Lajme

Mitrovica me më së shumti raste sociale

Autori: Gazeta inFokus 23:41 | 21 March 2023

Komuna e Mitrovicës prin me numrin e rasteve sociale. Kjo bën që nevoja për ndihma të jetë e madhe. Ka familje që nuk e kanë të zgjidhur ende punën e strehimit e kushtet për jetesë janë shumë të vështira.

Mensur Çizmolli nga Mitrovica tash e tre muaj ka mbetur pa shtëpi. Shtëpia në lagjen “2 Korriku” ku ai dhe familja e tij qëndruan për rreth 20 vjet, u rrënua nga pronari i saj. Kjo familje muajin e kalon me 110 euro ndihmë sociale.

“20 vite kemi jetuar në një shtëpi të huaj, për momentin e kanë rrëzuar. Pronari ka ardhur nga Gjermania, nuk ka dashtë me na lënë, e rrëzoi shtëpinë. Djali ka ardhur këtu që dy vite, jemi bashkua këtu, ku me shkua”, thotë Çizmolli për RTK-në.

-Advertisement-

Barra më e madhe bie mbi zonjën e kësaj shtëpie, e cila thotë se mezi i ushqen fëmijët.

“Nuk shkon muaji, se shumë kallaballëk, qe vaji po them çka u bo se di, po shkon. Kur po na sjellin ndihma, me to po jetojmë”, thotë kryefamiljarja Qelepije Çizmolli.

Një hall tjetër që ka kjo familje është se vajza e tyre 14 vjeçe është në gjendje jo të mirë shëndetësore, për çka janë detyruar t’ia ndërpresin shkollimin.

Familja Cizmolli mbetet me shpresën se institucionet dhe njerëzit e vullnetit të mirë do tu dalin në ndihmë për shërimin e vajzës dhe çështjen e banimit.

Nga Komuna e Mitrovicës kanë thënë se numri i rasteve sociale mbetet i madh, por edhe nevoja për ndihmë mbetet e madhe.

“Duke e krahasuar me vitet e kaluara, kemi pas një rënie të lehtë të përfituesve të ndihmave sociale, ai trend po vazhdon. Nuk është rënie drastike mirëpo ka trend uljeje”, tha Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Drita Gashi Ibrahimi.

“Ka një rënie të lehtë, edhe ne e kemi vërejtur, mirëpo padyshim prapë nevoja është shumë e madhe” , tha  Liridon Kurti, koordinator i organizatës humanitare “Islamic Relief”.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Komuna e Mitrovicës prin sa i përket numrit të familjeve me asistencë sociale, me 2 mijë e 157 familje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera