Lajme

Mos pajtimet mes pozitës dhe opozitës e bllokojnë ligjin për RTK-në

Autori: Gazeta inFokus 13:15 | 01 October 2018

Projektligji për Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK) nuk ka arritur të marrë miratimin e anëtarëve të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie për të kaluar në Kuvend.

Situata u krijua pasi që opozita ka kërkuar që të jepen përgjigje për vërejtjet që ka marrë ky projektligj nga Qeveria dhe institucionet përkatëse. Si pasojë e kësaj, deputetët Imet Rrahmani, Arban Abrashi dhe Valon Ramadani u larguan nga mbledhja, duke pamundësuar mbajtjen e saj për shkak të mungesës së kuorumit.

Për dallim nga opozita, deputetët e pozitës kërkuan që ky projektligj t’i procedohet sot Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që vërejtjet dhe vlerësimet për këtë ligj të jepen në seanca plenare.

-Advertisement-

Imet Rrahmani ishte ai i cili e kundërshtoi më së shumti që Projektligji për Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK) të procedohet në Kuvend, pa u shqyrtuar vërejtjet drejt tij. Sipas tij nëse ndodh kjo, atëherë do të ishte hap i ngutshëm.

“Edhe vërejtjet që aq shumë i kanë bërë pothuajse në çdo nen Komisioni i Pavarur për Media, edhe udhëzimi i Qeverisë, respektivisht i Ministrisë së Diasporës, por edhe disa vërejtje tjera që i kemi marr me shkrim ne duhet si komision t’u japim përgjigje çdo njërës një nga një, qoftë t’i refuzojmë, mos t’i fusim në projektligj, qoftë t’i aprovojmë. Pa i harmonizuar këto, ne në komision unë mendoj se është hap shumë i ngutshëm. Aty qysh e kam parë propozimi që ka ardhur nga Ministria e Diasporës dhe disa nene që janë propozuar për me i ndryshuar me i sjell në projektligj janë të papranueshme, edhe i kemi vërejtjet tona sidomos interferohet aty në përbërjen e bordit ku thotë se duhet të jetë në bord një anëtar ose përfaqësues i diasporës edhe thotë që detyrimisht në përzgjedhjen e drejtorit të kanalit të diasporës duhet të jetë përfaqësues i diasporës”, ka deklaruar Rrahmani.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani duke i lexuar vërejtjet që kanë arritur në komision për këtë projektligj, tha se nuk pajtohet që të themelohet edhe një kanal i veçantë televiziv për diasporën e aq më pak që ky kanal ta ketë redaksinë e saj jashtë.

Sipas tij vërejtjet nga institucionet duhet të paraqiten edhe në Kuvend.

“Askush nuk ka dhënë vërejtje, vërejtjet e juaja janë të arsyeshme dhe janë të mirëseardhura dhe unë po kërkoj që të jenë pjesë e seancës edhe ne do kemi mundësi pastaj të marrim ekspertë me anë të buxhetit tonë ose do kërkojmë donator që do të na ndihmojë për ekspert dhe ekspertizë të fushës që ne na duhet dhe do të kemi mundësi të dalim me ekspertizën qoftë financiare, për programet, për kanalet. Unë po kërkoj që ta votojmë, ta dërgojmë në parim t’i japim vërejtjet atje”, tha Hasani.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani tha se nuk e di se kujt po i ngutet që ky ligj të kalojë në Kuvend.

“Ka gjashtë muaj që jemi marr më shumë me këtë punë, unë nuk e di pse ose kujt po i ngutet që sot kjo me shkua për Kuvend, sot ne jemi hartuesit. Unë nuk marr pjesë në këtë votim sot, ju dërgojeni për Kuvend nuk ka problem, por ideja që e keni gabim, se jeni duke u ngutur, atëherë ku po jetë funksioni i komisionit, ne jemi hartuesi, e kemi dërguar në Qeveri, e kanë kthyer dhe sot nuk merresh hiq sot me to, dhe e dërgon në Kuvend, për mua është e pakuptim”, tha ai.

Për deputeten e PDK-së, Xhevahire Izmakun ishte e panevojshme që projektligji për Transmetuesin Publik (RTK) të mos shkojë sot në Kuvend, ndonëse ajo shprehu vërejtjet e saj.

“Mua po më ngutet për një arsye se nuk e mendoj se krejt bota sillet rreth ligjit të RTK-së, meqenëse na pret një ligj shumë më i ndjeshëm është ligji i pagave, unë koleg të nderuar ju kisha ftuar mos me pengua në procedurë, le të shkon në Kuvend dhe kur të kthehet ndalemi punojmë edhe një muaj, dy muaj në komision qysh doni, nëse doni në grupe punuese, edhe prapë se prapë mos pritni konsensus se me votë ka me u vendos”, u shpreh Izmaku.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci duke i treguar disa nga vërejtjet e tij, u shpreh se ky ligj ka shumë mangësi, dhe parapagimin përmes faturës së rrymës e konsideron si të dështuar.

“Duke u nisur nga bordi, unë mendoj që bordi është një numër shumë i madh edhe rrallë po ka mbledhje, duhet me mbajt mbledhje së paku një herë në javë, e jo dy herë në muaj dhe janë shumë dhe po paguhet shumë. Mendojë që me ligj ne duhet me rregullua që neve Kuvendi e njeh bordin si përgjegjës për veprimtarinë e RTK-së, jo drejtorin, ai vjen e shkon. Është mangësi e madhe përmenden si trupa udhëheqës drejtori gjeneral dhe bordi, por nuk përmenden drejtorët e televizion që është drejtori, drejtori i programit të parë, drejtori që e udhëheqë programin serbisht, drejtori i radios, drejtori i Blue Sky duhet me i caktua përgjegjësitë e tyre”, tha Mikullovci.

Ndonëse, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina fillimisht u pajtua që ky ligj të procedohet për në Kuvend pas këtij debati, ajo ndërroi mendje dhe kërkoi që të shqyrtohen vërejtjen e institucioneve për projektligjin për transmetuesin publik.

Ndryshe, në mungesë të kuorumit mbledhja u shty për ditën e mërkurë, ndërsa në rend dite për këtë mbledhje ishte paraparë edhe Projektligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera