Fokus

Ministria e Zemajt tregon për inFokus pse licencoi vetëm laboratorin e vajzës së Blerim Devollit

Autori: Hateme Smajli 16:56 | 31 August 2020

Testimet PCR për COVID-19 të cilat i bënte vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me licencimin e laboratorëve privatë që u bë me 10 gusht, po i bën edhe laboratori “Medical & Laboratory Services SH.P.K” që është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit.

Është i vetmi ky laborator privat që u licencua nga MSH-ja për kryerjen e këtij lloj testi, shkruan gazeta inFokus.  

Këtë për inFokus e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë thënë se dy laboratorë janë deklaruar se mund të kryejnë testet PCR për COVID-19 dhe është licencuar vetëm laboratori i vajzës së Blerim Devollit, duke mos treguar kështu emrin e laboratorit tjetër.

-Advertisement-

Edhe pse Gazeta inFokus ka kërkuar që të dijë se cili është laboratori tjetër që është deklaruar për të kryer testet PCR për COVID-19, Msh-ja nuk ka dhënë detaje.

Arsyetimi i MSH-së për mos licencimin e laboratorit tjetër është që sipas Inspektoratit Shëndetësor nuk ka plotësuar kushtet për kryerjen e testeve PCR.

“Bordi për Licencim te Institucioneve Shëndetësore Private ka licencuar 118 laboratorë privatë. Dy prej tyre kane deklaruar se do të ofrojnë testime për PCR. Njeri ka filluar, ndërsa tjetri nuk ka qene i gatshëm, me qe kur është inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor nuk i ka pasur te gjitha pajisjet e deklaruara dhe as stafin e duhur profesional për t’i kryer këto lloj testimesh. Institucioni qe kryen testime me PCR sipas aplikacionit është: Laborator  Mjekësor  i Mikrobiologjisë Klinike & laborator Mjekësor Biokimik-Hematologjik “ Medical & Laboratory Services Sh.P.K “, me pronar Astrit (Gani) Haxhismajli”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për inFokus.

Gazeta inFokus mëson se laboratori tjetër që ka deklaruar se mund të kryejë këto testime dhe se nuk i është dhënë licenca është ai i UBT-së me pronar, Edmond Hajrizin.

Sipas MSh-së për të gjitha llojet e testimeve janë licencuar gjithsej 118 laboratorë dhe do të lincensohen të gjithë ata që plotësojnë kushtet.

“118 laboratorë janë licencuar dhe do te licencohet secili qe i plotëson kushtet. Nuk ka laboratorë te tjerë qe kane aplikuar për PCR dhe që janë refuzuar. Janë refuzuar disa laboratorë te tjerë për testime serologjike, një numër i vogël”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për inFokus.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera