Lajme

Ministri serb i mbrojtjes zi e terr për Kosovën në Londër: Janë të paparashikueshëm, po i frikësojnë serbët

Autori: Gazeta inFokus 23:22 | 25 January 2022

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, ka takuar sot të dërguarin special të qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Ata diskutuan për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, duke iu referuar edhe dialogut Kosovë-Serbi.

Gjatë bisedimeve, Stefanoviq theksoi “angazhimin strategjik afatgjatë të Serbisë për të ruajtur statusin e një shteti neutral ushtarak”, thuhet në deklaratë.

Ministri tha gjithashtu se Serbia dëshiron të zhvillojë dhe përmirësojë marrëdhëniet me të gjithë partnerët, në përputhje me interesat e veta, në mënyrë që të forcojë sigurinë globale, rajonale dhe kombëtare.

-Advertisement-

Stefanoviç i tha gjithashtu Peach-it se Serbia përpiqet të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të mbetet një faktor i fortë i stabilitetit rajonal dhe e prezantoi atë me nismën e Ballkanit të Hapur, e cila tha se konfirmon pa mëdyshje angazhimin e Serbisë për ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe të zhvilluar.

Nga ana tjetër, Stefanoviq ka shprehur shqetësimin për “lëvizjet e paparashikueshme” të Kosovës.

Ai thotë se këto lëvizje “kanë për qëllim frikësimin e serbëve në Kosovë dhe Metohi, por ato paraqesin edhe një kërcënim për stabilitetin e gjithë rajonit”.

Stefanoviq ka thënë gjithashtu se “formimi i të ashtuquajturës Ushtria e Kosovës është në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare”.

Nga ana tjetër, Peach, siç thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, ka përshëndetur përkushtimin e Beogradit për dialog, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar i mbështet plotësisht qëndrimet e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Miroslav Lajçak për çështjen e dialogut në Bruksel.

I dërguari i qeverisë britanike gjithashtu mbështeti procesin e integrimit evropian, por gjithashtu shprehu shqetësimin “për destabilizimin e mundshëm të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, ky zyrtar thotë se Mbretëria e Bashkuar do të përpiqet të ruajë pozicionin e saj neutral dhe të interpretojë në mënyrë objektive ngjarjet në rajon.

Peach theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të Serbisë si një faktor në ruajtjen e stabilitetit rajonal, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Kujtojmë se Stefanoviq po viziton Mbretërinë e Bashkuar me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të këtij vendi, Ben Wallace, ishte bërë e ditur më herët nga Ministria serbe.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera