Lajme

Molliqaj nuk ishte i pranishëm sot në homazhe, por zgjedh këtë mënyrë për t’i përkujtuar aktivistët Balaj e Xheladini!

Autori: Gazeta inFokus 17:46 | 10 February 2018

Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes përmes rrjetit të tij social Facebook, ka shkruar se sot i përkujtojmë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin të cilët u vranë nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007, raporton Gazeta Blic. 

Ai ka treguar ngjarjen se si ka ndodhur vrasja e aktivistëve, kërkesat e familjarëve etj.

Molliqaj përmes këtij postimi ka treguar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për Mon Balajn, Arben Xheladinin dhe për Astrit Deharin.

-Advertisement-

“Moni e Arbeni e dhanë jetën për vendin tonë, e neve na mbetet që ta vazhdojmë rrugën e tyre dhe të mos ndalemi së kërkuari drejtësi për ta. Ashtu sikurse nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi edhe për Astrit Deharin”, ka shkruar ai.

Theksojmë se sot LVV ka mbajtur homazhe në sheshin “Nëna Terezë” ku u zhvillua ajo demonstratë duke lënë vdekur dy aktivistët, Balaj e Xheladinin. Ajo çka ra në sy gjatë këtyre homazheve ishte se Dardan Molliqaj nuk ishte i pranishëm as në këto homazhe, siç duket çarja në VV është aq e thellë saqë asnjë ngjarje e tillë nuk arriti ta bashkojë VV të plotë, ndryshe i pranishëm nga ‘grupi Molliqaj’, ishte vetëm Visar Ymeri.

Postimi i plotë i Molliqajt: 

Sot përkujtojmë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin të cilët u vranë nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007.

Moni dhe Arbeni u qëlluan me plumba gome që kishin afat të skaduar.

UNMIK-u nuk mori përgjegjësi, përkundrazi deklaroi që forca e tyre ishte proporcionale.

Atëbotë, Qeveria e Kosovës dhe Grupi i Unitetit i përkrahën vrasjet e UNMIK-ut dhe i dënuan demonstruesit.

Policët vrastarë të UNMIK-ut u kthyen në vendin e tyre dhe u dekoruan për punën e tyre ”të mirë” në Kosovë. Aktivistët e Lëvizjes përsekutoheshin nga pushteti.

Në vitin 2009, familjes Balaj dhe Xheladini iu ofrua dëmshpërblim në vlerë prej 200 mijë eurosh, me kusht që ata t’i tërheqin kërkesat e tyre për drejtësi. Natyrisht, familjarët i refuzuan, sepse ata duan drejtësi e jo dëmshpërblime.

Pas 8 vitesh, Paneli për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së deklaroi se demonstrata e 10 shkurtit ishte paqësore dhe se përgjegjësia për dhunën bie mbi policët UNMIK-ut.

11 vite pas kësaj demonstrate, asnjë qeveri e jona nuk ka kërkuar hetime të pavarura për rastin.

Poashtu, institucionet përkatëse kanë pranuar një kërkesë para disa vitesh për shpalljen e Arbenit dhe Monit si dëshmorë të kombit, por ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Sot, më shumë se kurrë, dëmet e Pakos së Ahtisaarit janë të prekshme dhe pengesë për Republikën e Kosovës. Situata e sotme është treguesi më i mirë për të gjithë se demonstrata e 10 shkurtit ishte e drejtë.

Moni e Arbeni e dhanë jetën për vendin tonë, e neve na mbetet që ta vazhdojmë rrugën e tyre dhe të mos ndalemi së kërkuari drejtësi për ta. Ashtu sikurse nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi edhe për Astrit Deharin.

Lavdi!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera