Lajme

Ministria e Financave u përgjigjet veteranëve: Paratë i merrni kur ta kryej punën Kuvendi

Autori: Gazeta inFokus 15:46 | 18 October 2017

Veteranët e UÇK’së po i kërkojnë me çdo kusht pensionet e tyre. Ata madje po thonë se këto para atyre duhet tu dalin ditën e premte, dy ditë para se të mbahen zgjedhjet. Kreu i veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se nuk u intereson shumë se ku i merr paratë qeveria. Por një ndërgjegje konkrete për ta e ka Qeveria e Kosovës. Në Ministrinë e Financave kanë thënë se paratë në llogaritë e veteranëve dalin veç kur ta përfundojë punën Kuvendi i Kosovës.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë do të presin edhe një kohë të gjatë që t’i marrin pensionet e tyre. As kërcënimet e fundit, se nëse nuk i marrin pensionet nuk dalin në zgjedhje nuk do t’u kryejnë punë.

Pensionet e tyre do të mund të dalin në llogari veç atëherë kur Kuvendi i Kosovës të mbajë seancë dhe ta miratojë rishikimin e buxhetit.

-Advertisement-

E ky institucion tani për tani as që ka paralajmëruar ndonjë mbledhje. Në Kuvend thonë se njoftimi për seancë bëhet publik në ueb faqe, dhe sipas tyre s’ka asnjë informatë se kur do të mbledhin deputetët.

Në Ministrinë e Financave kanë treguar për Gazetën Express se ata i kanë përfunduar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pensionet e veteranëve.

“Ministri Hamza edhe përkundër që e ka gjetur gjendjen shumë të keqe,pa mjete në fondin e veteranëve nga Qeveria e kaluar, ka bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme duke i gjetur mjetet dhe akomoduar gjithë   kërkesën për paga të veteranëve  në rishikim të buxhetit. Rishikimi i buxhetit i ka të gjitha mjetet për pagat e veteranëve. Rishikimi i buxhetit i propozuar nga Ministria e Financave është aprovuar nga  Qeverise dhe është dërguar në Kuvend”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Express.

Në këtë institucion po ashtu kanë bërë me dije se rishikimi i Buxhetit është diskutuar dhe është aprovuar edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe në momentin e aprovimit edhe nga Kuvendi, Ministria e Financave do t’i lëshojë pagat e veteranëve.

“Pra  është çështje  e varur  nga Kuvendi, ku edhe ne si Ministri jemi në pritje të vendimit të Kuvendit. Çdo gjë që është varur nga Ministria e Financave është përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme duke mos e lënë pa paga këtë kategori të çmuar të shoqërisë tonë dhe e tëra është finalizuar konform legjislacionit në fuqi”.

Kurse, kreu i veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë një deklarimi për Express ka thënë se para dy javësh është takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili është zotuar se paratë për veteranët, 26 milionët, janë ndarë.

“Nuk përzihem se ku i merr paratë Qeveria. Neve na intereson që Qeveria ta implementojë ligjin”, thotë kreu i organizatës së veteranëve të UÇK-së.

Megjithatë, sipas Gucatit, përkundër zotimit të kryeministrit se “ka kryer punën rreth pagesave të veteranëve”, obligimet ndaj kësaj kategorie të luftës nuk janë përmbushur, përderisa ata nuk kanë marrë çfarë u takon.

“Nuk e di se si po thuhet se kanë kryer obligimet, kur nuk janë qitë paret”, thotë Gucati.

Ai paralajmëron se së shpejti do të dalin me një paralajmërim në rast se nuk dalin pensionet, ndërsa, sipas tij, reagimet e tyre nuk kanë lidhje me fushatën dhe veteranëve nuk u intereson fushata, por t’i marrin pensionet.

Mirëpo, javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se e ka përfunduar punën me veteranët. Shefi i qeverisë ka treguar se tash me veteranët duhet të merret Kuvendi.

“Ne e kemi përfunduar pjesën tonë. Qeveria e ka përfunduar atë që është dashur ta bëjë, ka ndarë pjesën që është kërkuar, edhe për rehabilitim edhe për proteza, që kanë qenë në pritje. Paratë për veteranë janë ndarë. Ne pra i kemi kry punët, tash adresa është në Kuvend. Te Qeveria nuk ka çfarë të kërkojë asnjë veteran”, ka thënë Haradinaj.

E gjatë ditës së djeshme kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, njëherit deputet nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeveria po i shton listat fallco të veteranëve për qëllime zgjedhore, e paratë për këta veteranë do të merren nga fondet e sigurimeve shëndetësore.

“Buxhetit u janë hequr miliona euro nga fondet e parapara të sigurimeve shëndetësore për t’i mbuluar listat e fryra të veteranëve. Derisa spitalet na mbesin pa barna, pa penj e pa oksigjen, mafia e pushtetit i zgjeron listat fallco për qëllime zgjedhore.”

Abdixhiku më tej ka shtuar se derisa certifikatat e veteranëve lëshohen ende, me këtë ritëm shtetit do t’i duhet të paguajë 100 milionë euro vetëm për veteranë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera