Fokus

Ministria e Brendshme e Kosovës e mban sekret numrin e azilkërkuesve

Autori: Samire Jaha 13:04 | 28 August 2021

Kosova është në pritje të një kontingjenti refugjatësh nga Afganistani. Hapja e derës për ta është bërë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Infokus.

Ende nuk dihet saktë se sa do të jetë numri i këtyre refugjatëve, por ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se në Kosovë mund të vijnë deri dy mijë afganë.

Megjithatë, në vendin tonë edhe në të kaluarën janë strehuar afganët.

-Advertisement-

Ata janë sistemuar në qendrat e azilit. Një qendër e tillë është në Magurë të Lipjanit dhe një tjetër në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës.

Por, sa është numri i tanishëm i azilkërkuesve në Kosovë?

Këtë përgjigje nuk e ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme.

Gazeta Infokus ka pritur tri ditë për të marrë një shpjegim nga kjo ministri edhe për koston e shpenzimeve për një azilkërkues, por ky institucion ka heshtur duke i mbajtur sekret të dhënat rreth të huajve që janë strehuar në Kosovë.

Ajo që dihet është se dy qendrat e azilit kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se 100 persona.

Në një intervistë për REL, ministri Sveçla ka thënë se për ardhjen e afganëve, institucionet e Kosovës po koordinohen rregullisht me aleatët amerikanë në Afganistan, NATO e në Kosovë.

Qëndrimi i personave që do të vijnë nga Afganistani, sipas tij, nuk do të jetë i gjatë pasi Kosova mund t’iu ofrojë atyre mbrojtje të përkohshme në kohëzgjatje prej një viti. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera