Sport

Messi apo Mbappe? Marcelo tregon cili i ka hapur më shumë punë

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 22 February 2019

Mesfushori i Lyon-it, Marcelo, ka zbuluar se e ka parë veten më në vështirësi kur ka luajtur ndaj Kylian Mbappe këtë sezon se kundër Lionel Messit. Mbrojtësi brazilian u përball me argjentinasin dhe Barcelonën në ndeshjen e së martës, në Ligën e Kampionëve, ku gjithçka përfundoi në barazimin 0-0. Sfida e kthimit do të luhet në “Camp Nou” më 13 mars.

Marcelo këmbëngul se ndaj pesë herë fituesit të “Topit të Artë” kishte një lojë relativisht të qetë, ndërsa iu desh të përballej me një test më të ashpër kundër sulmuesit të PSG, Kylian Mbappe. Lyon ka luajtur tashmë dy herë me kampionët e Ligue 1 këtë sezon, duke u bërë skuadra e vetme që i ka mundur të besuarit e Thomas Tuchel në kampionatin francez.

Duke diskutuar për duelin me Mbappe dhe Messi, Marcelo tha për “Goal.com”: “Lojtarët, me të cilët jam përballur kohët e fundit, janë në nivelin më të lartë.

-Advertisement-

Duke luajtur kundër Mbappe, këtë sezon, ai më hapi shumë punë. Messi nuk luajti shumë mirë të martën, por Mbappe, për shpejtësinë, pozicionimin, konfrontimet e drejtpërdrejta me të, ishte më i vështiri.

Mendoj se ka mundësi të mëdha që së shpejti të bëhet më i miri në botë. Mbappe ka disa pika, që duhet t’i përmirësojë për t’u krahasuar me Messin dhe Cristiano Ronaldon, por ai po zhvillohet shumë shpejt”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera