Lajme

Ministri Tahiri nuk pajtohet se konkursi për drejtor të burgjeve ishte i jashtëligjshëm

Autori: Gazeta inFokus 09:01 | 13 October 2018

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, një ditë pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e ka cilësuar si të jashtëligjshëm zgjedhjen e drejtorit të Shërbimit Korrektues të Burgjeve, Nehat Thaçin, ka dalë kundër këtij institucioni. Megjithatë, Tahiri nuk është deklaruar nëse do të zbatojë ose jo rekomandimin e këtij institucioni që të anulojë konkursin.

Ministri Tahiri i ka thënë gazetës se procesi ka qenë i rregullt. E ka falënderuar Thaçin për punën e bërë për muajt sa është drejtor, shkruan sot Koha Ditore.

“Më duhet të theksoj se drejtori i SHKK-së, z. Nehat Thaçi, ka nisur punën tremujorin e parë të këtij viti. Gjatë kësaj kohe Shërbimi Korrektues i Kosovës ka përparuar shumë dhe për herë të parë është duke u transformuar në një mekanizëm të mirëfilltë të sigurisë dhe respektimit të plotë të standardeve dhe dinjitetit të personave në vuajtje të dënimit”, ka deklaruar Tahiri.

-Advertisement-

Ai e ka cilësuar procesin si jashtëzakonisht të rregullt për faktin se është udhëhequr nga faktorë ndërkombëtarë.

“Për më tepër, procesi është udhëhequr nga Ministria e Administratës Publike, me pjesëmarrje të vlerësuesve të jashtëm nga kompania e angazhuar nga Ambasada britanike, si dhe përfaqësues nga EULEX-i, ku të tria këto palë kanë pasur vlerësim unanim për mbarëvajtjen e procesit të selektimit”, ka thënë Tahiri.

Vendimin për anulimin e konkursit e ka cilësuar të çuditshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera