Ekonomi

Meta mbështet Forumin e prodhuesve shqiptarë

Autori: Gazeta inFokus 15:09 | 12 March 2018

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Oda Ekonomike të Maqedonisë Veri- Perëndimore u takuan me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.

Sipas një njoftimi nga Klubi i Prodhuesve takimi me presidentin Meta ka  qëllim prezantimin e Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptar, synim i të cilit është promovimi i lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe promovimi i produkteve mbarëkombëtare shqiptare, shkruan Infokusi.

“Në  takim u diskutuan edhe tema në lidhje me legjislacionin dhe aplikimin e tij në marrëdhëniet tregtare në mes ndërmarrjeve prodhuese mbarëkombëtar. E po ashtu u adresua edhe nevoja për të mbështetur prodhimet me origjinë shqiptare të të gjitha trevave kombëtare. Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat e rajonalizimit të ekonomive të tri vendeve dhe sfidat e integrimit në një treg të unifikuar”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës,  Astrit Panxha, tha se  janë të interesuar që të rrisin prezencën e produkteve të Kosovës në tregun e Shqipërisë.

“Prezenca e produkteve dhe shërbimeve të Shqipërisë është shumë herë më e madhe në tregun e Kosovës, se sa produktet e Kosovës në atë të Shqipërisë. Prandaj, kërkojmë që të lehtësohet qarkullimi i mallrave dhe të bëhet lehtësimi i proceduarve për shkëmbimet tregtare”, ka thënë Panxha.

Ai kërkoi heqjen e të  gjitha barrierave tarifore dhe jotarifore, për të  gjithë sektorin e prodhuesvet.

Në njoftim bëhet e ditur se presidenti i Shqipërisë ka  shprehur gatishmërinë për bashkëpunim.

“Është koha e fundit që ne të gjithë së bashku të kemi një vizion të përbashkët për të ardhmen tonë ekonomike. Tani, duhen mesazhe të forta shprese dhe zhvillimi, ka kaluar koha e premtimeve, tani duhen vetëm veprime”. Ai shprehu idenë që duke marrë shembuj dhe praktika nga vendet tjera, të krijohet një zonë të lirë ekonomike, e cila do të përfshinte të gjithë hapësirën mbarëshqiptare.

“Unë do të mbështesë dhe do të reduktojë të gjitha barrierat tarifore dhe jo-tarifore që e pengojnë integrimin në një treg të unifikuar dhe të përbashkët. Ne, kemi mundësi dhe hapësira të pafund të bashkëpunimit të cilat kërkojnë një agjendë dhe një plan konkret të veprimit” ka thënë Meta. /INFOKUSI/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera