justifikuan një veprim të tillë. Dhe atë veçanërisht kur sfidoheshin me kritika për shkak të moskoordinimit, me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me ShBA-të për aksione të tilla.

Në këtë kontekst, shumë nga ta pohuan, qoftë nëpër studio televizive apo rrjete sociale, se as Adem Jashari nuk ishte koordinuar me askënd për veprimet e tij heroike, dhe po ashtu ishte kjo Amerikë që në fillim të luftës e kishte cilësuar UCK si terroriste, por më vonë ndryshoi qëndrim, sepse u bind që ne jemi në rrugën tonë të drejtë.
Dhe e dyta shumë nga ta i nxorën nga arkivat e pluhurosura, disa qëndrime të mëhershme të Albin Kurtit, për ta vetëdijesuar opinionin publik, me qëllim që ky i fundit, ta kuptojë si duhet sjelljen e kryeministrit, kur paska deklaruar në Tiranë para një dekade “se ne jemi ata që vendosim dhe që shkojmë përpara, ndërkombëtarët janë sipër nesh por jo para nesh, nëse ecim na ndjekin, nëse ngecin na shtypin”.

Këto shpjegime dhe interpretime mbase mund të hedhin dritë mbi disa nga motivet “psikopolitike” që e ka nxitur Albin Kurtin për këtë aksion të moskoordinuar me faktorët ndërkombëtar. Ndonëse, mbetet “enigmë sfinksi” a është në të vërtetë ky qëndrim edhe i tij, pasi ai vet nuk e ka shprehur publikisht, apo vetëm mbështetësit e tij e sajuan këtë narracion heroik për të lartësuar aksionet e prijësit të tyre.

Kështu, sipas së interpretimit të parë, Albin Kurti me Xhelal Svecla nga pallatet qeveritare, duke urdhëruar këtë aksion, nëpërmjet instrumenteve të jashtme, na shfaqen si riinkarim historik i Adem dhe Hamëz Jasharit. Dhe se motivi i mbartëseve kryesorë të aksionit në veri, qenka i motivuar nga ky patos heroik, për ta restauruar atë proces historik që ishte ndërprerë padrejtësisht, nga ata që vendosen ta dëgjojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe t’i nënshtrohen asaj. E ku si pasojë e këtij tjetërsimi, Kosova nuk arriti ta shtrij sovranitetin e saj në tërë territorin e saj. Prandaj, ka ardhur koha që të këmbehen këto role dhe të promovohet një doktrinë e re strategjike, sipas së cilës rithemelimi i dinjitetit shtetëror, çlirimi i veriut dhe po ashtu edhe serbëve të Kosovës, shkon paralelisht me detyrimin e bashkësisë ndërkombëtare, që të vijnë pas nesh e jo të qëndrojnë mbi ne.

Sidoqoftë, se sa është paqëndrueshëm krahasimi i parë, as që ia vlen të humbim kohë, por as në rastin e dytë, me gjithë dëshirën e ethshme të tyre për të zbuluar në këtë vizon strategjik, një koncept autentik politik, nuk do të gjejnë asgjë origjinale. Madje, do të dëshpërohen kur ta kuptojnë se konceptualisht një qëndrim të tillë fillimisht e kishte artikuluar Hashim Thaci, i cili edhe mund të gjendet në dokumentarin e realizuar nga BBC mbi “Vdekjen e Jugosllavisë” në pjesën kushtuar Kosovës, kur ish drejtuesi politik i UCK-së, pohon përafërsisht “se ne vendosëm të lëvizim pasi e kuptuam se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lëvizte pa lëvizur paraprakisht ne”. Kështu, pikërisht ajo që u konsiderua si veçantia autentike e strategut të tyre, nuk paska qenë asgjë tjetër, pos një imitim i dobët i frazave të kundërshtarit më të madh të tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera