Mosmarrëveshje të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare

Autori: Gazeta inFokus
20:07 | 27 March 2025
Zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë do të bëjnë vizita të ndërsjella, për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ose për t’i kontribuuar dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian për këtë qëllim.
Kështu, së paku, thuhet në Marrëveshjen për vizitat zyrtare, që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në vitin 2014.
Por, përkundër saj, palët u ndalojnë shpesh vizitat zyrtarëve të njëra-tjetrës, duke i akuzuar për mosrespektim të procedurave.
Më 26 mars, Kosova ia ndaloi vizitën ministrit serb të Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, ndërsa më 20 mars, Serbia ia ndaloi vizitën ministrit kosovar të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e shpjegoi vendimin e saj duke thënë se Prishtina, fillimisht, i dërgoi një kërkesë për vizitë Beogradit, së cilës ai nuk iu përgjigj, dhe tha se qasja e Kosovës ndaj vizitave zyrtare do të mbetet e bazuar në reciprocitet.
Nga Serbia nuk u dha ndonjë shpjegim se përse është refuzuar kërkesa e Çekut, por Kosova është akuzuar për “minim të drejtpërdrejtë të normalizimit të marrëdhënieve”.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Bashkimi Evropian që t’i komentojë ndalesat e fundit të vizitave të zyrtarëve nga Kosova dhe Serbia, përkatësisht të vlerësojë dëmin që veprimet e tilla i shkaktojnë procesit që synon normalizimin e marrëdhënieve.
Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk mori përgjigje, por BE-ja, më herët, ka deklaruar se pret të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për vizitat zyrtare.
Çfarë thotë Marrëveshja për vizitat zyrtare?
Në Marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare thuhet se palët – nëpërmjet oficerëve ndërlidhës – do ta informojnë njëra-tjetrën për vizitat e zyrtarëve të tyre të kategorisë së parë dhe të dytë.
Kategoria e parë përfshin: presidentin, kryeministrin, zëvendëskryeministrat, kryetarin e Kuvendit dhe ministrat e Brendshëm, të Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë të gjithë ministrat tjerë, nënkryetarët e Kuvendit, drejtorët e zyrave qeveritare dhe të agjencive të sigurimit, kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, prokurori publik, si dhe të gjithë personat tjerë që kanë siguri fizike, si udhëheqësit fetarë.
Për vizitat e zyrtarëve që bëjnë pjesë në kategorinë e parë, kërkesa duhet të bëhet së paku 72 orë përpara, ndërsa për vizitat e zyrtarëve të kategorisë së dytë, pala tjetër duhet të njoftohet së paku 48 orë përpara.
Oficeri ndërlidhës është ai që e ndërmjetëson procesin dhe konfirmon pranimin. Nëse nuk ka përgjigje brenda një periudhe të caktuar, vizita konsiderohet e miratuar.
Marrëveshja për vizitat zyrtare parashikon, gjithashtu, që secila palë të caktojë një zyrtar, i cili do të ketë qasje të rregullt dhe të thjeshtuar te pala tjetër dhe tek i cili palët do të ofrojnë informacione logjistike, për të lehtësuar përgatitjen e vizitave.
Disa nga vizitat e parealizuara
Disa herë në vit, njëra palë ose tjetra informon publikun se një vizitë zyrtare nuk është miratuar.
Gjatë vitit të kaluar, Bashkimi Evropian reagoi në disa raste për ndalimin e vizitave, duke i bërë thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’u përmbahen marrëveshjeve të arritura.
Për shembull, në fillim të vitit 2024, Beogradi zyrtar ia ndaloi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, të vizitojë Luginën e Preshevës në Serbinë jugore, ku jeton popullata shumicë shqiptare.
Bashkimi Evropian, më pas, njoftoi se vizita e ministrit Sveçla ishte paralajmëruar në përputhje me Marrëveshjen për vizitat zyrtare dhe i bëri thirrje Beogradit që ta lejojë atë.
Më pas, në maj të vitit 2024, Kosova ia ndaloi vizitën drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Disa ditë më vonë u ndalua edhe vizita e patriarkut serb, Porfirije, me shpjegimin e autoriteteve kosovare se vizitat nga Serbia nuk do të lejohen, derisa Beogradi zyrtar vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e Brukselit dhe të mos e ndalojë fushatën e tij kundër Kosovës në skenën ndërkombëtare.
BE-ja reagoi sërish, duke thënë se me ndalimin e vizitës së patriarkut serb, Kosova shkeli marrëveshjen e arritur me Serbinë në kuadër të dialogut.
Por, ndërkohë, palët kanë lejuar edhe disa vizita të ndërsjella të zyrtarëve.
Kështu, shqiptarët në Serbi u vizituan nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe tashmë ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, vizituan veriun e Kosovës.
Dialogu në nivel të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë u bllokua prej se një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023, dhe vrau një polic.
Këtij sulmi i paraprinë tensione të larta, pasi serbët në pjesën veriore braktisën institucionet e Kosovës, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës.
Serbët lokalë ngritën barrikada e bënë protesta, si dhe i bojkotuan zgjedhjet lokale. Ky veprim rezultoi, pastaj, me ardhjen e kryetarëve shqiptarë në krye të katër komunave me shumicë serbe.
I dërguari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, vizitoi Prishtinën dhe Beogradin këtë muaj, kur tha se prioritet i tij është të sigurojë një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë atë funksional./

Të tjera
-
Parashikimi i motit për të premten
Të premten parashikohet gjatë orëve të para të 24-orëshit të kemi kalimin e n...
-
Nesër shënohet Dita e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, organizohen disa aktivitete
Gjatë ditës së nesërme shënohet Dita e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës. L...
-
Një 11-vjeçar dhe një 17-vjeçar në mesin e katër të plago*surve në Tiranë nga të shtënat me ar*më
Policia e Shtetit ka dhënë detaje për plagosjen e katër personave në Tiranë. ...
-
Lushaku-Sadriu: Kompromise për shkelje të Kushtetutës nga LDK-ja nuk ka
Për të dytën herë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për shkak të...
-
Cakolli: Shkeljet ligjore po bllokojnë konstituimin e Kuvendit
Tentimi i dytë i deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfund...
-
Bajrami akuzon Kurtin dhe Muratin për shkelje të ligjit në emërimin e drejtorit të Doganave
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas riemërimit të drejtorit t...
-
Kurti kërkon drejtësi për 53 viktimat e familjes Muqolli në Poklek që u vra*në mizo*risht nga forcat serbe
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot masakrën e 1...
-
Haxhiu për qëndrimet e opozitës: Absurde, ata e dinë që i kemi numrat
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka konfirmuar se i kanë num...
-
Konfiskohet një automjet në Shtërpcë, po transportonte drunj pa dokumentacion
Policia e Kosovës ka konfiskuar një automjet me targa të skaduara në Kashtanj...
-
“Ndjej keqardhje për Avni Deharin, po keqpërdoret – skenari ishte i gatshëm”, Memli Krasniqi kritikon VV’në për bllokim të Kuvendit
Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi thotë se ndjen keqardhje për kryesuesin e s...
-
Baraliu tregon çka u desh të ndodhte në Kuvend: Seanca e sotme duhej të vazhdonte
Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka folur në lidhje me dështi...
-
Abrashi i VV-së kritikon Presidenten: Foli si autoritet kushtetues nuk dha zgjidhje për problemin që ia adresoi kryesuesi
Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka hedhur kritika ndaj presidentes Os...