Lajme

MF: Fondi i Republikës së Kosovës i ka 112.66 milionë euro më shumë se minimumi i lejuar

Autori: Islam Morina 22:43 | 18 November 2020

Ministria e Financave ka sqaruar se Bilanci Bankar që përfaqëson Fondin e Republikës së Kosovës, aktualisht janë 325.67 milionë euro e që i bie 112.66 milionë euro më shumë se minimumi i lejuar prej 213 milionë euro, sipas legjislacionit në fuqi, raporton Gazeta inFokus.

MF ka bërë me dije se ky fond menaxhohet konform të gjitha rreguallave fiskale dhe legjislacionit në fuqi dhe auditimi asnjëherë nuk ka pasur vërejtje për të.

Më heret ishte kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, cili me anë të një statusi në Facebook, tha se derisa vendi po vuan nga kriza ekonomike, në Bankën Qëndrore janë mbledhur 1 miliardë euro, si rrjedhojë e bllokimit të aktiviteteve dhe kërkoi nga qeveria më shumë shpenzim të parasë në këto kohë pandemie.

Lidhur me këtë pati reagime edhe nga Besa Gaxherri e ministrja e financave Hykmete Bajrami, të cilat ia kujtuan kryetarit Ahmeti, suficitin e vazhdueshëm buxhetor të kryeqytetit që ai e menagjon. Madje ministrja Bajrami e quajti Ahmetin edhe si “Suficiti Kronik”.

Komunikata e plotë

“Bilanci bankar përfaqëson Fondin e Republikës se Kosovës dhe mbahet në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Ky bilanc paraqet fondet që janë grumbulluar ndër vite dhe të cilat duhet të sigurojnë likuiditetin e nevojshëm për të financuar aktivitetet e buxhetit të Republikës së Kosovës në vitet në vijim, duke përfshirë edhe pagesat e borxhit ndërkombëtar.

Lartësia e bilancit bankar (kufiri) përcaktohet me legjislacionin në fuqi për financat publike (rregull fiskale) dhe gjithashtu në Ligjin Vjetor të Buxhetit. Konfirmojmë që në vazhdimësi, pra çdo vit, është arritur të respektohet plotësisht rregulla fiskale e bilancit bankar, përkatësisht të sigurohet shuma e fondeve nëpërmes inkasimit të të hyrave dhe financimeve nga huazimet sipas obligimit të legjislacionit.

Sipas të dhënave zyrtare (preliminare) të Thesarit për datën 17.11.2020, që bazohen në gjendjen e llogarive në BQK, bilanci bruto bankar është 459.77 milionë euro, i cili përmban mjete (rreth 134 milionë) të cilat përcaktohen si detyrime dhe nuk janë fonde të Qeverisë, por menaxhohen nga ajo, këto fonde janë: të hyrat vetanake të komunave, të hyrat e dedikuara, fondet në mirëbesim, mjetet nga huamarrja, grantet dhe donacionet, etj., të cilat bëjnë që bilanci bankar i shfrytëzueshëm (neto) i Qeverisë të jetë 325.67 milionë euro. Sipas rregullës fiskale, pragu minimal i bilancit neto (limiti i poshtëm) për vitin 2020 që duhet të mbahet (të mos shpenzohet) nga Qeveria e Kosovës është 213 milionë. Pra, në momentin që po e bëjmë këtë sqarim, janë 112.66 milionë Euro (325.66 bilanci neto – 213 minimumi i lejuar sipas rregullës fiskale) që mund të përdoren për shpenzime buxhetore. Pra, kjo shumë përfaqëson mjetet të cilat janë në dispozicion për shpenzim (bilanci i shfrytëzueshëm) dhe shpenzohen në pajtim me ndarjet buxhetore në Ligjin e Buxhetit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Gjendja e bilancit bankar bruto dhe atij të shfrytëzueshëm raportohet në baza ditore nga Thesari i Republikës së Kosovës, një kopje e të cilit i shkon edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Po ashtu, këto të dhëna prezantohet në raportet tremujore financiare të cilat publikohen në faqen e Ministrisë së Financave, kurse në mënyrë të zgjeruar shpalosen në pasqyrat vjetore financiare të  Buxhetit të Republikës së Kosovës, të cilat i nënshtrohen auditimit vjetor dhe për të cilat asnjëherë nuk ka pasur vërejtje”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave./Gazeta inFokus/

Të tjera