Lajme

Moska thotë se Kievi ka pezulluar qarkullimin e naftës ruse në Evropë

Autori: Gazeta inFokus 16:14 | 09 August 2022

Ukraina ka pezulluar rrjedhat e naftës ruse në tre vende evropiane që nga 4 gushti, sepse pagesa nuk mund të kryhet për shkak të sanksioneve, tha kompania ruse e naftës, Transneft.

Transneft tha më 9 gusht se kjo kishte ndikuar në dërgesat në Republikën Çeke, Hungari dhe Sllovaki.

Sipas kompanisë, pagesa e naftës për muajin gusht u bë më 22 korrik për operatorin e tubacionit të Ukrainës, Ukrtransnafta, por e njëjta nuk krye dhe për rrjedhojë paratë u kthyen.

Banka ruse, Gazprombank, e cila trajtoi pagesën, tha se paratë u kthyen për shkak të kufizimeve të Bashkimit Evropian dhe shtoi se dërgesat e naftës në Poloni dhe Gjermani nëpërmjet Bjellorusisë ishin duke u zhvilluar “si zakonisht”.

Rusia ka reduktuar tashmë flukset e tubacioneve të gazit në shumë vende anëtare të BE-së, duke përmendur problemet me mirëmbajtjen e turbinave në tubacionin Rrjedha Veriore 1, si dhe sanksionet kundër disa blerësve që Moska i njeh zyrtarisht si “jomiqësorë”.

Prej kur Kremlini filloi pushtimin e tij të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, Perëndimi vendosi sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë, duke e shkëputur vendin nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ka kërkuar mënyra për të reduktuar varësinë nga burimet energjetike ruse dhe ka rënë dakord të ndalojë më shumë se dy të tretat e importeve të naftës ruse.

Shtetet e Bashkuara ndaluan naftën dhe gazin rus disa ditë pasi Rusia nisi agresionin në shkallë të gjerë kundër Ukrainës./rel

Të tjera