Opinione

Misioni që zhgënjeu (3)

Autori: Gazeta inFokus 09:37 | 16 July 2021

Shkruan: Agron HOTI
Nuk do mend që EULEX-i e kishte më se të qartë se kush ishte boshti i atdhetarisë dhe patriotizmit në Kosovë. Kjo edhe për faktin se i kishte trashëguar të dhënat dhe projeksionet e UNMIK-u në këtë drejtim, e UNMIK-u i kishte të përgatitura nga Serbia, prandaj dhe po përndiqte e gjykonte politikisht vetëm krerët e UÇK-së, kinse nën maskën e korrupsionit, gjersa në vetëvete të këtij misioni po vlonte e gurgullonte korrupsioni, aferat e të cilit po dilnin në shesh nga vetë ky mision.

Kishte asi banalitete brenda EULEX-it, saqë nganjëherë u kërkohej institucioneve të Kosovës të hetonin EULEX-in për afera korruptive. Deri këtu pati degraduar misioni më i madh i BE-së për sundim të ligjit, që prej themelimit të saj. Pra, në vend që EULEX-i të ishte ai që duhej të ishte shembull dhe të ngriste kapacitetet institucionale të Kosovës, po ndodhte e kundërta, ishin institucionet e Kosovës ato, të cilave me kërkesë publike të vetë EULEX-it po u kërkohej ta hetonin EULEX-in, ç’paradoks ky që po ndodhte para syve të qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk po kuptonin më se kush çfarë po bënte, apo siç thotë një fjalë popullore “as qeni të zotin s’po e njihte”.

Pra, BE në raporte të saj po i quante institucionet e Kosovës (dhe rajonit) “të kapura”, ndërsa nga po këto institucione të kapura po kërkonte ndihmë, pra në njërën anë i quajnë shtete të kapura, kurse Vuçiçin e bëjnë afërsisht si pishtar të demokracisë në Serbi, gjersa Vuçiçi si shpërblim e poshtëron BE-në duke lartësuar ndihmat anti-covid të Kinës dhe Rusisë e duke minimizuar ndihmën e BE-së, pastaj po ky Vuçiç në bashkëpunim me Rusinë investon për ta destabilizuar Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjen, Kosovën e Shqipërinë.

-Advertisement-

E absurdet e absurdeve shpërfaqeshin kur Kosova kritikohej për dështim të sistemit të saj të drejtësisë, ndërkohë që pjesa kryesore (rastet korruptive, dyshimet për krime të rënda dhe lufte) po drejtoheshin nga EULEX-i, të trashëguara nga UNMIK-u, dhe kur as edhe një kritikë apo vetëkritikë e vetme s’po thuhej nga BE. Po kritikohej Kosova që më së paku kishte kompetenca në këtë drejtim, e asnjë fjalë apo kritikë s’po drejtohej ndaj EULEX-it. Bile edhe bashkëpunimin me Serbi në fushën e drejtësisë e kishte nën përgjegjësi EULEX-i, gjë që fliste shumë për koketimet me Serbinë në dëm të UÇK-së.

Sigurisht që kishte korrupsion mes zyrtarëve tanë vendorë, kjo punë as që është për t’u vënë në diskutim, as atëherë e as sot, por a nuk ishte EULEX-i ai që ishte ftuar nga vetë Kosova ta luftonte pikërisht këtë korrupsion? Kush e kishte menduar në vitin 2008 që EULEX-i deri në vitin 2021 do të zhytej aq thellë në korrupsion, saqë kjo t’i humbiste dhe reputacionin e BE-së në Kosovë e gjetiu? A është korrupsioni brenda këtij misioni me të cilin u duhet të krenohet EULEX-i dhe rrjedhimisht BE? Kush e ndalte këtë mision të luftonte korrupsionin në Kosovë, kur kishte imunitet, kishte polici, gjyqtarë e prokurorë, kur kishte KFOR-in që do të mund t’i ndihmonte për ta arrestuar këdo? Pse Kosova me vetëm 13 vite shtet u dashka të paguajë tagrin e dështimit të EULEX-it dhe UNMIK-ut? Përkundrazi, Kosova ua ka hapur dyert të gjithëve dhe ka bashkëpunuar me të gjithë pa asnjë rezervë. A pak ka paguar Kosova a? Duhet kujtuar EULEX-it, se në kohën përfaqësuesit e tij ishin rritur, shkolluar dhe po bënin karrierë nëpër vendet e tyre të BE-së, Kosova po përjetonte terrorin sistematik serb.

Për të fshehur të palarat e tij, misioni i EULEX-it ishte ai që po zhagiste dhe sabotonte çfarëdo tentative që nga viti 2017 (por edhe më herët) për të projektuar Rishikimin Funksional të Sundimit të Ligjit (reformën në drejtësi të ngjashme me atë në Shqipëri). Disa nga ata njerëz që po pengonin fillimin e kësaj reforme sot janë pjesë e Gjykatës Speciale duke marrë para të majme atje në përndjekje të krerëve të UÇK-së. Siç duket përpjekjet e tyre na paskëshin qenë vetëm për themelim të Gjykatës Speciale, e jo për luftim të korrupsionit në Kosovë. Logjika s’flet ndryshe.

Kush i ndalte ata gjyqtarë sa ishin në Kosovë të luftonin korrupsionin, gjersa për krime të pretenduara të luftës po hetonin edhe ‘peshqit’ më të mëdhenj dhe kurrfarë destabilizimi politik s’po ndodhte? Dhe nëse qytetarët e Kosovës nuk po rebeloheshin për ndjekjen dhe përndjekjen që EULEX-i po iu bënte strukturave të UÇK-së për gjoja krime lufte, a nuk ishte ky argument i mjaftueshëm për EULEX-in që të luftonte korrupsionin në shkallë të gjerë pa u përballur me protesta e destabilizim situate? Nëse ky mision kishte ardhur për të luftuar korrupsionin, pse nuk vepronte, kur kishte dhe NATO-n në Kosovë për të arrestuar këdo, secilin ‘peshk’, sado i madh të ishte?

Pra, nuk qëndronte fare argumenti se ndjekja dhe përndjekja për korrupsion e ‘peshqëve’ të mëdhenj të UÇK-së do ta destabilizonte Kosovën, kjo për faktin se akuzat për krime lufte ndaj strukturave të UÇK-së ishin shkas shumë i madh për destabilizim vendi sesa lufta ndaj korrupsionit, por askush nuk lëvizi, askush nuk doli në rrugë. Pra, EULEX-i e kishte të hapur rrugën për luftimin e korrupsionit, por nuk ishte aty qëllimi. Qëllimi ishte kompremetimi, diskreditimi dhe ndërtimi i një narracioni pëmbysës për tërë strukturën e UÇK-së për ta përgatitur terrenin për eliminimin politik të tyre përmes Gjykatës Speciale, ky ishte pra misioni.

Arsyeja pse ndodhte ky sabotim ndaj reformës në drejtësi, kishte dhe ka të bëjë faktin se kjo reformë potencialisht do të mund të nxirrte të gjitha të palarat e EULEX-it e qe besa edhe UNMIK-ut. E po të nxirreshin të palarat e EULEX-it ndoshta nuk do të vazhdohej më mandati i këtij misioni dhe do të dëmtohej rëndë reputacioni i BE-së edhe ashtu i dëmtuar për shkak të izolimit të Kosovës. E po të mos vazhdohej mandati i misionit, ndoshta do të dështonte edhe inxhinieringu i madh ndërkombëtar për funksionalizimin e Gjykatës Speciale si synim parësor për të shuar çdo shpirt atdhetar në Kosovë, për ta barazuar viktimën kosovare me agresorin serb, për ta djegur kartën e GJND-së për Kosovën, për ta dobësuar Kosovën në bisedime me Serbi, sepse Serbia tash mund ta thotë se ja tash po hetohet UÇK për krime lufte, e duke pasur një Gjykatë të tillë Serbia djeg çfarëdo karte për kompenzime të dëmeve të luftës, i lehtësohet pozicioni ndërkombëtar sepse shitet se nuk ka qenë e vetme që ka bërë krime lufte, me një fjalë përfitimet e Serbisë nga Gjykata Speciale janë të jashtëzakonshme, gjersa projekti i Kosovës është goditur gati për vdekje.

Për më tepër, reforma në drejtësi po sabotohej nga EULEX-i edhe për faktin se po mbështetej fuqishëm nga amerikanët sikurse në Shqipëri, edhe kryesisht, nëse jo ekskluzivisht, që krerët e UÇK-së mos të ia dilnin të merrnin asnjë kredit publik reformator, në mënyrë që të vazhdonte narracioni për diskreditimin dhe kompremetimin ekstrem të tyre edhe përmes forcave politike vendore, të cilave BE po u mbyllte njërin sy për të vazhduar me mohimin, kontaminimin dhe polarizimin ekstrem të shoqërisë duke pasur për tabelë qitëse vetëm krerët e UÇK-së.

Pyetja që sot i intereson qytetarit të Kosovës dhe atyre të BE-së është: ç’bëri EULEX-i në Kosovë 2008-2021? U përpoq apo jo për ndërtimin e një sistemi adekuat të drejtësisë? A thua vallë EULEX-i ishte vetëm vazhdimësi e UNMIK-ut, për t’u transformuar në Gjykatë Speciale,me të vetmin qëllim pra të sabotimit të ndërtimit të një sistemi adekuat drejtësieduke penguar kështu çfarëdo reforme të mundshme, përkundrazi duke e paraqitur atë sa më të dështuar, duke i hapur kështu rrugë themelimit të Gjykatës Speciale jashtë Kosove, një projekt ky sa kundër shtetit të Kosovës aq edhe kundër investimit marramendës të SHBA-së ndaj projektit ndërkombëtar të Kosovës.

Cilat ishin efektet në Kosovë gjatë prezencës së EULEX-it 2008-2021:

– dështim drejtësie në raste të korrupsionit, aty ku Kosova kishte më së shumti nevojë dhe kjo veç sa stimulonte korrupsionin;
– ndërtimi i një narracioni tejet përmbysës, kompremetues e diskreditues ndaj lavdisë së UÇK-së dhe krerëve të saj sa sot një pjesë e qytetarëve të Kosovës e barazon strukturën e UÇK-në me njerëzit më të këqinj të udhëheqësisë komuniste të Kosovës gjatë sistemit jugosllav;
– mbyllja e njërit sy nëse jo nxitja ndaj politikave vendore që po tentonin të shembnin dhe mohonin çdo të arritur në Kosovë dhe kjo po ndodhte për qëllime të pastra politike tërësisht në dëm të së ardhmes së Kosovës;
– animi kah forca politike që po rrisnin shkallën e antiamerikanizmit në Kosovë, ku për pasojë shumë njerëz sot shpëtimin dhe të ardhmen e Kosovës e shohin në lindje e jo perëndim;
– izolimi i Kosovës si i vetmi shtet në Evropë pa liberalizim të vizave duke thënë se s’ishin plotësuar kushtet, derisa u shpërfaq ajo që dihej por s’thuhej se Kosova duhet të t’i bëjë konçesione tjera Serbisë për të ardhur në diskutim liberalizimi i vizave;
– sa i përket liberalizimit të vizave BE është në kontradiktë me vetëveten, sepse Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian konfirmojnë plotësimin e kritereve për heqje vizash, ndërkohë që shtetet anëtare duke pasur probleme me të djathën ekstreme të financuar nga Rusia dhe duke pasur probleme të mëdha politike mes vete e kanë pasur më të lehtë ta bëjnë tabelë qitëse Kosovën;
– mosnjohja e Kosovës nga 5-shtetet anëtare të BE-së, bllokimi i Kosovës në rrugën e saj për Integrim Evropian; dhe
– një narracion ndërkombëtar aq i keq për Kosovën, sa thua ti që s’ishte Serbia por Kosova ajo që kishte nisur luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Kosovë, se ishte Kosova ajo që po luante destabilizatorin rus në Ballkan e jo Serbia, etj.
– ulja në nivelet më të ulëta të besimit të qytetarëve të Kosovës në BE.

Pra, sipas logjikës së BE-së, asaj pjese të BE-së që pothuaj hapur është proserbe e proruse, i bie që Serbia paska bërë mirë që paska terrorizuar sllovenët, kroatët, boshnjakët e shqiptarët, kurse të gjithë këta paskan bërë gabim për luftërat e tyre çlirimtare kundër Serbisë. Vetë fakti që Serbisë gjenocidale i hapen pothuaj të gjitha dyert në BE, kurse Kosovës së gjenociduar nga Serbia i mbyllen pothuaj të gjitha dyert e konfirmon logjikën e animit të BE-së kah agresori e jo viktima. Kjo logjikë absurde po vazhdon edhe sot për fat të keq me Vuçiçin në krye të kresë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera