Lajme

Ministria e Drejtësisë s’jep informacione kur Projektkodi Civil do të kalojë Qeveri e pastaj për votim në Parlament

Autori: Gazeta inFokus 15:24 | 24 December 2022

Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë asnjë datë se kur mund të riprocedohet në Qeveri e më pas në Kuvend Projektkodi Civil pasi herën e parë kishte dështuar të merrte votat e nevojshme në Parlament shkaku i kundërshtimeve të disa deputetëve për lejimin e martesave të gjinisë së njëjtë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, me 21 dhjetor 2022 i është drejtuar Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me kërkesën për informacione nëse këtë vit do të miratohet në Qeveri Projektkodi Civil dhe se nëse i njëjti do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Asnjë përgjigje nga Haxhiu dhe as nga Ministria e Drejtësisë nuk është dërguar deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.

-Advertisement-

Teksa kanë kaluar nëntë muaj e gjysmë nga dështimi i votimit të Projektkodit Civil nga ana e Kuvendit të Kosovës, mbetet e paqartë nëse ky ligj i rëndësishëm do të procedohet për miratim këtë vit në Qeverinë e Kosovës.

Mirëpo, edhe nëse miratohet në Qeverinë e Kosovës, i njëjti sivjet nuk do të shqyrtohet në lexim të parë dhe në lexim të dytë, për arsye se tashmë Kuvendi i Kosovës e ka mbyllur sesionin vjeshtor të punës. Deputetët ndodhen në pushim vjetor.

Shqyrtimi mund të ndodh vetëm përmes thirrjes së seancës së jashtëzakonshme duke i shmangur afatet procedurale të parapara me Rregulloren e Kuvendit.

Ministrja Haxhiu, pas dështimit të kalimit të Projekt-kodit kishte thënë se i njëjti do të riprocedohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Ajo këtë e ka bazuar në takimet që janë zhvilluar me grupin parlamentar, por duke mos siguruar që secili nga deputetët mundet të votojë për kalimin e këtij kodi.

Ndërkohë, më 28 tetor, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se shumë shpejt do ta procedojnë për votim në Kuvend, Projektkodin Civil.

Në seancën plenare të mbajtur me 16 mars 2022, 28 deputetë kishin votuar pro 29 kundër dhe 4 deputetë kanë abstenuar kur ishte votuar për Projektkodin Civil.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës të së mërkurës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Për mosmiratimin e Projekt-Kodit kishte reaguar Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog. Ai e pati cilësuar si zhgënjyese mosvotimin e Kodit Civil nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Pas hapave premtuese të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës me miratimin në lexim të parë të projektligjeve për financimin e partive politike dhe deklarimin e pasurisë, mosbërja e njëjtë me Kodin Civil është zhgënjyese. Legjislacioni i rëndësishëm nuk duhet të presë”, kishte shkruar ai në rrjetin social “Twitter”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në lidhje me këtë çështje kishte thënë se SHBA-ja është e zhgënjyer që ligji për Kodin Civil nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“SHBA dhe partnerët tanë kanë punuar me një numër të autoriteteve në Kosovë për të ndihmuar në përditësimin e Kodit Civil të Kosovës. Është ligj i nevojshëm sepse ky vend ka nevojë për një Kod Civil të shek. XXI, të cilin nuk e ka momentalisht. Kur doli për herë të parë në Kuvend ishim të zhgënjyer nga një pjesë e retorikës që e dëgjuam, veçanërisht lidhur me disa qytetarë të Kosovës që janë homoseksualë. Nuk menduam se ajo ishte gjuhë e përshtatshme për një Kuvend dhe do të shpresonim që gjuha në të ardhmen të jetë më e kujdesshme. Gjithashtu shpresojmë që Kodi Civil të miratohet. Do të ishte e rëndësishme për këtë vend dhe përparimin e tij”, kishte thënë Hovenier për ATV.

Miratimi në Qeveri i Projekt Kodit dhe ri-procedimi për në Kuvendin e Kosovës, mund të shqyrtohet dhe votohet me procedurë të rregullt në Kuvendin e Kosovës vetëm pas të hënës së tretë të muajit janar në vitin e ardhshëm./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera