“Mos u hidhëro që nëna jote e përlotur të pret gjithë natën të vish”
Autori: Gazeta inFokus 11:42 | 10 April 2021
Poeti Xhabir Ahmeti ka bërë një dedikim prekës për djalin e tij, aktorin e njohur Luran Ahmeti, i cili ditë më parë humbi betejën me koronavirus.
Babai i Luranit e ka shprehur dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të djalit të tij.
Lajmi për vdekjen e tij preku të gjithë shqiptarët që njihnin aktorin Ahmeti.
Dedikimi prekës i tij:
PËRKUJTIM PËR DJALIN TIM TË MIRË, LURANIN
Biri im, fjalët e mia pas teje nuk kanë peshë, s’i përfill më Muza, sepse ajo vinte pas buzëqeshjes tënde, jo pas fjalëve të mia. Ti ishe burimi i dashurisë së kësaj shtëpie, ishe një gejzer dashurie për popullin, ti ishe ai që artin e kuptoje si rendin më të lartë të mundshëm, ti i paloje argumentet se dashuria edhe e vërteta janë çelësat të cilët do ta sjellin madhështinë midis nesh, midis këtij populli të përçarë. Ti ishe një burim i pashtershëm i ideve fisnike; brenda teje gufonin ëndrrat më sublime për ta bërë kulturën tonë të njohur në botë përmes artit teatror dhe përmes filmit.
Me net e net të tëra, me vite, rrije para ekranit duke hulumtuar thellësitë e filmit dhe të teatrit. I mblidhje përvojat më të mira të këtij arti që një ditë të shpërthejë talenti yt dhe me kreativitet të rrallë t’i zbulojë gjërat e zgjedhura që i posedojmë si popull, raritetet e veçantitë. Ti nuk i doje mesazhet në art, por origjinalitetin e ngrehinës artistike. Ti besoje se një ditë do të vijë dita jote të derdhësh dritën lëbyrëse të forcës tënde krijuese mbi popullin tonë të përvuajtur. Sepse, thoshe, e vërteta që është me mua i përballon të gjitha pengesat.
Ti na doje neve, prindërve tu, nënën që mbi supet e veta e mban dhembjen e paparë, mua që kam nisur t’i kërkoj fjalët me qiri sepse m’i ka gllabëruar terri që të ndau nga ne, e doje motrën Linda që thur vaje për ty, e doje Edlirën tënde dhe Arbën e vogël, shpirtin e babit që kënaqej kur luante me ty. Na doje të gjithëve aq shumë sa s’përshkruhet. Na ruajte një vjet nga virusi vrastar, e ne ja ku jemi të thyer, të dërmuar, pa ty që e sakrifikove rininë tënde për ne. Nuk na leje të dalim thuajse askund. Nuk ka siguri, nuk ka garanci, nuk ka mbrojtje nga kjo e keqe që e ka vënë përpara botën, na e tërhiqje vërejtjen. Na thoshe: unë jam i ri e përballoj. Juve të pestëve ju kam gjithçka. Duke u kujdesur kështu për ne, e flijove veten, biri im. O biri im!
Biri im, Ti na ike si një zog këngëtar prej duarve dhe ne tash e shohim se s’ishe zogu, por në fakt kemi mbetur pa shtyllën kryesore të shtëpisë. Ti ishe krenaria jonë. Ti ishe dashuria jonë. Ti ishe gëzimi ynë. Shpatullat tua e mbanin këtë shtëpi.
Mos u hidhëro me mua që po belbëzoj kështu, sepse nuk janë me mua, me babin tënd, përcaktorët e vlerave, por kanë mbetur vetëm zëri e duart që më dridhen dhe lotët që më shkojnë rrëke, mos u hidhëro që nëna jote e përlotur pret gjithë natën të vish e ta hapësh derën e të shkosh e ta puthësh që të shtrihet e të pushojë e qetë se e ka djalin në ngrohtësinë familjare, mos u shqetëso kur Edlira ta përmend aq shpesh me pikëllim emrin, sepse ajo nuk do të të harrojë kurrë, mos ia zë për të madhe motrës tënde Lindës që shpesh shpërthen në vaj, sepse është dashuria e motrës që ashtu di të shprehet, mos u pikëllo kur bija jote, Arba jote, nuci i vogël, bukuroshja e vogël e babit, vazhdimisht të thërret e të kërkon ndër yje. Mos biri babit, se ti je me ne, je në zemrat tona, në kujtimet tona më të mira, Aty je Lurani i babit dhe aty do të të mbajmë si lule sa të jetë jeta.
E di Luran, se ka vluar Maqedonia, Kosova Shqipëria dhe Turqia kur morën vesh se ti kishe marrë një udhë të cilën e pata planifikuar për vete e që ti të qëndroje te koka ime. Me mijëra e mijëra njerëz më shkruajnë mua, biri im, për ty artistin e dashur e të preferuar dhe më ngushëllojnë për ty në vend se tash ti të merrje dhjetëra letra ngushëllimi për mua.
Mos të harroj të të tregoj se Arba mbledh lule dhe i vendos te dera e hyrjes së ndërtesës e më thotë: do të vijë babi natën do t’i marrë, sepse ai më sheh nga yjet. Nuk e di se çfarë ka në atë kokën e bukur të Arbës gjashtëvjeçare, por e di se ajo do të rritet me krenari se është bija jote, nuci i babit, bukuroshja e babit, ajo qysh tash të ka shkruar letra që rrallë kush mund t’i shkruajë aq bukur e thotë: “Babi, unë nuk kam njohur babë më të mirë në jetën time”.
Sa shumë të duam, biri im i mirë, biri im i dashur.
Të tjera
-
Keqpërdori pozitën zyrtare, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar ...
-
Arrestohen dy të dyshuar në Mitrovicë për dhënie e marrje të ryshfetit
Të mërkurë në Mitrovicë janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, njëri shtetas i...
-
Kushtetuesja e Speciales me vendim në rastin ‘Januzi e të tjerët’
Gjykata Kushtetuese e Speciales ka hedhur poshtë referimin lidhur me Rregullo...
-
Ministri Maqedonci udhëton në Hungari, pritet t’i zhvillojë disa takime
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka udhëtuar për vizitë pune në Hungari....
-
Suharekë: Hyjnë me forcë në shtëpi dhe vjedhin para e stoli ari
Një person në Suharekë ka raportuar në polici të mërkurën se persona të panjo...
-
Rasti i Kolovicës ku mbetën të vrἀrë dy persona, arrestohet një i dyshuar
Policia e Kosovës ka konfirmuar se është arrestuar njëri prej të dyshuarve pë...
-
Kurti bashkëbisedoi me pjesëtarë të mërgatës në Hanover të Gjermanisë
Gjatë qëndrimit në Hanover, ku mori pjesë në panairin “Hannover Messe 2024”, ...
-
Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve
Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 20...
-
Mickoski: Bisedova me Taravarin dhe e urova për rezultatin në zgjedhje
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në një deklaratë për media pas s...
-
Zhduket një grua në Skënderaj
Policia e Kosovës ka njoftuar për zhdukjen e një gruaje në Skënderaj. Poli...
-
Tre të lënduarit nga përleshja e mbrëmshme në “Rrugën B” po trajtohen në QKUK
Tre persona janë lënduar mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë te “Rruga B”, pa...
-
Arrestohen 8 efektivë të policisë kufitare në Mal të Zi, iu morën ryshfet edhe kosovarëve
Policia malazeze arrestoi 8 policë kufitarë të dyshuar për marrje ryshfetesh ...