Fokus

Mini-shengeni| Shengen mes vendeve të Ballkanit apo me Rusinë?

Autori: Halil Berisha 21:11 | 24 December 2019

Tre burrështetas të Ballkanit Perëndimor, më 10 tetor të këtij viti nxorën një ide të pa dëgjuar për “tokën e përgjakur”.

Në trevat ku më të zakonshme gjatë historisë kanë qenë mosmarrëveshjet e luftërat, u vendos të flitej për bashkim e jo ndarje e tensione, shkruan gazeta inFokus.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidentin serb Aleksandar Vuçiq e kryeministri maqedonas Zoran Zaev, propozuan një model në miniaturë të bashkëpunimit si ai i Bashkimit Evropian, i cili më vonë u quajt “Mini-shengeni Ballkanik”.

-Advertisement-

Një Jugosllavi e re. Kështu u quajt, pak a shumë, kjo nismë nga liderët e Kosovës të cilët refuzuan që Kosova të bëhej pjesë e saj.

Madje u kundërshtua fuqishëm nga Prishtina.

Për politikanët e qytetarët kosovar, nuk po shihet e rrugës një tentim e një marrëveshje e tillë, ku Serbia, shteti që ende jo veç që nuk e njeh Kosovën, por edhe mohon masakrat e bëra, këtu do të kishte rol aq të madh.

Politikanët kosovar, po pranojnë shengen e heqje të kufijve, por kjo jo me iniciativa të tilla, por me inkuadrimin në Bashkimin Evropian.

Me BE-në apo me Rusinë?

Mos integrimi i shpejtë në Bashkimin Evropian po shihet si shkaktari kryesor pse këto vende e nisën iniciativën e mini-shengenit.

Shqipëria e Maqedonia e Veriut u refuzuan nga BE që të fillojnë negociatat për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, shkruan gazeta inFokus.

Refuzimi ndodhi më 18 tetor, apo 8 ditë pas takimit të parë të Zaev, Rama, Vuçiq.

Kështu, nga këta të fundit u shpeshtuan takimet me qëllim jetësimin e mini-shengenit.

Por, në këtë kohë erdhi edhe një ftesë interesante dhe e padëgjuar më parë.

Në fund të tetorit, duke parë që BE refuzoi Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Rusia iu bëri një ftesë këtyre dy vendeve, shkruan gazeta inFokus.

Ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizov, u dërgoi mesazh Tiranës e Shkupit, që këto vende, pas refuzimit nga BE të shohin alternativën tjetër që i pret, Forumin Euraziatik, që njihet edhe si organizatë paralele e BE-së e udhëhequr nga Rusia.

“Jam i sigurt se vendet kandidate, të cilave Brukseli sërish u la pezull hapjen e negociatave, do të gjenin më shumë mirëkuptim në Bashkimin Ekonomik Euraziatik. Perspektivat dhe horizontet janë të qarta, dhe si gjithmonë duhet vetëm vullnet politik”, pati thënë Chizov.

Madje, disa media në Shqipëri, raportuan se kjo ftesë, Shqipërisë i ishte dërguar në fillim të muajit tetor e jo në fund.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj në një prononcim për gazetën inFokus ka thënë që beson se arsyeja kryesore e tentimeve për krijimin e minishengenit është refuzimi i BE-së, por jo edhe ndonjë ndikim i mundshëm rus, apo përafrimi me këtë vend.

“Unë mendoj që më shumë mundet me pas ndikim ky aspekti i refuzimit për hapjen e negociatave nga ana e BE-se me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Unë personalisht më tepër mendoj që është kundër-përgjigje që po synohet t’i japin BE-së se sa diçka tjetër, madje besoj që edhe ata vet e kanë të qartë se një gjë e tillë është e paarritshme dhe nuk ka jetësim një marrëveshje e tillë për shkak se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është Bashkimi Evropian e jo krijimi i strukturave të tilla ballkanike apo çfarëdo qofshin ato”, ka thënë Demhasaj.

Megjithatë, ai nuk e mohon tentimin për shtrirjen e ndikimit rus përmes Serbisë, shkruan gazeta inFokus.

“Padyshim kjo mundet me pas tendenca të shtrirjes së ndikimit të saj në Ballkan e këta të vetmin mundësi për ndikim e ka përmes Serbisë sepse e din që Serbia është një vend në mes të Perëndimit edhe në mes Lindjes e Serbia nuk është largu komplet prej ndikimit rus por njëkohësisht nuk ka pranu as me dal prej aspiratave të saj për integrime evropiane”, ka thënë Demhasaj për gazetën inFokus.

Ani se Demhasaj thotë që beson shumë në dështimin e mini-shengenit, sipas tij, më së shumti do t’i shkonte për shtati Serbisë, e cila këtë do ta përdorte për të hyrë në BE.

“Serbia është duke i zhvillu negociatat me BE-në madje është në kapitujt e fundit duke i negociu me BE-në e krijimi potencial i një minishengeni të tillë që unë e shoh të dështuar këtë iniciativë, prapë se prapë mendoj që nuk e largon Serbinë nga BE, pasi ka avancu në këtë aspekt. Madje madje unë mendoj që Serbisë ia forcon pozicionin e saj karshi anëtarësimit në BE ideja e tillë e krijimit të minishengenit, pasi e di që një vlerë e veçantë e BE-së e po ashtu kërkesë karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera