Lajme

Ministri i Shëndetësisë: S’dihet sa është borxhi në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 08 June 2022

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar masa në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të fondeve për trajtim jashtë vendit.

Ai, në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, ka theksuar se do të ketë edhe ndryshime serioze të bordit të Fondit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Ndërsa ka shtuar se nuk dihet se sa është borxhi i akumuluar i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

-Advertisement-

Për më tepër, ai tha se askush nuk e di sa është borxhi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Unë e kam përshtypjen se askush nuk po e di sa kemi borxh. Herë më thuhet se i kemi borxh 25 milionë, herë 28, herë 13. Ndërsa, numrat tanë të Ministrisë së Shëndetësisë janë mes 10 dhe 12. Unë i kam parë këto dokumente edhe ato janë në proces të referimit te Ministria e Financave që ne duhet t’i paguajmë”, tha Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka potencuar se janë mbi 72 për qind të barnave, ndërkaq mbi 90 për qind material shpenzues. Por, kjo sipas deputetit Shemsedin Dreshaj, nuk është realitet.

“Besomëni ministër, letra duron gjithçka, por ajo nuk është realitet. Këtë mund ta verifikoni kur të doni, as për barna e as për material shpenzues. Të mos flas për barna specifike”, ka deklaruar ai.

Gjatë raportimit, ministri Latifi ka theksuar se janë formuar grupet punuese për ndryshimet e 18 udhëzimeve administrative dhe gjashtë ligjeve, ndërkaq u zotua se janë duke punuar në mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera