Ekonomi

Ministria e Infrastrukturës për 5 vjet nuk arriti ta ndërtojë një rrugë më të shkurtër se 4 kilometra

Autori: Gazeta inFokus 23:35 | 30 August 2021

Për ndërtimin e një segmenti të rrugës Vojnik -Osojan, me gjatësi 3.6 km dhe me gjerësi 6 metra, që ishte paraparë të lidhte fshatrat e komunës së Skenderajt me ato të komunës së Istogut, punimet kanë nisur në fund të janarit të vitit 2016, por nuk kanë përfunduar ende, shkruan Gazeta Infokus.

Kjo rrugë, me planin dinamik ishte paraparë të kryhet për 155 ditë. Në këtë segment të rrugës punimet kishin vazhduar deri në qershor të vitit 2017 kur edhe ishin ndërprerë pa afat.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Gjatë inspektimit fizik të rrugës, auditorët kanë konstatuar se punimet ishin zhvilluar vetëm përgjatë 2.4 km të rrugës, (ishin kryer gërmimet e dheut dhe shtruar baza e rrugës me zhavorr), një pjesë e së cilës ishte mbuluar nga shembja e dheut. Në pjesën e mbetur të rrugës prej 1.2 km, MI-ja kishte kryer vetëm gërmimin e dheut.

Shkak që kjo rrugë të realizohet vetëm pjesërisht ishin problemet pronësore meqë kjo rrugë ishte rrugë tërësisht e re dhe ishte paraparë që e gjithë traseja të kalonte nëpër prona private, të cilat nuk ishin shpronësuar para nënshkrimit të kontratës.

Investimi i bërë në këto pesë vite në këtë rrugë s’kishte ndonjë vlerë për qytetarët e komunave përfituese meqë rruga nuk ishte kompletuar dhe asnjë pjesë e saj nuk ishte në dispozicion për përdorim.

Edhe pse kontrata ishte nënshkruar në vitin 2016 rruga nuk është as afër përfundimit të ndërtimit dhe qytetarët nuk mund ta shfrytëzojnë atë as pas pesë viteve nga fillimi i punimeve./Gazeta Infokus/

Të tjera