Lajme

MKRS shpërblen financiarisht sportistët e trajnerët e suksesshëm

Autori: Gazeta inFokus 15:03 | 23 May 2019

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot çmime për pesë sportistë dhe tre trajnerë që kanë shënuar suksese në arenën ndërkombëtare të sportit.

Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, tha se është fat i mirë që si ministri kanë arritur të rrisin buxhetin për sportistët për 120 përqind.

Gashi tha se sportistët janë ambasadorët e vërtetë të Republikës të Kosovës, pasi ata kanë korrur suksese edhe në vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Teksa shtoi se janë duke shikuar mundësitë që të gjejnë një zgjidhje për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, pasi komuna nuk ka ndarë hapësirë për ndërtimin e këtij objekti.

-Advertisement-

Sipas tij, janë pikërisht karatistët, xhudistët që i kanë sjellë Kosovës suksese.

“Këtë vit ndajmë çmimet dhe mbështetjen tonë financiare për punën dhe angazhimin. Ne jemi shumë të vetëdijshëm si qeveri dhe si ministri se puna dhe mundi juaj nuk shpaguhet me mjete financiare, megjithatë është një motivim shtesë për punën dhe angazhimin e trajnerëve… Është fat i mirë që si ministri, gjatë vitit aktual në raport me vitin e kaluar, kemi ngritur buxhetin për mbështetjen e sportistëve, trajnerëve dhe sporteve në përgjithësi, nga 1 milion e 400 mijë sa ka qenë në 3 milionë e 200 mijë, do të thotë një ngritje prej 120 përqind sepse përkushtimi jonë ka qenë që t’iu dalim në ndihmë financiare të gjithë sportistëve, trajnerëve dhe sporteve”, tha ai.

Edhe trajneri Driton Kuka tha se do të angazhohen që bashkërisht të zgjidhin Qendrën e Xhudos.

Ai tha se vitin e kaluar Kosova ka shënuar suksese në lojërat mesdhetare dhe në lojërat olimpike.

Ai falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen që po u jep sportistëve të vendit.

“Kam qenë protagonist i përmirësimit i të gjitha proceseve drejt ndërtimit të kushteve për sportistët. Ajo që ka qenë gjithmonë brengë është niveli komunal, komunat. Ideja është që kushtet dhe mundësitë që ua kemi krijuar sportistëve, tanimë t’i shfrytëzojmë, të punojmë dhe të arrijmë medalje. Besoj se procesi po vazhdon”, u shpreh ai.

E trajneri Isak Curri tha se kjo e mirë që u është bërë sportistëve, është një shtytje për të vazhduar përpara.

“Kjo e mirë që u është bërë sportistëve është një shtytje për neve për me punu dhe me bë më shumë, për me i arrit këto të mira. Kjo punë e jona na bënë krenarë të gjithëve, sepse po e prezantojmë vendin tonë, shtetin tonë”, tha Curri.

Ndryshe, pesë sportistët e shpërblyer janë Albulena Gërvalla, Molos Gashi, Akil Gjakova, Loriana Kuka, Erëza Muminoviq.

Kurse trajnerët që u shpërblyen ishin Driton Kuka, Isuf Curri dhe Muhamet Rexhepi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera