
Mjaftohen me nga një telegram ngushëllimi, Kurti dhe Osmani nuk marrin pjesë në ceremoninë e homazheve për Haxhi Thaçin
14:55 | 18 March 2025 Autori: InfokusiNjë pjesëmarrje e madhe u vu re sot në ceremoninë e homazheve përballë arkivolit të tashmë të ndjerit, Haxhi Thaçi.
Megjithatë, në këtë ceremoni munguan krerët e institucioneve qendrore të Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duket se u mjaftuan me nga një telegram ngushëllimi, të cilin madje nuk e publikuan as në rrjetet e tyre sociale.
Presidentja Osmani shprehu ngushëllime përmes një telegrami të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës në Facebook.
“Presidentja Osmani ngushëllon ish-presidentin Thaçi dhe familjen e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit. Me pikëllim mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Thaçi, babait të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi”, thuhet në telegramin e saj të ngushëllimit.
Nga ana tjetër, as kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e publikoi telegramin e tij ngushëllues në rrjetet sociale, siç bën zakonisht.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes suaj dhe miqve të ish-presidentit Hashim Thaçi”, thuhej shkurt në letrën e tij të ngushëllimit.
Lidhur me këtë, Kurti mori kritika të shumta. Veteranë të UÇK-së dhe analistë e kritikuan atë, duke theksuar se për vdekjen e serbit Oliver Ivanoviq ai kishte shkruar më gjatë dhe madje i kishte kushtuar një video me fjalë të mëdha.
Ndryshe nga kryeministri, që ende nuk dihet nëse ka dërguar dikë nga kabineti i tij për të marrë pjesë në homazhe apo në varrim, që pritet të nisë nga ora 15:00, presidentja Osmani dërgoi dy këshilltarë të saj.
Këshilltari Ismet Krasniqi dhe gjeneral Sefer Isufi, këshilltar ushtarak i presidentes, bënë homazhe në Skenderaj, në palestrën “Ilaz Kodra”.
Kujtojmë se Haxhi Thaçi u nda nga jeta të dielën në mbrëmje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej pas problemeve shëndetësore. Ai ndërroi jetë vetëm dy ditë pas vizitës së të birit, ish-presidentit Hashim Thaçi./Gazeta Infokus