Sport

Milan rrëmben Paquetën nga Flamengo, 35 mln euro plus bonuse

Autori: Gazeta inFokus 14:36 | 10 October 2018

Në një kohë kur kampionatet kombëtare janë ndalur, pasi vëmendja tashmë është kthyer nga ekipet kombëtare që impenjohen në Ligën e Kombeve të Europës, apo miqësore të tjera ndërkombëtare, kuqezinjtë e Milanit duket se kanë bërë goditjen e parë sa i përket merkatos së janarit.

Sipas të përditshmes braziliane, “Globoesporte”, “djalli kuqezi” ka zhvilluar një operacion “blic” të kryesuar nga Leonado, i cili brenda një nate ka sfumuar konkurrencën e Paris SG dhe ka arritur marrëveshjen me Lucas Paqueta, një fantazist i lindur në vitin 1997 që luan aktualisht me Flamengon, i konsideruar si ylli më i ri në futbollin e vendit të Sambës.

Një operacion ky që duket se ka sfiduar edhe Neymarin, i cili prej kohësh ishte impenjuar për ta bindur të vishte fanellën e klubit parizien. Arritja e marrëveshjes është bekuar edhe nga Gattuso, ndërkohë që shifrat e para të tratativës vërtiten në rreth 35 milionë euro, plus bonuset, ndërsa vizitat mjekësore janë programuar pikërisht këtë javë në Itali, përpara se të zbarkojë në Milano gjatë muajit janar.

-Advertisement-

Tratativa duhet të konsiderohet virtualisht e mbyllur, thotë “Globoesporte”, falë edhe zgjedhjes së vet lojtarit, që te Milani do të gjente më shumë hapësira sesa te PSG-ja. Te kuqezinjtë, ku shpresohet që ai të jetë “Kakàja i ri”, Paqueta mund të aktivizohet qoftë si mesfushor, në vend të Kessie apo Bonaventurës, ashtu dhe në treshen sulmuese, duke u alternuar me Suson apo Calhanoglunë.

Sa për paraqitjet e tij deri më tani, këtë vit, Paqueta ka zhvilluar 48 ndeshje zyrtare, ka shënuar 11 gola nga 69 gjuajtje në portë, ka dhënë 6 asiste, teksa ndaj tij kanë ndërhyrë në mënyrë të gabuar 64 herë. Të dhëna këto që i kanë garantuar atij grumbullimin me “Seleçao”-n, e sigurisht edhe fokusin e shumë skuadrave të mëdha, por mbi të gjitha të Milanit të Leonardos, një ish-lojtar i Flamengos.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Risi në foleja.com! Prej 49.99€ bleni dyshekët Nouve Blanc dhe përfitoni transportin falas me DHL
-Advertisement-

Të tjera