Lajme

Momenti kur Policia e Kosovës arreston njërin nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan

Autori: Gazeta inFokus 14:01 | 13 June 2023

Është publikuar video e momentit kur Policia e Kosovës e ka arrestuar Milun Milenkoviqin, i njohur si Llune, e që është njëri nga organizatorët kryesorë të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri të vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Milenkoviqi është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës i bandave kriminale që “ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Ministri gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët policorë, me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

-Advertisement-

“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Njësia Speciale e Kosovës është stacionuar në lagjen e Boshnjakëve të veri të Mitrovicës, pas arrestimit të Milenkoviqit.

Pas këtij veprimi të policisë, në këtë pjesë të vendit është dëgjuar alarmi, përmes së cilit grupet ilegale atje kërkojnë grumbullimin e qytetarëve serbë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera