Lajme

Meta: Kushtet për koalicion me Partinë Socialiste

Autori: Gazeta inFokus 09:09 | 23 June 2017

Ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka qenë i prerë sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm me PS-në e Edi Ramës pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Në një intervistë për emisionin “Të pa ekspozuarit” të Ylli Rakipit në Neës 24, Meta tha se me Ramën nuk do të ketë bashkëpunim tjetër. Ndërkaq, ai nuk përjashtoi bashkëpunim me PS-në, nëse Rama do të ikë, siç ka deklaruar nëse humbet zgjedhjet. Meta foli edhe PD-në dhe Bashën. Ai tha se i lë afat 72 orë Bashës që t’i rikthehet kauzave për zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Nga ana tjetër Meta u shpreh i bindur se PS dhe PD nuk marrin bashkë 71 mandate.

Çfarë mendoni ju për këtë që thotë Kryeministri? Zgjodhëm një president thotë ai që përfaqëson edhe PD-në. Këtë e ka thënë dhe te “Zëri i Amerikës”. Këtë gjë e ka thënë vazhdimisht. Çfarë borxhi i ka populli shqiptar Ilir Metës? Çfarë borxhi i ka PS-ja?

Së pari, unë nuk e di që ai më ka propozuar me konsensusin e PD-së. Së dyti, çfarë borxhi i ka Shqipëria Kryeministrit i cili kërkon të eliminojë zgjedhjet e lira dhe demokratike në Shqipëri? E para, kërkoi ta bënte duke lënë opozitën në çadër dhe duke mos ofruar garanci për zgjedhjet.  E dyta, pasi mori kreun e opozitës për 3 orë në errësirë bëri marrëveshje si të pushtojë televizionet bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike, dhe njëkohësisht të bëjë gjithçka për të fiksuar qytetarët shqiptarë që të mos votojnë për asnjë alternativë tjetër. Ai ngriti një Task-Force, e cila vepron në errësirë, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjin e statusit të nëpunësit civil, ku nuk ka asnjë ministër të LSI-së, duke pasur në konsideratë që ministrja e Integrimit Europian ka përgjegjësitë e saj edhe për çështjen e zgjedhjeve në raport me integrimin europian, edhe për reformën e administratës publike, që është një reformë kyçe për integrimin europian. Ata shkelin ligjet gjithë ditën dhe bëjnë presion ndaj administratës. Dhe ky miting që ne sapo pamë është një miting administrate e mbledhur nga e gjithë Shqipëria, si kudo.

-Advertisement-

Meta, duket sikur ndarja juaj me Partinë Socialiste është definitive.

Ka dy gjëra të ndryshme raporti ynë me Rilindjen, apo me mavitë dhe raporti ynë me Partinë Socialiste… 

… raporti juaj me Partinë Socialiste, por në fakt nuk kemi Parti Socialiste. Duket sikur nuk…

Viktima e parë e Rilindjes dhe e mavisë është vetë Partia Socialiste. Ajo sot nuk ka as flamur, ajo sot nuk ka simbole, ajo sot nuk ka as histori, ajo sot nuk ka as solidaritet. Çfarë ka shpallur? Rilindja ka shpallur zhbërjen e Partisë Socialiste. Çfarë thotë Rilindja? Në 27 vjet nuk është bërë asnjë gjë. Pra, Partia Socialiste, për shembull, nga ‘97-a deri në 2005-n nuk ka qeverisur, nuk ka bërë asnjë autostradë, nuk ka rindërtuar gjykatat e shkatërruara, komisariatet e shkatërruara në `97-n, ekonominë e shkatërruar nga piramidat. Nuk ka bërë asgjë, për sa i takon integrimit europian të Shqipërisë. Asgjë! Çdo gjë fillon me Rilindjen. Pra, viktima e parë e Rilindjes është vetë Partia Socialiste. Tani kërkon të bëjë viktimë të gjithë Shqipërinë.

Nëse ju merrni vota, sepse Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk pranojnë më të bëjë një koalicion me ju…

Na e ka lehtësuar punën.

Pra, nëse ju merrni mjaftueshëm vota për t’u bashkuar me Partinë Demokratike, do ta bëni një gjë të tillë?

Së pari, LSI-ja do të dalë forcë e parë dhe nuk bëhet më fjalë që ajo të jetë një forcë plotësuese.

Së dyti, ne e kemi bërë të qartë, ose më saktë Edi Rama na e ka lehtësuar çështjen e ditës së hënë, duke përjashtuar çdo lloj koalicioni me LSI-në. Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e bashkëpunimit me PS-në, por pa Edi Ramën, si përfaqësues të Rilindjes, oligarkisë dhe të gjitha këtyre problemeve.

Po për PD-në, me Lulzim Bashën, pa Lulzim Bashën, keni ndonjë…? Supozojmë që ju duhet bashkëpunimi me PD-në, sepse ajo merr…

Për Lulzim Bashën kam këtë mesazh: tradhtinë mund ta duan të gjithë, por tradhtarin nuk e do asnjë. Kështu që, Lulzim Basha, në këto 72 orë, duhet t’u afrohet kauzave të çadrës; për zgjedhjet e lira, për luftën kundër krimit të organizuar dhe këputjeve të lidhjes së krimit me politikën, kundër oligarkisë dhe oligarkëve barkderra, siç thoshte te çadra dhe njëkohësisht…

Po në qoftë se do të vazhdojë “Big Mac”-un pas zgjedhjeve?

Nuk ka asnjë shans që Rama-Basha të bëjnë 71 mandate. Ka plot socialistë, demokratë të përgjegjshëm dhe forca të tjera politike, sepse nuk duhet të krijojmë idenë sikur aty do të jenë vetëm tri forca.  Unë jam i bindur që edhe LIBRA, PDIU-ja, Paskal Milo, si dhe shumë forca të tjera politike do të votohen. Bashkimi i këtyre forcave është frika e tretjes elektorale të dy Rilindjeve, në PS dhe PD, për fat të keq, nga vetë fakti që njerëzit kanë qenë në kërkim të alternativave të reja. Jo vetëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe të alternativave të tjera demokratike. Unë i ftoj të gjithë ata qytetarë shqiptarë që janë të lodhur dhe mërzitur nga politika që, sado të pakënaqur të jenë me politikën, përsëri katër vjetët që vijnë politika do të merret me ta. Kështu që, është e domosdoshme që ata të shprehin vullnetin e tyre, sepse vota e tyre do të numërohet drejt. Ata që nuk duan të votojnë për LSI-në, për arsyet se mund të jenë të zhgënjyer apo janë mosbesues, duhet të votojnë për një alternativë tjetër demokratike.

Ju keni thënë që nuk do të mandatoni një Kryeministër që cenon mandatin e zgjedhjeve. Si do ta bëni ju këtë, sepse është OSBE-ODHIR-i ai që… Në përgjithësi ODIHR-i thotë që zgjedhjet në Shqipëri ishin më të mira se ato të kaluarat.

Unë besoj që fjalën kryesore do ta thotë vetë populli shqiptar pas 72 orësh.

Keni biseduar me z. Edi Rama që nga koha që jeni zgjedhur President dhe deri sot? Asnjë bisedë me të…

Ndahen dy njerëz që kanë qenë 4 vjet bashkë.

Unë i kam çuar dy mesazhe lidhur me zgjedhjet, përdorimin politik të policisë dhe këtë lojë për të dhunuar zgjedhjet. Mesazhet e mia janë bërë publike. Unë i kam dalë borxhit Edi Ramës.

Ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje?

Nuk ka nevojë të kthejë përgjigje, sepse përgjigjen do ta japin shqiptarët, socialistë dhe demokratët, në datën 25 qershor.

Por përsëri thelbi i pyetjes sime është: ishte e çuditshme, sepse u përsërit dy herë, qeverisni 4 vjet dhe dilni po përsëri në opozitë kur vjen fushata.

Ne kemi qenë me Partinë Demokratike dhe me Partinë Socialiste si garanci për maxhorancën, për stabilitetin, funksionimin e institucioneve dhe integrimin europian, dhe jemi forca që kemi garantuar mosbllokimin e proceseve integruese në Shqipëri. Mund t’ju them një rast: po të mos ishte bërë me konsensus reforma në drejtësi, nuk do të ishte marrë rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, sepse kriter kyç është dialogu politik në vend. Po ju marr një rast: me Berishën ne kemi bërë të qartë se në rast se Berisha do të miratonte në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me NATO-n ligjin “Për shërbimin informativ”, ne do të prishnim koalicionin me Berishën, dhe ai u tërhoq nga kjo gjë. Pra, për çështje kyçe, për çështje madhore ne kemi mbajtur qëndrimin tonë.

Zoti Meta, nuk mjaftojnë këto, sepse kur ka ardhur puna për ndarjen e pasurisë publike, e të mirave publike…

Për shembull?

Ju thoni koncesionet, por për gjithçka që është marrë vendim perceptimi është, dhe unë kështu mendoj se është e vërteta, që ju keni ndarë tepsinë që thotë Rama…

Nuk kemi ndarë asnjë lloj tepsie.

Nuk i jeni kundërvënë asnjëherë, përveç dy-tre rasteve, por kur vjen puna te bregdeti i masakruar lart e poshtë, për ndërtime pa fund të kullave që nuk kanë asnjë lidhje, për hidrocentrale dhe koncesione, që kanë qenë edhe nga koha e Berishës dhe që i ka vazhduar Edi Rama, nuk keni ndaluar.

Për koncesionet ne kemi një qëndrim të qartë. Kemi një ligj në parlament. Kemi kërkuar, por nuk na ka mbështetur as opozita e Bashës, për fat të keq, për këtë gjë.

Problem është edhe ky. Ndonjëherë mbahen edhe qëndrime për një çështje të caktuar: “Ne dalim nga qeveria”.

Kjo është gjëja më e thjeshtë.

I vetmi kërcënim për të dalë nga qeveria ishte reforma në drejtësi.

Sepse ishte çështje tepër madhore, siç ishte prishja e marrëdhënieve me NATO-n në kohën e Berishës.

Thirrja për armatosjen

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i qëndron deklaratës së tij të disa ditëve më parë kur tha se do të armatoste popullin nëse preken mbështetësit e LSI-së dhe votat. “Më duket se ka qenë shumë e qartë, në rast se policia nuk i lidh zagarët e rilindjes, pra për këta personat në kërkim që janë atje, që i di gjithë Lezha që merren me kanabisin dhe tani merren edhe me vjedhjen e blerjen e votave. Me dhunimin e militantëve të LSI apo çdo force politike që nuk i pëlqen Rilindjes së tyre. Atëherë jemi të detyruar ti armatosim njerëzit, pse? Sepse nëse policia bëhet palë me bandat, atëherë këtu nuk ka më asnjë garanci për siguri publike të njerëzve. Dhe nuk mendoj se një shqiptar është më trim se një shqiptar tjetër. Kështu që mesazhi ka qenë i qartë për policinë, ka qenë i qartë për banditët, ka qenë i qartë edhe për qytetarët”, tha Meta në emisionin “Arena”, të Dritan Hilës në “Ora News”.

Vasili: LSI, jo taksa që iu pinë gjakun shqiptarëve për xhepat e oligarkisë

Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili në takimin përmbyllës në Durrës, u premtoi qytetarëve taksa më të ulëta. Në fjalën e tij para mbështetësve të LSI-së dhe qytetarëve, Vasili u shpreh se forca politike që ai drejton ka në planin e saj taksa më të ulëta, që siç u shpreh ai, nuk do ia pinë gjakun shqiptarëve për xhepat e oligarkisë. Kjo është një akuzë jo e drejtpërdrejtë për PS-së, që gjatë këtyre viteve është akuzuar shpesh për rritjen e lartë të taksave. “Kemi një plan për Shqipërinë. Ky plan çfarë thotë? Ky plan për Shqipërinë dhe për vegjëlinë dhe jo për oligarkinë thotë shumë qartë që taksat për mijëra biznese për xhiro me 20 milionë do jenë tre herë më të ulëta. Taksat, të cilat për biznesin shkojnë deri në 100 milionë, do jenë 2 herë më të ulëta. Për bizneset e tjera do jenë 40% më të ulëta. Mijëra e mijëra biznese marrin frymë, krijojnë mijëra vende pune. Çfarë thotë ky plan? Ky plan ka një përgjigje të jashtëzakonshme për këta mijëra të rinj që janë këtu. 100 mijë vende të reja pune për mijëra të rinj që presin më në fund të kenë drejtimin e ri i cili mendon dhe zgjidh problemin e tyre të madh që është papunësia. Mijëra e mijëra intelektualë, edhe të Durrësit të cilët kanë qenë krenaria e këtij vendi dhe të cilëve paga u tatoi në mënyrën më çnjerëzore. 23%, tani do tu tatohet 2 herë e gjysmë më pak vetëm 10 %. Nuk ua pinë më njeri gjakun për të mbushur xhepat e oligarkisë”, deklaroi Vasili. Kreu i LSI-së përmendi edhe planin për turizmin, ndërsa sulmoi kryebashkiakun e Durrësit për betonizim të qytetit. “Turizmi është një nga kryefjalat e zhvillimit të ardhshëm ekonomiko-shoqëror dhe bashkë me këtë turizëm i cili është një hap gjigant drejt transformimit. Të gjitha zonat bujqësore që janë përfaqësuar në shesh dhe që Nora Malaj i citoi të gjitha, ka një përgjigje të madhe sepse bujqësia është shina tjetër e madhe kur ekonomia do to ecë. Çfarë do të ndodh me bujqësinë shqiptare, fermerin? Do ta ketë TVSH-në mbi produktet e tij bujqësore 0. Tatimi mbi fitimin për produkte që realizon me gjak dhe me djersë, do të jetë 0. Gjithashtu, ky fermer punon më në fund për veten e tij dhe zhvillon veten e tij duke krijuar 50 mijë vende të reja pune në bujqësi. Ky është transformimi ekonomiko-shoqëror. Plani i vërtetë për Shqipërinë mendon për të gjithë qytetarët edhe për tavolinën e qytetarit të varfër. Ndaj edhe TVSH-në e produkteve bazë e jetike, ne e përgjysmojë. Një premtim për të cilin kryerilindasi mashtrues gënjeu për 4 vjet. Pra, ky tatim nga 20% bëhet 10 %”, u shpreh kreu i LSI-së. Në vijim, Vasili u shpreh se LSI-së mban premtimet.

Përgjimi i Tahirit

Qëndrimi im që në momentin që më është thënë ka qenë ky që ja kam thënë dhe Sajës, kryeministrit dhe partnerëve të ndryshëm kur më kanë pyetur për këtë çështje: Të bëhet hetim ndërkombëtar për këtë çështje, nëse një zv/ministër ka përgjua ministrin, të marrin dhe ekspertë nga FBI, Gjermania apo ndonjë vend tjetër meqenëse ky zv.ministri ka dhe shtetësi amerikane. Nëse është e vërtetë të shkojë në burg, jo të shkarkohet. Ky është qëndrimi ndaj shtetit.Tani nuk jan vlen të flasim për këtë histori.

Akuzat

Ai (Tahiri) duhet të bëjë ndonjë kontroll përveçse shëndetësor edhe për substanca që të japin një fuqi artificiale. Pastaj le të merret me LSI se LSI nuk ka kohë të merret me të. Nuk ka kohë as partia e tij. Që unë të merrem me Sajën është humbje kohe, e dinë të gjithë pse është shkaktar dhe nuk është shkarkuar nga LSI. Është e tepërt.

Të punësuarit

Socialistëve punën ua morën deputetët që çoi Edi Rama me rekorde kriminale në parlament. Në vend të kishte intelektualë si dikur si E’them Rukën, Maqo Lakrorin, Ermelinda Meksin, Arta Daden, edhe atë që e kishin e hoqën ata sollën deputetë me probleme të mëdha, rekorde kriminale dhe kanë shtuar biznesmenët.

 Shkarkimi

Votimi është kryer. Natyrisht, cilido që nuk do të marrë pjesë në një akt të tillë është i lirë, i respektuar njësoj si ata që nuk ishin në seancën e votimit. Ne jemi vend demokratik dhe natyrisht më 24 korrik do të ndodhë ai ndryshim kushtetues që tashmë është i fiksuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera