Lajme

Ministria e Jashtme akuzohet për “uzurpim” dhe “mosplotësim të vendeve të punës”

Autori: Gazeta inFokus 18:55 | 21 November 2023

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm ka akuzuar Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD), që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, për “uzurpim të pozitave” dhe “mosplotësim të vendeve të punës”. Ata e akuzojnë MPJD-në se ka shkelur ligjin me këto veprime.

Përmes një komunikate, Sindikata ka ngritur shqetësimet në lidhje me sistemimin dhe mosplotësimin e vendeve të punës në pozita udhëheqëse në MPJD.

“Aktualisht në MPJD është një ‘zëvendësues i sekretarit të Përgjithshëm’ i cili jashtëligjshëm (pa konkurs, i ngritur në pozitë nga disa nivele më të ulëta dhe nga ish-Ministria e Diasporës, pa përvojë në bërjen e politikës së jashtme” emërohet drejtor i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike dhe përnjëherë me vendimin e ministres Gërvalla të datës 10.01.2022 caktohet zëvendësues i sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së. Nga data 10 janar 2022, pozita e ‘sekretarit të Përgjithshëm’ është ‘uzurpuar’ me ‘zëvendësues’ në kundërshtim me të gjitha normat dhe legjislacionin paraprak dhe atë aktual në fuqi të Republikës së Kosovës (Ligji nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, neni 35). Si rezultat, të gjitha vendimet e nxjerra nga ‘zëvendësuesi i sekretarit të Përgjithshëm’ pas datës 10 janar 2022 kanë pasoja juridike”, thuhet në reagimin e kësaj Sindikate.

-Advertisement-

Shoqata Sindikale pretendon se në shumë departamente të “rëndësisë së lartë për shtetin” nuk janë emëruar drejtor. E ata thonë se krejt përgjegjësit e këtyre departamenteve janë përcjellë te zëvendësuesi i sekretarit të Përgjithshëm.

“Metodat uzurpuese nuk ndalojnë vetëm me pozitën e sekretarit të Përgjithshëm pasi që për një periudhë pothuajse dyvjeçare në MPJD në Prishtinë, sipas Rregullores nr. 01/2022, janë 13 departamente kyçe, por gjashtë nga këto departamente nuk kanë drejtorë. Pa drejtor kanë qenë edhe departamente të fushave kryesore e të rëndësisë së lartë për vendim, si Departamenti për Evropë, BE dhe Rajon, Departamenti për Amerikën, Departamenti për NATO-n dhe Politika të Sigurisë, Departamenti për Diplomaci Publike, Protokolli i Shtetit, Departamenti për Çështje Ligjore dhe Traktate etj. Është edhe më shumë shqetësuese, por mbi të gjitha jashtë çdo norme ligjore, centralizimi i këtyre fushave kryesore dhe të rëndësisë së lartë për vendin te pozita e ‘zëvendësuesit të sekretarit të Përgjithshëm’ “, vijon reagimi i tyre.

Sipas Rregullores, Shoqata thotë se këto departamente kanë 31 divizione (njësi vartëse), prej të cilave, sipas tyre, nëntë divizione s’kanë udhëheqës, ndërsa “së fundmi janë emëruar tre ‘zëvendësues të udhëheqësve të divizionit’ pa konkurs, pra pa konkurrencë të hapur në krahasim me kolegët që janë më kompetentë e kanë më shumë përvojë pune”.

“Kjo nënkupton se rreth 40 për qind e divizioneve nuk kanë udhëheqës. Me aplikimin e metodave të tilla klandestine po ushtrohet edhe pabarazi në punë dhe në karrierë duke shkelur kështu parimet bazë të Kushtetutës së vendit. Këto të gjetura janë vetëm disa nga parregullsitë e hasura në MPJD”, thuhet në reagimin e Sindikatës, që paralajmëroi se në vijim do të njoftojnë opinionin “edhe për të gjetura të tjera veç e veç”.



Anëtarësohu në grupin e Infokus në Viber: GAZETA INFOKUS – VIBER – ANTARËSOHU

Dhe në grupin e Infokus në Facebook: GAZETA INFOKUS – FACEBOOK – ANTARËSOHU

Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera