Fokus

Minatorëve nuk u njihet kontributi, mbesin pa pensione

Autori: Sylejman Sylejmani 20:02 | 10 January 2019

Ferit Neziri me 45 vjet përvojë pune në kombinatin metalurgjik Trepça, është një prej minatorëve më të vjetër të kësaj miniere.

Megjithatë, minatori 64 vjeçar, këtë vit kur edhe do të pensionohet do t’i marrë vetëm 75 euro pension, shkruan Gazeta inFokus.

Kjo pasi atij nuk i numërohet kontributi i dhënë viteve të 90’ta, gjë e cila ia pamundësojë të arrijë përvojën e kërkuar për të marrë pensionin e kontributdhënësit në vlerë prej afro 200 euro.
Neziri është shumë i shqetësuar me këtë fakt.

-Advertisement-

“Ajo është më mirë vdekje. Qe 45 vjet punë e gati 65 vjet i vjetër, kjo është më mirë vdekje”, thotë Neziri në një prononcim për Gazetën inFokus.

Në shenjë proteste ka vendosur të pres pensionimin në grevë bashkë me kolegët e tij minatorë.
Nohja e kontributit të viteve të 90’ta është vetëm një nga disa kërkesat e minatorëve, për të cilat ata janë futur prej një jave në grevë.

“Unë edhe 45 vjet e kisha mbajtë këto punë, po të mos i kishim këto që po na i bëjnë menaxhmenti, qeveria e komplet ata që na kanë hypur në qafë pa ju bërë asgjë, vetëm duke punu së pari për veten, pastaj për këtë shoqëri e për këtë Kosovë”, thotë 64 vjeçari.

Për këtë çështje, kryetari i sindikatës së minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku tregon për inFokus se janë marrë vesh me kryeministrin Ramush Haradinaj që të hartohet një ligj i veçantë për minatorët, por sipas tij deri tash nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Sipas njohurive të mija askush nuk ka filluar të punojë në këtë drejtim”, deklaron Sadiku.
Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e kanë një shpjegim për këtë situatë.
Mimoza Kçiku, këshilltare për marrëdhënie me publikun në këtë ministri në një përgjigje për inFokus ka treguar se kriteret janë të njëjta për të gjithë.

“Sipas Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, të gjithë parashtruesit e kërkesës për pension kontributpagues e për të qenë përfitues të pensionit duhet t’i kenë 15 vite përvojë pune deri më 31.12.1998, sa për sqarim, kriteret janë të njëjta për të gjithë ish të punësuarit pavarësisht vendit ose llojit të punës. Gjithashtu, te minatorët dhe te disa vende të tjera të punës, për të cilat Departamenti i Pensioneve ka dëshmi ose pala ofron dokumentacion shtesë, llogaritet edhe stazhi i beneficuar e që e kanë pasur 12+6 muaj. Stazhi i beneficuar nuk llogaritet te të gjithë të punësuarit në Trepçë”, ka thënë Kçiku.

Ajo ka shtuar se ministria ku punon ka marrë përsipër një reformë të sistemit pensional ku ka hartuar një koncept-dokument për reformë në fushën e pensioneve dhe beneficioneve, ku sipas saj do të trajtohet edhe kjo kategori e ish të punësuarve.

Grevistët ankohen se kanë marrë kërcënime nga menaxhmenti

Derisa po kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre, kryetari i sindikatës së minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku për Gazetën inFokus ka treguar se kanë pranuar edhe kërcënime nga menaxhmenti dhe bordi i Trepçës.
“Është realitet që në forma të ndryshme menaxhmenti është duke e kërcënuar edhe këshillin grevist, edhe sindikatën edhe minatorët. Menaxhmenti duhet të kthehet nga minatorët, duhet të kthehet nga punëtorët. Me kërcënime dhe shantazhe minatorët nuk mund të gjunjëzohen, këtë e kanë ditë edhe në vitet e famshme të grevave. Kemi marrë kërcënim dhe jemi të kërcënuar edhe me përjashtime prej punës”, ka thënë Sadiku.

Megjithatë, krejt këto akuza i ka hedhur poshtë ushtruesi i detyrës së menaxhim të Trepçës, Xhevdet Tahiri.
Tahiri thotë se ka pasur kërcënime mes minatorëve, pasi disa prej tyre kanë dashur që ta vazhdojnë punën.
“Jo nuk është kërcënim nëse dikujt i thua shko në punë, se përndryshe do t’i kemi punët shumë keq. Ka pas kërcënime mes minatorëve, pasi disa prej minatorëve kanë dashtë që të shkojnë në punë. Ka pasur kërcënime që ai që shkon në punë është tradhtar. Një pjesë e minatorëve as nuk kanë ardhur në punë, për shkak që t’u ikin problemeve”, ka theksuar për Gazetën inFokus Tahiri.

Deri tash sipas tij, Trepça ka humbur minimum rreth 300 mijë euro.

“Në vitin 2019 kemi 0 prodhim. Kemi humbje të madhe. Përafërsisht deri tash i kemi minimum rreth 300 mijë euro humbje”, thotë ai.
Tahiri i cili ka rreth një muaj që ka filluar punën si ushtrues detyre i menaxherit të Trepçës, po mburret me disa rezultate që i ka arritur në muajin e parë.

Ai thotë se ka arritur ta drejtoj ndërmarrjen drejt rimëkëmbjes.

Megjithatë, këto nuk ia pranon kryesindikalisti Sadiku.

“Nuk është e vërtetë që është bërë ndonjë përmirësim. Prodhimi këtë vit ka qenë gati i njëjtë, tash me e krahasu me vitin paraprak ka qenë 23 për qind më pak, ka pas rënie të prodhimit. Nuk mund të krenohet se ka pasur rezultate, sepse akoma as një muaj nuk i ka bërë. Nuk e di se ku po i merr rezultatet. Nuk e di se në çfarë rezultatesh po thirret ai”, thotë Sadiku.

Ai është i vendosur se greva do të vazhdoj, deri sa të plotësohen kërkesat e minatorëve. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera