Lajme

Moti i nxehtë/14 vatra zjarri në vend, ja zonat problematike

Autori: Gazeta inFokus 10:49 | 08 August 2017

Gjatë kohëve të fundit vendi po përballet me një situatë problematike me zjarret. Bëhet e ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 14 vatra zjarri në disa qarqe të vendit duke pasur një shtim në tyre, nga dje që ishin 9 të tilla.

Emergjencat Civile kanë bërë të ditur se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 98 punonjës zjarrfikës, 13 automjete zjarrfikëse, 140 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë si dhe punonjës të Pyjores, të Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, etj, të mbështetur dhe nga helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

-Advertisement-

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Qarku Dibër

Zjarri i rënë në fshatin Sllatinë, bashkia Dibër, është izoluar plotësisht nga forcat e zjarrfikëses dhe vullnetarët. Si pasojë e zjarrit është përshkuar gjithsej nga flakët një sipërfaqe prej rreth 70 ha pyll pishe e zezë.

Vijojnë operacionet për të shuar zjarret në fshatrat Madhesh dhe Bushkash, bashkia Mat, ku ditën e djeshme ka punuar edhe një helikopter. Zjarrfikësit, forca të pyjores dhe forca vullnetare kanë punuar për të izoluar vatrat e zjarrit. Një vatër zjarri në fshatin Bushkash është bërë tepër aktive në pyllin me dushk dhe pemë lisi me drejtim nga mali dhe jo nga banesat e fshatit.

Qarku Lezhë

Në Malin e Kishës së Shën Ndoit të qytetit Laç ka rënë zjarr në kurorën me pisha të larta. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forca dhe mjete, të mbështetur edhe nga punonjës të bashkisë si dhe personel të ushtrisë, të cilët i kanë shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha të reja.

Qarku Tiranë

Në fshatin Mushqeta, bashkia Tiranë, në afërsi të Tunelit të Krrabës ka rënë një zjarr në një zonë me shkurre dhe dushqe. Forcat e zjarrfikëses, me mjete, të mbështetur dhe nga forca të Ushtrisë si dhe një helikopter, kanë punuar gjithë kohën duke lokalizuar zjarrin. Operacioni është në vijim edhe ditën e sotme.

Në fshatin Cikallesh, bashkia Kavajë ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur dhe nga forca të ushtrisë të cilat kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit.

Në Landfillin e Sharrës, bashkia Tiranë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një tub gazi i landfillit dhe shkurre e ferra.

Në Malin e Derjes afër fshatit Shëngjergj, bashkia Tiranë ka vijuar zjarri i rënë në shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit, forca të pyjores dhe një helikopter kanë punuar për izolimin e vatrave, por ka qenë tepër e vështirë për shkak të terrenit. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.

Qarku Elbasan

Në fshatin Mamel, bashkia Elbasan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe dushqe. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur dhe nga forca të Ushtrisë të cilat kanë izoluar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre dhe pyll dushku.

Në vendin e quajtur “Teqja e Dushkut”, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në një sipërfaqen me shkurre dhe pisha. Zjarri ka marrë përmasa e përhapje deri në malin e Konjas dhe Lukovës në kufi me Stravaj të bashkisë Librazhd. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forcë dhe mjete, të mbështetur dhe nga vullnetare për të izoluar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.

Qarku Fier

Në fshatin Visokë, bashkia Mallakastër ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit janë ndërhyrë me mjete të mbështetur dhe nga personel i bashkisë, dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogjën rreth 6 ha me shkurre dhe rreth 200 rrënjë ullinj rinj e të vjetër.

Në fshatin Rromës, bashkia Mallakastër ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit janë ndërhyrë me mjete të mbështetur dhe nga personel i bashkisë, dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 10 ha me shkurre dhe ullishte.

Qarku Gjirokastër

Në fshatin Turan, bashkia Tepelenë ka rënë zjarr në shkurre, ullishte dhe pemë frutore, që rrezikonte disa banesa. Zjarri është përhapur në drejtim të Malit të Veliqotit në sipërfaqe me shkurre dhe kullota ku ndodhej 1 stallë bagëtish. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur nga forca të ushtrisë të cikat kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në fshatin Turan u dogjën shkurre, rreth 200 rrënjë ullinj të rinj, 300 pemë frutore dhe 1 stallë bagëtish, bazë materiale për bagëtinë, ndërsa në fshatin Veliqot u dogj rreth 5 ha sipërfaqe me shkurre dhe kullota.

Në fshatin Sopik, bashkia Dropull ka rënë zjarr në shkurre dhe kullota. Banorët e fshatit janë angazhuar për izolimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit të cilat nuk përbëjnë rrezik.

Qarku Berat

Te Parku i Bogovës, bashkia Skrapar, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor. Sot do të dërgohet 1 helikopter për të shuar vatrat e zjarrit.

Qarku Durrës

Në fshatin Zgërdhesh, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.

Qarku Korçë

Në kurorën e qytetit Pogradec ka rënë zjarr në shkurre dhe pyllin me gështenja. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur edhe nga punonjës të Agjencisë së Administrimit të Zonave të Mbrojtura, punonjës të pyjores duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.2 ha me shkurre dhe pyll gështenje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera