Fokus

Ministri Vitia ndjek shembullin e Faton Pecit dhe Liburn Aliut, anulon tenderin 230 mijë eurosh pas shkrimeve të Infokus-it

Autori: Gazeta inFokus 12:41 | 10 August 2021

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka ndjekur shembullin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke anuluar një tender për të cilin ka raportuar për herë të parë Gazeta Infokus. Bëhet fjalë për tenderin për furnizim me automjete të reja, i cili kapte shumën prej 230 mijë euro.

Anulimi i tenderit është bërë i ditur nëpërmjet platformës online të Prokurimit Publik, në të cilën është shpjeguar se Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit duke u bazuar në vendimin e Qeverisë të datës 19.10.2020.

Autoriteti kontraktues, me këtë rast MSH-ja, thuhet se është e detyruar të bëjë anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit konform Ligjit të Prokurimit Publik.

-Advertisement-

“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë e nevojshme për shkak të ngjarjeve objektive dhe që mund të demonstrohen dhe ose arsyeve që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe që nuk mund të parashikohen në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit por kjo duhet të bëhet së paku tre (3) ditë para hapjes së tenderëve”, thuhet ndër tjera në njoftim

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Arben Vitia, kishte vendosur të shpenzonte hiq më pak se 230 mijë euro, për të blerë tetë vetura luksoze, për Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në tenderin për njoftim të kontratës të cilën e ka publikuar Gazeta Infokus, vërehej tendenca e luksit të tepruar në specifikacionet e kërkuara në dosjen e tenderit.

LEXO EDHE: Arben Vitia porosit 230 mijë euro vetura luksoze

Thirrja për pjesëmarrje në këtë tender është ndarë në dy lote.

Në kërkesat e specifikacioneve të tenderit është kërkuar edhe fuqia e motorit, kubikazhi, e për çudi edhe lloji i derivateve benzin.

Në lotin e parë po ashtu kërkohet edhe që ngjyra e veturave të jetë metalike apo e bardhë.

Zakonisht përfolja për kurdisje të tenderëve mendohet se përcaktohet në specifikacionet teknike, për çka nuk mund të vërtetohet në fazën e parë të shpalljes së këtij tenderi.

Anulimi i këtij tenderi si rrjedhojë e efektit mediatik është i treti më radhë që bëhet nga ministrat e Qeverisë Kurti, pas raportimeve të Gazetës Infokus.

I pari që e pati anuluar tenderin 80 mijë eurosh, pas shkrimeve të Infokusit ka qenë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

LEXO: Pas raportimit të Gazetës Infokus, Faton Peci anulon tenderin 80 mijë euro për furnizim me pije

Pas tij, ministri Liburn Aliu ka pezulluar tenderin milionësh për tiketa ngjitëse, i cili pati ngjallë reagime të shumta në vend.

LEXO: Dorëzohet Liburn Aliu, shfuqizon vendimin për tiketën ngjitëse prej 5 euro

Dhe, tash njëjtë veproi edhe ministri Vitia./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera