Opinione

Misioni që zhgënjeu (4)

Autori: Gazeta inFokus 16:03 | 22 July 2021

Shkruan: Agron HOTI

Krahas aferave skandaloze dhe të pafalshme të EULEX-it, pra të një misioni të BE-së, ku Kosova synon të anëtarësohet, askush më mirë deri me sot nuk e ka shpjeguar përmbajtjen e këtij misioni dhe të bëmave të tij, sesa ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, britaniku Malcolm Simmons, i cili në kërkesën për raportim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deklaronte afërsisht kështu:

– 1) Në gjyqësorin e EULEX-it kishte pasur ndërhyrje në hetime, kërcënime të dëshmitarëve të mbrojtur, përpjekje për të manipuluar trupat gjykuese, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime, fshehje të provave, manipulim të provave, përpjekje për të penguar hetime, etj; dhe
– 2) Më 10 nëntor 2016 Simmons tregonte ta kishte takuar personalisht Boris Johnsonin në Prishtinë, Sekretarin e atëhershëm të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar (Kryeministrin aktual britanik), me të cilin, mes tjerash, kishin diskutuar edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën Boris Johnson kishte qenë shumë shpërfillës duke besuar qartazi se Gjykata Speciale do të ishte një ndërtim politik apo gjykatë politike që do t’i përkulej vullnetit të Brukselit të mbushur me qëllim lajkatar të BE-së për mbushjen e xhepave të tyre.

-Advertisement-

Nëse Malcolm Simmons dhe Boris Johnson, pra Kryeministri aktual britanik, i bëjnë një klasifikim kaq të rëndë EULEX-it dhe Gjykatës Speciale, atëherë kush do të jepte përgjegjësi për dëmet gati të pariparueshme që Gjykata Speciale potencialisht do të mund t’ia sillte shtetit të Kosovës? Dhe nëse të gjitha indikacionet dhe projeksionet çojnë kah dështimi i Gjykatës Speciale për mungesë të dukshme faktesh në dënimin e krerëve të pafajshëm të UÇK-së saktësisht siç për të njëjtat gjëra kishte dështuar drejtësia e EULEX-it, UNMIK-ut, e Kosovës, e Tribunalit të Hagës, kush do ta kompensonte më pastaj Kosovën e goditur nga ky monstrum ndërkombëtar i mbjellur nga Serbia e Rusia dhe i mbirë në Këshill të Evropës, pra në zemrën e mekanizmit evropian për demokraci dhe të drejta të njeriut?
Nëse Kosova vazhdimisht akuzohej se nuk po mund të ofronte mbrojtje për dëshmitarët për krime të pretenduara të luftës, nëse si UNMIK-u ashtu edhe EULEX-i që kishin edhe KFOR-in në mbështetje nuk po mund të mbronin dëshmitarët, atëherë si ndodhi që të rrjedhin informata nga Gjykata Speciale në Hagë, në vendin ku siguria ishte në maksimum dhe ku ndikimi shqiptar ishte zero? A mos është fajtore drejtësia e Kosovës për këtë rrjedhje informacioni dhe për këtë vetëdelegjitimim, vetëdiskreditim dhe vetëdegradim të Gjykatës Speciale nga vetë mekanizmat e saj ende pa e filluar punën?

Çfarë duhet të jep më shumë Kosova? Ka mbi 100 vite që Kosova terrorizohet nga Serbia, ka mbi 2000 vite që Kosova ka një vijë atdhetare të nisur që nga ilirët, Skënderbeu, Rilindja Kombëtare, Ismail Qemali e Hasan Prishtina e deri te Adem Jashari, ka mbi 100 vite që milionave shqiptarëve (shumica fëmijë e gra) as varret nuk iu dihen nga terrori sistematik serbe grek, ka mbi 100 vite përndjekje, gjyqe, ekzekutime me qëllim zhdukjen e vijës atdhetare shqiptare nga Serbia, ka një NATO të tërë që bombardoi Serbinë pikërisht për ta stopuar këtë gjenocid të serbëve ndaj shqiptarëve në zemër të Evropës dhe ka 22 vite çlirim të Kosovës ku Serbia e mbështetur fuqishëm nga Rusia, Kina dhe segmente të caktuara brenda BE-së që luftojnë me të gjitha mjetet publike dhe të fshehta për ta penguar zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe pse jo për ta zhbërë atë?

Dhe nëse kjo vijë vazhdimësie atdhetare shqiptare që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk arriti të mposhtet:

– as nga gjyqësia terroriste e gjenocidale serbe;
– as nga linçimet e izolimet e parreshtura komuniste ndaj kësaj vije atdhetare gjatë kohës së ish-Jugosllavisë,
– as nga lufta terroriste e gjenocidale serbe,
– as nga UNMIK-u e EULEX-i me shumë serbë në brendinë e tyre,
– as nga drejtësia e Kosovës e ndikuar nga UNMIK-u e EULEX-i,
– as nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për luftërat në ish-Jugosllavi,
– as nga Gjykata Speciale, dhe krejt në fund
– as nga një mega-inxhiniering i mirë-orkestruar politik, medial, opinionist, shoqërist-civil brenda dhe jashtë Kosovës,
atëherë a nuk përbëjnë këta krerë të UÇK-së majën e atdhetarizmit shqiptar duke i kushtuar tërë jetën e tyre çlirimit, pavarësimit dhe ndërtimit të atdheut? Vetë sulmi i parreshtur brutal vendor e ndërkombëtar që fiks 22 vite ndaj strukturës së UÇK-së, tregon për peshën e papeshueshme dhe pse jo lavdinë e padiskutueshme që kanë krerët e UÇK-së në mesin e qytetarëve të Kosovës dhe tërë kombit shqiptar.

Historia një herë shkruhet, prandaj vija atdhetare shqiptare e pandërprerë gjatë tërë historisë ka emër e mbiemër, krerët e UÇK-së kanë emër e mbiemër, përgatitësit dhe shpallësit e pavarësisë së Kosovës kanë emër e mbiemër, ndërtuesit e shtetit të Kosovës me të gjitha institucionet e nevojshme të brendshme dhe të jashtme kanë emër e mbiemër, të gjithë këta emra e mbiemra kanë një kodifikim kombëtar që quhet UÇK.

Është më se e qartë që këta emra e mbiemra të UÇK-së përbëjnë makth për ata që historikisht ishin kundër popullit shqiptar. Po ashtu, është edhe më e qartë që këta emra e mbiemra, ndërruan elitat politike shqiptare në Kosovë, që tërë karrierën e tyre politike e kishin bërë duke u kujdesur që asesi të mos ngacmohej e trokolitej Serbia. Pikërisht këtu i ka rrënjët urrejtja ndaj UÇK-së nga jugonostalgjikët shqiptarë, sepse të jesh elitë nën pushtimin serb e jo-elitë në shtetin tënd të Kosovës, duket të jetë shumë e rëndë për jugonostalgjikët shqiptarë, nëse jo e pakapërdishme, prandaj edhe urrejtja e tyre ndaj UÇK-së është shumëfish më e madhe sesa ndaj Serbisë.

Këtë urrejtje e konfirmojnë më së miri aleancat e jugonostalgjikëve kundër UÇK-së, së pari me pushtetin jugosllav, së dyti me UNMIK-un, së treti me Tribunalin e Hagës, së katërti me EULEX-in dhe së pesti me Gjykatën Speciale. Pra, ka një vazhdimësi konstante dhe të qëndrueshme të jugonostalgjikëve kundër UÇK-së, e kjo përbën rast të pashembullt në botë, kur shqiptari rreshtohet krah pushtuesit për të rrënuar e përtharë përpjekjet për çlirim e zhvillim të vetë popullit shqiptar.
A po mos në fund do të na thuhet nga UNMIK-u, EULEX-i dhe Gjykata Speciale, sikurse i është thënë çdo shteti në botë të ngjashëm me Kosovën, se “u tërhoqëm nga Kosova pa arritur ta përmbushnim misionin për të cilin qemë thirrur dhe e tëra ndodhi për faj të Kosovës.” Dhe gjasat që faji – sikurse bëjnë shumica e misioneve ndërkombëtar tendencioze – t’i mvishet Kosovës janë të mëdha. Megjithatë, e tëra kjo flet për një ëndërr të shuar karshi pritjeve të mia ndaj Misionit të EULEX-it për të ndërtuar një sistem të ri drejtësie e asesi për ta sabotuar atë. Uroj që institucionet e BE-së ta rikuperojnë këtë dëm afatgjatë që ka shkaktuar në Kosovë EULEX-i, në mënyrë që të hapet perspektivë e sinqertë evropiane dhe të lëvizet përpara.

Po ta kishte pasur përnjëmend EULEX-i, Kosova që prej 2008 kur kishte zbarkuar ky mision, e deri me sot do të duhej të kishte një sistem drejtësie model për rajonin dhe të ishte e gatshme të anëtarësohej në BE. Është tepër e dhimbshme që janë 13 vite pothuaj të humbura për drejtësinë e Kosovës, e do të duhen ndoshta edhe së paku 13 tjera për të rikuperuar efektet sabotuese të EULEX-it.

Dhe nëse BE nuk ndërron qasje, pra vazhdon ta mbajë Kosovën si vendin e vetëm në Evropë të bllokuar, izoluar dhe pa perspektivë evropiane, atëherë Kosovës s’i mbetet alternativë tjetër, përpos ndjekjes së rrugës së Koresë Jugore, Japonisë dhe Tajvanit për të ndërtuar raporte bilaterale dhe speciale me SHBA-të. Sa më shumë që vazhdon bllokimi dhe izolimi i Kosovës nga BE, aq më i mundshëm dhe i nevojshëm shihet orientimi i Kosovës kah projekti amerikan. Dhe këtu nuk do të kihet më asnjë mëdyshje. (Fund)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera