Opinione

Misioni që zhgënjeu (2)

Autori: Gazeta inFokus 10:46 | 15 July 2021

Shkruan: Agron HOTI
Duke e parë vetë-rrënimin e vazhdueshëm të EULEX-it, dyshimet e qytetarëve të Kosovës ndaj sinqeritetit të këtij misioni po rriteshin kur edhe top zyrtarë të këtij misioni po zhvendoseshin në Beograd për të punuar për prokurorinë dhe shtetin serb, shtetin që ka terrorizuar miliona shqiptarë në 100 vitet e fundit. Dhe qytetarët e Kosovës më të drejtë hamendeshin se “nëse EULEX-i na qenka fytyra e BE-së, atëherë ç’na duhet BE?” Teatrot politike të arrestimeve spektakulare të krerëve të UÇK-së kinse për të vënë drejtësi po shpërfaqeshin më së miri vetëm në rastet kur kërkohej vazhdimi i mandatit të këtij misioni.

Nëse EULEX-i kishte ardhur për ta luftuar korrupsionin, tanimë kishte ndryshuar tërësisht kurs. Ai po ndiqte krerët e UÇK-së me të gjitha format dhe mënyrat e mundshme. Kishin harruar si duket këta zotërinjtë dhe zonjat e EULEX-it se vetëm atdhetarizmi i pashoq i UÇK-së ia kishte dalë të ngjallte shpresën e shpëtimit në kohën kur popullit shqiptar të Kosovës aq shumë i ishte futur frika e tmerri në palcë nga terrori i Drazhës, Rankoviqit, Titos e Millosheviqit, saqë njerëzia shpresën tanimë e shihnin vetëm te UÇK, përndryshe një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve qysh moti e kishin humbur pothuaj tërësisht shpresën se do të përjetonin ndonjëherë çlirimin nga Serbia.

Kishte harruar si duket EULEX-i se terrori serb ndaj shqiptarëve ishte bërë përditshmëri dhe se këtë terror po e merrnim si të ‘mirëqenë’, thua ti se shqiptarët u dashka të terrorizoheshin deri në shfarosje totale siç saktësisht projektonte Serbia dhe s’bëzante Evropa. Kishin harruar si duket EULEX-i se në çfarë rrethana poshtërimi e pushtimi kombëtar mbi 2000 vjeçar kishin jetuar qytetarët e Kosovës dhe tërë populli shqiptar dhe se kjo, në rastin e Kosovës, ishte ndërprerë vetëm kur djemtë dhe vajzat më të mira të kombit shqiptar qenë rreshtuan krah UÇK-së duke shporrur pushtuesin serb nga tokat shqiptare, saktësisht siç kishin bërë të gjithë popujt e Evropës ndaj pushtuesve të tyre.

-Advertisement-

Pra, luftën nuk e kishte zbuluar UÇK, përkundrazi shqiptarët paraprakisht po i jepnin shansin paqes, pra po provonin të çliroheshin nga Serbia me paqe. Por, çlirimi me paqe nuk ishte vlerë evropiane ndaj edhe nuk funksionoi, ndaj shqiptarët u detyruan që të hynin në luftë jo pse deshën por se u kishte ardhur thika në fyt. Por, edhe këtu kishte një dallim të madh në vlera, sepse shqiptarët po bënin luftë vetëmbrojtëse çlirimtare, për dallim prej luftërave pushtuese si antivlerë evropiane që kishin bërë evropianët.

Kishte harruar EULEX-i se Evropa nuk e kishte as edhe një shtet të vetëm në gjirin e saj, të ishte çliruar pa luftë. Kishte harruar EULEX-i, që shqiptarët gjatë pushtimit jugosllav megjithatë s’kishin vdekur të gjithë, sepse kishte një UÇK që përbënte vazhdimësi e vijës atdhetare shqiptare që prej ilirëve, e cila po sfidonte seriozisht pushtuesin serb me aq sa dinte, mundte dhe lejonin rrethanat e kohës. E pikërisht pse kishte një vazhdimësi patriotike shqiptare, edhe pse të vogël në numër për shkak të terrorit serb, por të madhe në këmbëngulje, shqiptarët përbënin numrin më të madh të të burgosurve politikë në ish-Jugosllavi. E në burgje ishte pikërisht ajo vijë atdhetare shqiptare nga e cila rrodhi UÇK, e cila kurrë s’i ndali përpjekjet për liri dhe pavarësi. Si duket, EULEX-i ose i kishte harruar këto gjëra ose nuk donte t’i dinte. Ose i dinte, por donte ta shuante me çdo kusht elementin atdhetar dhe patriotik shqiptar. Fundja, po të mos ishte UÇK, lëre që as Kosova s’do të çlirohej, por rrjedhimisht as EULEX-it s’do t’i jepej shansi të vinte në Kosovë.

Për fat të keq, disa shqipfolës kryesisht jugonostalgjikë, dje dhe sot në Kosovë, që ishintë afërt me pushtetin jugosllav, e quanin këtë vijë atdhetare shqiptare si rurale, të pashkolluar dhe maloke, duke harruar që:

– Hasan Prishtina ishte intelektuali më i rrallë i kohës;
– Adem Demaçi e Ukshin Hoti vetëm pse ishin intelektualë patriotë po terrorizoheshin në burgje e jo si analfabetë ruralë;
– demonstratat e vitit 1981gjenezën e kishin mu nga brendia e Universitetit të Prishtinës dhe përfundimisht duke harruar se UÇK lindi në zemër të Universitetit të Prishtinës nga shtresa më e dijshme për kohën që kishte populli shqiptar in ish-Jugosllavi;
– lëvizjet për çlirim nuk ka asnjë mundësi të bëhen nga shtresa të pashkolluara, por nga njerëz mendjendritur, vizionarë dhe para se gjithash atdhetarë, duke harruar që luftërave çlirimtare të ilirëve kundër romakëve u kishte prirë elita e kohës;
– Skënderbeu kishte qenë elita e ushtrisë osmane por që i kishte kthyer shpatën kësaj ushtrie pushtuese pra rast ky i rrallë në historinë botërore;
– rilindasit kishin qenë elita e popullit shqiptar; dhe
– përfundimisht UÇK ishte elita patriotike e popullit shqiptar e lindur mu në Universitetin e Prishtinës.

Dhe pikërisht pse struktura e UÇK-së ishin të dijshëm, të guximshëm dhe kombëtarisht në nivel maksimal, Serbia po i përndiqte, terrorizonte dhe vriste kudo. Po të kishte qenë kjo vijë (atdhetare shqiptare) e padëmshme, e padijshme, rurale e maloke, siç dikush (jugonostalgjik në zemër) në Kosovë mundohet t’i paraqesë, pse atëherë Serbia t’i përndiqte me tërë arsenalin policor e ushtarak që kishte? Pse Serbia t’i mbushte burgjet me njerëz të padijshëm?! Parimisht të padijshmëve, ruralëve e malokëve askush s’ua var veshin. Por, e vërteta është se ndjekja e përndjekja nga çdo pushtues bëhet vetëm ndaj atyre qëkanë guxim, dije dhe vizion për t’u mobilizuar për ta çliruar kombin dhe për t’i hapur rrugë së ardhmes.

Nëse komunistët e ‘mençur’ shqiptarë na paskan qenë ‘më të rrezikshmit’ për Serbinë, pse atëherë Serbia s’i përndiqte, torturonte e vriste ata, por vetëm ‘të padijshmit, ruralët dhe malokët’e UÇK-së aspak të ‘rrezikshëm’? A po mos ndoshta Serbia ishte aq injorante sa s’dinte të bënte dallimin mes të rrezikshmëve dhe parrezikshmëve, mes të dijshmëve dhe padijshmëve, mes ruralëve dhe urbanëve, mes të shkolluarve dhe të pashkolluarve, dhe nga kjo padituri gabimisht po përndiqte e vriste ‘ruralët, të padijshmit e malokët’ e UÇK-së të shkolluar mu në Universitetin e Prishtinës dhe jo vetëm? “Ku dhemb dhëmbi shkon gjuha” thuhet një fjalë popullore dhe Serbia vepronte pikërisht aty ku i dhimbte më së shumti. Jo rastësisht Serbia atëherë dhe sot akuzon vetëm strukturën e UÇK-së, e lufton dhe demonizon atë. Prandaj, Serbia e ndihmuar nga Rusia kishte sponsorizuar ngritjen e Gjykatës Speciale, si projektin më goditës ndaj pavarësisë së Kosovës. E Gjykata Speciale nuk u themelua kundër vijës komuniste shqiptare të ish-Jugosllavisë, por pikërisht kundër UÇK-së që e para e nisi dhe përfundimisht e shkatërroi Jugosllavinë.

A thua Serbia nga padija apo dija po përndiqte e vriste ata djem e vajza që kishin qenë në gjendje të themelonin dhe drejtonin UÇK-në në zemër të Universitetit të Prishtinës, të ndihmuar nga top atdhetarë shqiptarë të shkolluar edhe nëpër universitete ndërkombëtare? A thua Serbia nga padija apo dija po përndiqte UÇK-në e‘padijshme, rurale e maloke’ që arriti të bënte tërë NATO-n e perëndimin për vete si gjatë çlirimit ashtu edhe gjatë pavarësimit dhe shtetkonsolidimit të Kosovës?

Fundja, kush kishte shkelur më së shumti kancelaritë perëndimore dhe kush kishte takuar më shumti krerë të lartë botërorë sesa krerët e UÇK-së edhe atë për një kohë rekord shkaku i dinamikave dhe rrethanave që po e kërkonin një gjë të tillë? A thua ishte aq injorant Perëndimi sa të bashkëpunonte ngushtë me ‘strukturën e padijshme, të pashkolluara, rurale e maloke’ të UÇK-së siç një pjesë në Kosovë edhe sot preferon t’i quajë, pastaj me të njëjtit të punonte në demilitarizimin e UÇK-së, pavarësimin e Kosovës dhe shtetkonsolidimin e saj? Njerëzit që janë të gatshëm ta japin edhe jetën për çlirimin e popullit të tyre, përbëjnë ajkën e qytetërimit kombëtar e njerëzor dhe pikërisht pse janë të tillë ndiqen e përndiqen me çdo mjet e formë nga çdo pushtues.

Dhe nëse dikush tenton ta minimizojë rolin e UÇK-së duke thënë se ishte NATO ajo që kishte çliruar Kosovën e jo UÇK, atëherë ai apo ajo e harron qëllimisht faktin se po të mos ishte SHBA me aleatë për ta çliruar Francën, Holandën, Belgjikën, etj, nga pushtimi nazist, shumica e Evropës Perëndimore dhe pse jo Rusia sot do të flisnin gjermanisht. Pastaj, nuk duhet harruar që po të mos ishte intervenimi amerikan në Japoni, sot shtete si Koreja Jugore e Veriore, Kina dhe tërë Azia Juglindore do të flisnin japonisht shkaku i pushtimit japonez.

Prandaj, kurrë nuk duhet harruar dhe anashkaluar faktet se kanë qenë gjithmonë perandoritë, mbretëritë dhe superfuqitë ato që kanë ndihmuar popujt më të vegjël në çlirimin dhe pavarësimin e tyre. Saktësisht kështu kishte ndodhur edhe me Kosovën, e cila me luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së mori mbështetjen e fuqishme të perëndimit të kryesuar nga SHBA.

Dhe pikërisht pse kjo luftë e pastër dhe e drejtë kishte arritur sukses të plotë ndërkombëtar, po sulmohej dhe sulmohet edhe sot me të gjitha mjetet dhe format e mundshme nga Serbia e Rusia me aleatë të tyre. Serbia nuk po e lufton p.sh. Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, as Galerinë e Arteve, as ish strukturën komuniste shqiptare, as partitë tjera në Kosovë, as qytetarët e rëndomtë, por vetëm atë vijën atdhetare shqiptare që ka vazhduar e pandërprerë që prej ilirëve e deri te UÇK, sepse ishte pikërisht ajo vijë atdhetare që kurrë s’u ndal pavarësisht çmimit të lartë që paguante deri edhe me jetë, vetëm e vetëm për t’u çliruar e pavarësuar. E EULEX-i me sabotimin që po i bënte drejtësisë së Kosovës, po çonte ujë kah eliminimi politik i kësaj vije atdhetare me në krye UÇK-në. E këtë, e thonë plot njerëz të skenës politike ndërkombëtare brenda dhe jashtë Evropës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera