Fokus

Mos u paguani spitaleve private mijëra euro për stenta, QKUK i ofron me pak para

Autori: Anita Krasniqi 11:16 | 17 December 2018

Asnjë pacient nuk ka nevojë më të paguaj mijëra euro në spitale private për stenta në zemër. Të gjithë tash e një vit i kryejnë me pak para e pa pritje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kështu bënë të ditur drejtori i Klinikës së Kardiologjisë me kardiologji invazive, Tefik Bekteshi për gazetën inFokus.

“Nuk kemi listë të pritjes për PCI (stentim), gjithmonë e caktojmë ditën e saktë të procedurës, kjo si rezultat i rritjes së volumit të punës dhe ka pacientë të cilët këto shërbime i kanë marrë jashtë institucioneve publike shëndetësore”, thotë Bekteshi.

-Advertisement-

Sipas tij , në vitin 2018 në Klinikën Kardiologjike janë kryer 1,576  stentime e mijëra pacientëve u janë ofruar shërbime tjera të nevojshme.

“Në vitin 2018 janë realizuar 2,370 koronarografi (procedura diagnostike) dhe 1,320 PCI (procedura intervente), me vendosje të 1576 stentave”, thotë ai duke treguar se sivjet janë realizuar 201 operime kardiokirugjike.

Para një viti, kjo punë thuajse ishte e pamundur.

Në Klinikën e Kardiologjisë për një kohë të gjatë nuk janë kryer shërbimet e koronarografisë si dhe vënia e stentave në zemër.

Por, vënia në funksion e aparaturës së nevojshme ka bërë që këtë vit të mos kenë probleme në procesin e punës.

Madje  në këtë klinikë nga janari i vitit 2019 pritet të hapet edhe salla e dytë e katetrizimit.

“Pra, do të janë dy angiografa (aparaturë që shërben për zhbllokimin e arterieve) në funksion”, thotë Bekteshi, shkruan gazeta inFokus.

E për një pjesë të madhe të pacientëve, të gjitha shërbimet do të jenë falas, varësisht nga statusi social.

Ndërsa, për rastet kur pacienti nuk lirohet nga participimi, participimi për koronarografi është 150 euro, ndërsa përkatësisht 350 euro për stentë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë premtojnë përkrahje edhe më të madhe për Klinikën e Kardiologjisë.

“Do të përkrahet kjo klinikë edhe me forma tjera stimulative. Mendoj që është duke u bërë një punë e mirë. Për vitin tjetër kemi ndarë një vijë të veçantë buxhetore për klinikën e Kardiologjisë”, thuhet në përgjigjen e MSH për gazetën inFokus.

Përveq kësaj, zyrtarët shëndetësorë thonë se janë duke bërë përpjekje që të punohet 24 orë në shërbimin e trajtimit të infarktit akut./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera