Lajme

Mosbindje ndaj gjykatës, shkelje e fshehtësisë, pengim i personave zyrtarë e pjesëmarrje në grup – Detaje nga aktakuza e re ndaj Thaçit

Autori: Gazeta inFokus 20:19 | 06 December 2024

Zyra e Prokurorit Special ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Në këtë rast përfshihen edhe ish-kryeshefi i e AKI-së, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar nga ZPS-ja, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Në aktakuzën e konfirmuar, kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

-Advertisement-

Seanca e parë për këtë rast do të mbet të dielën më 8 dhjetor.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar. Z. Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.”, thuhet në njoftim.

Aktakuza e re ndaj ish-presidentit Thaçi është konfirmuar më datën 29 nëntor.

Thaëi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

“ Z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua z. Thaçi në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.”, kanë thënë nga ZPS-ja.

Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.

“ Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë. :, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Kuçi janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.”, thuhet në njoftim.

ZPS ka njoftuar edhe për orarin e mbajtjes së seancave.

“Seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore -z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj – janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi. Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00. Sipas ZPS-së. ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.”, thuhet tutje në njoftim.

Të enjten, ZPS ka arrestuar Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun e Isni Kilajn.

Ata janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera