Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!” në Prishtinë mes dy dimensioneve të jashtëzakonshme

Autori: Gazeta inFokus 11:26 | 15 October 2021

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, nga Beogradi, ku shoqërohej me trazira e thirrje nacionaliste serbe kundër shqiptarëve, këtë herë udhëtoj për në Prishtinë, me po të njëjtin qëllim që bart në vete tash e tetë vite, bashkimin e njerëzve përmes artit dhe kulturës.

Objekti i Kino Armatës për dy orë u bë nikoqiri i “Mirëdita, dobar dan!” dhe solli para publikut një realitet më ndryshe, për një të kaluar që duhet të kuptohet drejtë. Hapja këtij festivali u bë nëpërmjet performacës së Drag Queens nga Beogradi, Loakiin dhe Sunnoka, si dhe DJ Jovijah, të cilët për herë të parë u gjendën përballë publikut kosovar.

Performancën e tyre të jashtëzakonshme publiku s’kishte se si ta priste ndryshe, përpos me duartoriktje e brohorima të panumërta. Një reagim i tillë nga ana e publikut, për përformancën e parë të tyre në Prishtinë, pikërisht në “Mirëdita, dobar dan”, Sunnoka e konsideroj “të jashtëzakonshëm”.

-Advertisement-

“Ishte e jashtëzakonshme, isha pak e frikësuar sepse çdo herë frikësohem kur shkoj në një vend të ri për të perfomruar, por ishte e jashtëzakonshme, më pëlqeu publiku, vendi dhe çdo gjë tjetër. Më pëlqeu që në performancën time të parë e bëra në “Mirëdita, dobar dan!’”, tha Sunnoka.

Por, ndryshe nga herët tjera, këtë vit “Mirëdita, dobar dan!” u organizua në siç tha organizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi, në “rrethana të jashtëzakonshme pandemike e një ambienti tejet toksik politik”.

Tutje, Koliqi ka shtuar se është pikërisht ky festival një nga të paktat iniciativa bashkëpunuese ndërmjet dyja vendeve që i ka qëndruar kohës.

“Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ është një nga iniciativat e pakta bashkëpunuese në nivelin e dy shoqërive të Kosovës dhe Serbisë, që i ka qëndruar kohës dhe çdo vit po vazhdon të ofroj mundësi për njohje e bashkëpunim ndërmjet dy shoqërive, përmes prezantimit të formave e prodhimeve të ndryshme, kulturore dhe artistike”, shtoi ai.

Por, Koliqi nuk ishte i vetmi që mbrëmjen e së enjtes theksoi barrierat politike e shoqërore, të cilat në një formë apo tjetër ndikojnë, por dhe shfaqen në “Mirëdita, dobar dan!”.

Ivan Duriq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriu, theksoi se është pikërisht “Mirëdita, dobar dan!” hapësira ku shqiptarët dhe serbët mund të zgjidhin problemet mes vete, por jo në mënyrën se si bëjnë politikanët.

“Ne nuk ëndërrojmë që do të vijë një e ardhme, momentin kur shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për gjithçka, mirëpo ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të komunikonin me njëri tjetrin dhe do të gjenin një zgjidhje për këto probleme. Por, jo të bisedojmë sikurse po bisedojnë sot Vuçiqi me Kurtin duke e nënçmuar njëri tjetrin apo ngjashëm, por që të bisedojmë vërtetë edhe të gjinden rrugë të përbashkëta dhe zgjidhje të përbashkëta”, tha Duriq.

Hapësirat e objektit të Kino Armatës u bënë nikoqiri i historive personale, intime, të dhimbshme, por edhe mbijetese. Mbrëmja e së entjes ishte premiera e parë në Kosovë për dokumentarin e Danijella Shtajnfelldit “Më shëro” (Zaceli me).

“Më shëro” rrëfen dhunën seksuale përmes rrëfimeve personale të të mbijetuarve, por dhe kryerësve të asaj dhune. Përmes këtij dokumentari ritregohet e ridëshmohet dhe një herë se dhuna seksuale ndodhë ndaj çdo kujt, pavarësisht moshës, gjinisë, profesionit apo pozitës që ka. E në të njëjtën kohë “Më shëro” vë në pah paragjykimeve të tjerëve që mbyllin në vetvete secilës viktimë, pasojat e së cilës rëndojnë vetëm mbi ta.

Por, kulminantja e këtij dokumentari, pika nga ku nuk mund të mos qash, është fakti se vetë regjisorja e këtij dokumentari Danijela Štajnfeld, dikur si një aktore e re ishte viktimë e sot një e mbijetuar e dhunës seksuale. “Më shëro” është vula përmes së cilës ajo gjenë forcën e bashkëndjen me viktimat. Dokumentari i Štajnfeld ngëthen në vete pikëpyetjen më të madhe “a është i mundur shërimi?”.

“Mirëdita, dobar dan!” mund të ndryshojë hapësirat se ku organizohet nga viti në vit, artistët e veprat të cilat shfaqen, por ajo se çka mbetet e pandryshueshme është frymëzimi i këtij festivali, aktori i mirënjohur e ikonik kosovar, shqiptar e jugosllav, Bekim Fehmiu.

Një ikonë e frymëzim i tillë s’kishte se si të mos përmendej edhe në këtë edicion të “Mirëdita, dobar dan!”. Madje vetë organizatori, Koliqi, gjatë hapjes së këtij festivali tha se Bekim Fehmiu është “simboli i ndarjes, por dhe mirëkuptimit në të njejtën kohë, duke dhënë kështu shpresë për mudësinë e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve të dy hapësirave kulturore.”

“Mirëdita, dobar dan!” do të vazhdoj edhe gjatë ditës së sotme ku do të bëhet promovimi i promovimin e librit “Sërbia tjetër” me autor Shkëlzen Gashin, si dhe do të organizohet debati me po të njëjtën temë. Kurse, në mbrëmje do të mbahet koncerti “Pavana and more”, me pianistet Branka Parlić dhe Nataša.

Kurse në ditën e fundit do të promovohet libi “Vrasja e Kulturës”, me autorët Viktor Ivançiq, Hrvoje Polan dhe Nemanja Stjepanoviq, për të vazhduar më pas me debatin “Kultura si mjet”. Mbyllja e këtij festivali do të shoqërohet edhe me ekspozitën fotografike “Vrasja e Kulturës” të fotografit Hrvoje Polan dhe shfaqjen e filmit “Ngarkesa” nga Ognjen Glavoniç.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera