Lajme

“Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur” – 15 vjet nga fjalimi historik i George W. Bush në Tiranë

Autori: Gazeta inFokus 09:47 | 10 June 2022

Sondazhet tregonin se përkrahja i ka rënë si mos më keq. Gjatë turneut nëpër Evropë nuk ishte pritur edhe aq mirë. Por, kur erdhi në Shqipëri si presidenti i parë Amerikan që ndonjëherë vizitonte vendin e vogël ish komunist, George W. Bush, u prit nga turma e njerëzve që brohorisnin emrin e tij si të ishte një yll roku.

Ishte 10 qershori, 2007, kur shqiptarët vërshuan sheshin “Skënderbeu” për ta pritur amerikanin në Tiranë.

Me flamuj amerikanë e simbole të tjera të këtij shteti, shqiptarët i dëshmuan Bush-it atë që thuhej për ta – se janë populli më pro amerikan në botë.

Atmosferën e jashtëzakonshme e mikpritëse e kishte konkretizuar me fjalë, atëherë kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i cili pati deklaruar se Bush “është vizitori më i jashtëzakonshëm që Shqipëria ka pasur prejse ekziston si shtet”.

Bush ua kthej me të njëjtën monedhë.

Ai u tha shqiptarëve çfarë donin të dëgjonin. Se përkrahë anëtarësimin e tyre në NATO dhe se e dëshiron sa më parë Kosovën shtet dhe të pavarur.

Aty Bush do bënte edhe fjalimin e famshëm, i cili përfundimisht kishte bindur shqiptarët e Kosovës se puna është kryer.

“Në një pikë, herët a vonë, duhet ta thuash ‘mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur’”, është fjalimi ikonik i Bush-it.

Ai kishte shtuar se çfarëdo plani për bisedime rreth Kosovës, si ai që atë kohë kishte propozuar presidenti i Francës, Nicola Sarkozy, duhej patjetër që të përfundonte “me pavarësi për Kosovën”.

Shumë kosovarë kishin udhëtuar drejt Tiranës për ta takuar Bushin.

Në atë kohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po bënte plane për pavarësinë e Kosovë, por Rusia kundërshtonte.

Para se të vinte në Shqipëri, Bush ishte në Romë dhe atje ishte pajtuar se një afat duhet patjetër të caktohet se kur përfundojnë bisedimet.

“Sa i përket një afati, duhet të ketë një patjetër. Duhet të ndodhë”.

Por, kur erdhi në Shqipëri më pas dhe u pyet për këtë afat. Atij nuk iu kujtua.

“Së pari nuk e besoj se kam folur për afate”, pohoi Bush gjatë konferencës për media me Berishën.

Më pas iu tha se në fakt kishte folur për afatin.

“Kam folur?”, pyeti Bush si i çuditur. “Çfarë saktësisht kam thënë? Kam thënë afat? Në rregull atëherë, po pra, atë që e kam thënë e kam menduar”.

Të gjithë në sallë qeshën.

As një vit më vonë nga kjo vizitë u kuptua se Bush vërtetë e kishte menduar atë që kishte thënë.

Me 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë me përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa 10 qershori i vizitës së Bush-it në Tiranë, merret si gurthemeli i asaj që do pasonte me 17 shkurt një vit më vonë.

Të tjera