Lajme

Mospajtime mes Albin Kurtit e Edi Ramës në Prespë

Autori: Gazeta inFokus 13:51 | 02 July 2021

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ai i Shqipërisë Edi Rama kanë shfaqur qëndrime të kundërta në Forumin e Prespës që po zhvillohet në Ohër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e mbajtur gjatë Forumit të Prespës shprehu edhe për një herë tjetër se nuk është dakord me nisma të tilla rajonale siç është ajo e Minishengenit Ballkanik.

Kurti tha se nisma të tilla mund të kthehen në pengesë për t’u bërë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian, por edhe për të pasur marrëdhëniet e duhura transatlantike, pasi disa shtete të Minishengenit Ballkanik përkrahin Federatën Ruse në vend të NATOS, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

“Ajo që nuk duhet të bëjnë përkundrejt BE-së është t’u ikim përgjegjësive tona me veprime që krijojnë konfuzion mes nesh dhe t’u japim mundësi palëve të tjera t’i shfrytëzojnë. Kështu është edhe ideja e Novi Sadit për minishengenin Ballkanik”, u shpreh kryeministri Kurti.

“Është një iniciativë pa vizion për rajonin dhe si të tillë Kosova e refuzon ashpër dhe i inkurajon të gjithë që të kthehemi në agjendën e BE-së dhe marrëdhënieve transatlantike. Pakënaqësia me bashkësinë evropiane nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n apo mbështesin federatën e Rusisë”, shtoi ai, shkruan Gazeta Infokus.

Por ndryshe nga Kurti kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nga Forumi i Prespës në Ohër foli për nevojën e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit.

Madje Edi Rama kërkoi që vendet e Ballkanit mos të presin fare BE-në.

“Pse duhet ta presim BE-në që të kemi lëvizje të lirë të njerëzve, kapitalit dhe mallrave. Duhet të prisni me orë që të kaloni kufirin? Të kemi një sportel në kufi, që t’i shndërrojmë në të hapura dhe të lira. Është e rëndësishme, pasi njerëzit kanë vështirësi në pikat kufitare.

Është absurde të imagjinohet e ardhmja, ku agjenda jonë dhe strategjitë nuk janë të ndërlidhura në vetvete. Këtë mund ta bëjmë dhe vetë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me zbatimin e reformave dhe standardeve çdo vit, por nuk varet nga ne”, ka deklaruar Edi Rama. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera