Lajme

Ministrja Gërvalla reagon pas aksidentit tragjik në Bullgari

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 23 November 2021

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar pas vdekjes së dhjetëra qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në aksidentin tragjik me autobus në Bullgari.

Gërvalla ka shprehur ngushëllime dhe u ka ofruar mbështetje institucioneve të Maqedonisë së Veriut.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e dhjetëra qytetarëve nga Maqedonia e Veriut në aksidentin tragjik në Bullgari. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe lutem që të lënduarit të shërohen sa më parë. Kosova do të jetë pranë qytetarëve dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut në këtë moment të kobshëm”, ka shkruar Gërvalla.

-Advertisement-

Autobusi që u aksidentua në orët e hershme të mëngjesit në Bullgari, ku humbën jetën të paktën 46 persona, është i agjencisë “Besa Trans”, e cila organizon turne turistike dhe tregtare drejt Stambollit.

Sipas informacioneve të para me autobusin në fjalë udhëtonin kryesisht persona të moshës së re të cilët ktheheshin nga një ekskursion.

Mediat bullgare po raportojnë lidhur me dy versionet se si mund të ketë ardhur deri te aksidenti tragjik në Bullgari.

Ende nuk dihet nëse autobusi ka marrë flakë para aksidentit apo pas tij.

Sipas Dnevnik, dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur.

“Nuk dihet nëse automjeti ka marrë flakë pas aksidentit apo për shkak të tij. Dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim njerëzor i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur. Autoritetet nuk përmendën një lidhje me kushtet e rrugës si pjesë e versioneve nën hetim”, raporton Dnevnik.

Stanimir Stanev, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare, tha për BTV se në vendin e aksidentit nuk ka pasur autobus tjetër.

Sipas ministrit të Brendshëm në detyrë Bojko Rashkov, megjithatë, automjeti ishte i fundit në një kolonë të disa autobusëve që udhëtonin së bashku pas udhëtimit.

Sipas tij, ato janë organizuar së bashku nga i njëjti pronar.

Para BTV-së, Bogdan Milçev nga Instituti për Siguri Rrugore bëri thirrje për hetimin e gjendjes së rrugës (së bashku me gabimet njerëzore dhe mosfunksionimin teknik), sepse hetimi i vetëm dy hipotezave, siç njoftojnë autoritetet, është i pasaktë.

Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera