Lajme

Mosbashkëpunimi Kosovë – Serbi, pengesë në hetimet rreth rastit Ivanoviq

Autori: Gazeta inFokus 17:00 | 16 October 2018

Mungesa e informacioneve nga autoritetet e Beogradit, sipas organeve të hetuesisë në Kosovë, po ndikon në mungesën e përparimeve rreth ndriçimit të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Autoritetet kompetente të Kosovës thonë se po punojnë në mënyrë intensive për zbardhjen e vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica, por, sipas tyre, nuk po arrijnë të sigurojnë informata të vlefshme edhe nga Beogradi.

Oliver Ivanoviq, ka vepruar në Kosovë si përfaqësues politik, por kishte edhe shtetësinë e Serbisë. Ai ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore.

-Advertisement-

Ivanoviq ishte lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Prokurori Sylë Hoxha nga Prokuroria Speciale e Kosovës, është i ngarkuar me rastin Ivanoviq. Ai i tha Radios Evropa e Lirë, se institucionet përgjegjëse janë në fazën e grumbullimit të provave.

Prokuroria, theksoi Hoxha, së shpejti do të përpilojnë një kërkesë me disa pyetje të cilat do t’ua drejtojë autoriteteve përgjegjëse në Serbi. Pala kosovare, thotë ai, ka vullnet dhe është e gatshme për bashkëpunim të ndërsjellë me Serbinë për zbardhjen e rastit Ivanoviq.

“Deri më tani nuk jemi të kënaqur me bashkëpunimin me autoritetet e Beogradit zyrtar. Ata janë përgjigjur pjesërisht në disa kërkesa të nevojshme. Kështu që nuk na kanë siguruar informatat e duhura për të cilat ne dimë se ata i disponojnë”, tha Hoxha.

“Mirëpo ne jemi në zbatim të kodit të procedurës dhe do t’u shkojmë procedurave me radhë, kurse çka na sjellin ata (Serbia) ajo le të mbetet çështje e tyre”, tha prokurori Hoxha.

Vrasja e Ivanoviqit, edhe një rast në proceset e gjata nën hetime

Pak ditë pas vrasjes së Ivanoviqit, Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës i kishte dërguar katër kërkesa Qeverisë së Serbisë.

Por, përgjigjet e palës serbe, sipas prokurorit Hoxha, janë kthyer jo të kompletuara.

Por, edhe autoritetet në Serbi kanë kërkuar nga Prishtina shkëmbim të informatave rreth hetimeve. Megjithatë, kërkesat në të dyja adresat në fund dolën se u kthyen më shumë në fajësime reciproke sesa në bashkëpunim.

Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, përmes një deklarate për media thotë se pas nëntë muajve që kur është vrarë Ivanoviq, autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit kanë vetëm akuza e deklarata, kurse bashkësia ndërkombëtare po heshtë.

Kjo Iniciativë thirret edhe në autoritetet e Serbisë, të cilat deklarojnë se nuk kanë informacione të rëndësishme që do të çonin në zbardhjen e këtij rasti.

E njëjta thuhet edhe në lidhje me hetuesinë në Prishtinë, e cila nuk ka dalë ende me një hetim që do të ndihmonte në kapjen e kryesit apo kryesve të këtij krimi.

Prokurori Sylë Hoxha, thotë se institucionet përgjegjëse të Kosovës janë të vendosura dhe shumë të interesuara për zbardhjen e këtij rasti.

“Ne jemi shumë të vendosur në zbardhjen e rastit se bashku më hetuesit policor të rastit dhe po presim rezultatet”, tha ai.

Oliver Ivanoviq ishte qytetar i Kosovës, por kishte edhe shtetësinë e Serbisë, andaj ishte paralajmëruar që hetimet të përfshijnë edhe shkëmbimin e informatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera