Sport

Ministri Gashi vizitoi FFK-në, e uron presidentin Ademi dhe ia konfirmon mbështetjen e institucioneve

Autori: Gazeta inFokus 15:26 | 10 July 2018

Presidenti i FFK-së, z. Agim Ademi, ka pritur sot në zyrën e tij për vizitë, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi me bashkëpunëtor, shkruan GazetaFokus.

Në këtë takim pritës krahas presidentit Ademi ishin edhe anëtarët e KE të FFK-së, z. Mirsad Çollaku e z. Flamur Bunjaku dhe sekretari i përgjithshëm, z. Eroll Salihu. Me këtë rast ministri Gashi edhe një herë e uroi presidentin Ademi për zgjedhjen në këtë post, derisa e konfirmoi përkrahjen e ministrisë dhe bashkëpunimin e këtyre dy institucioneve edhe në të ardhmen. “Jam këtu për t’iu uruar presidentit Ademi zgjedhjen në këtë post.

Jam i lumtur që të gjithë ata delegatë që kanë marrë pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor kanë qenë unikë dhe të përgjegjshëm për të vazhduar punën e madhe që e kishte nisur presidenti i ndjerë Fadil Vokrri. Sot jam këtu për të konfirmuar edhe një herë mbështetjen e ministrisë së sportit dhe Qeverisë së Kosovës për FFK-në dhe për të gjithë futbollistët e Kosovës. Ky bashkëpunim ka qenë jashtëzakonisht i madh që nga dita e parë që e kam marrë detyrën dhe i tillë do të vazhdojë.

-Advertisement-

Presidentit Ademi i uroj suksese e punë të mbarë, ashtu sikurse edhe Komitetit Ekzekutiv, por edhe gjithë stafit tjetër të federatës, pasi përmes një pune të shkëlqyeshme kanë bërë që sot futbolli të jetë në kulmin e sukseseve jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj”, ka theksuar ministri Gashi, pas takimit me presidentin Ademi.

Ndërkaq, presidenti Ademi pasi e ka falënderuar ministrin për urimin dhe përkrahjen në këtë periudhë, në emrin e tij dhe të KE të FFK-së ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar punën së bashku për ngritjen e futbollit kosovar në nivele sa më të larta. Presidenti Ademi e ka falënderuar ministrin për respektin dhe bashkëpunimin që ka pasur me presidentin e ndjerë Fadil Vokrri, por edhe tani për përkrahjen që i ka dhënë FFK-së.

“Ne ju falënderojmë jashtëzakonisht shumë, sepse keni qenë ju si institucione që me mbështetjen e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës e keni ngritur rejtingun tonë si në UEFA e FIFA, ashtu edhe në mbarë opinionin”, ka thënë presidenti Ademi.

Ai i ka ofruar ministrit transparencë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, derisa e ka falënderuar për projektet të cilat i ka bërë, si dhe për nderin e respektin që i ka bërë emrit dhe figurës së Fadil Vokrrit.

“Nga zemra ju falënderoj për gjithçka që keni bërë e nëpërmjet jush edhe Qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera që e kanë vlerësuar punën e presidentit të ndjerë Vokrri dhe punën e nisur prej tij, të cilën do ta vazhdojmë me përkushtim. Ne ju garantojmë se bashkëpunimi jonë do të jetë shumë i sinqertë dhe i përpiktë. E falënderoj ministrin për përkrahjen dhe urimin dhe do të jemi të gatshëm që të punojmë së bashku për të mirën e futbollit”, ka shtuar presidenti Ademi. /GazetaFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera