Lajme

Ministria e Drejtësisë e përkushtuar për transparencë dhe fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 04 May 2017

Robert Muharremi, këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, para medieve ka paraqitur dhe shpjeguar Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore për Gjykatës dhe Prokurorë.

“Muharremi, në mënyrë të shkoqitur dhe përmbledhëse ka shqyrtuar ndryshimet e propozuara, rolin e Ministrisë së Drejtësisë duke e theksuar se Ministria fuqimisht përkrah dhe mbështet pavarësinë e gjyqësorit ashtu sikundër që promovon politika e legjislacion që rrisin llogaridhënien, transparencën dhe përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë në tërësinë e tij.

Në këtë kontekst, ai ka sqaruar rolin e Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit, si dhe procesin ligjor prej pranimit të ankesave për shkelje të mundshme disiplinore të gjyqtarëve e prokurorëve e deri te mjetet shqyrtuese juridike për shqyrtim të ankesave sipas sistemit të shkallshmërisë deri në Gjykatën Supreme.

-Advertisement-

Po ashtu, Muharremi ka sqaruar përmbajtjen e katalogut të shkeljeve disiplinore dhe masat disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, gjithnjë duke u bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media.

Në fund të këtyre shpjegimeve, u zhvillua debat si dhe u parashtruan shumë pyetje jo vetëm rreth Projektligjit për përgjegjësinë disiplinore për gjykatës dhe prokurorë por edhe për ligjet tjera dhe aktivitetin e Ministrisë së Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për informimin korrekt dhe me kohë të opinionit publik për zhvillimet në sektorin e drejtësisë.

Pikat e paraqitura shkurt me rastin Projektligji për përgjegjësinë disiplinore për gjykatës dhe prokurorë:

Pikat kryesore

  • Procedura disiplinore bazohet në modelin e Kroacisë. Ky model është dakorduar me BE dhe ShBA.
  • Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) janë përgjegjës për fillimin e hetimeve dhe shqiptimin e masave disiplinore për gjykatës dhe prokurorë.
  • Ankesat e qytetarëve ndaj gjykatësve dhe prokurorëve paraqiten te autoritetet kompetente, si vijon:
  1. kundër një gjykatësi te kryetari i gjykatës ku punon gjykatësi
  2. kundër një prokurori te kryeprokurori i prokurorisë ku punon prokurori
  3. kundër kryetarit të një gjykate te kryetari i gjykatës supreme
  4. kundër një kryeprokurori te kryeprokurori i shtetit
  5. kundër kryetarit të gjykatës supreme dhe kryeprokurorit të shtetit te KGJK/KPK
  • Autoriteti kompetent duhet ta shqyrtojë ankesën brenda 30 ditëve dhe e hedh poshtë nëse nuk është e bazuar, nuk ka të bëjë me shkelje disiplinore ose është e parashkruar. Nëse ankesa është e bazuar, autoriteti kompetent duhet ta paraqes në KGJK/KPK kërkesën për fillimin e hetimit.
  • Hetimin e gjykatësve dhe prokurorëve e bën një panel hetues i themeluar nga KGJK/KPK. Paneli përbëhet nga tre gjykatësve kur hetohet një gjykatës dhe tre prokurorëve kur hetohet një prokuror. Paneli hetues mbledh provat dhe ia dorëzon KGJK/KPK një raport mbi bazën e të cilit KGJK/KPK shqipton masën disiplinore. Kundër vendimit të KGJK/KPK lejohet ankesa para Gjykatës Supreme si instancë e fundit.
  • Ministria e Drejtësisë dhe Avokati i Popullit nuk kanë të drejtë të hetojnë gjykatës/prokurorë, as të shqiptojnë ndonjë masë disiplinore ndaj një gjykatësi/prokurori e as të hedhin poshtë vendimet e KGJK/KPK.
  • Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Avokati i Popullit (AP) kanë kompetencat si në vijim:
  1. Në rast se një kryetar gjykate/kryeprokuror në kundërshtim me ligjin nuk e shqyrton ankesën e një qytetari MD/AP ka të drejtë të kërkojë nga KGJK/KPK fillimin e hetimeve kundër tij për shkelje disiplinore.
  2. Në rast se kryetari i gjykatës/kryeprokurori në kundërshtim me ligjin e hedh poshtë ankesën e qytetarit MD/AP ka të drejtë të kërkojë nga KGJK/KPK fillimin e hetimeve për rastin i cili është hedhur poshtë.
  3. Në rast se KGJK/KPK nuk merr vendim për masën disiplinore brenda afatit ligjor MD/AP ka të drejtë të kërkojë mbrojtjen e ligjshmërisë para Gjykatës Supreme./Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera