Lajme

Mësohet se ku ishte Kadri Veseli në vitin 2012 kur merreshin fajde në emër të tij

Autori: Gazeta inFokus 20:59 | 24 May 2019

Në serinë  e videove të publikuara nga KTV’ja për aferën e fajdeve vazhdimisht dëgjohet emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli, që në vitin 2012 ai veç sa ishte bërë zyrtarisht pjesë e PDK’së.

Rrahim Hashimi, i cili po akuzohet për fajde dhe mashtrim, në këto video shihet se i ka marrë shuma të mëdha parash biznesmenit Faton Dalladaku, duke i premtuar se Kadri Veseli do t’ia mundësojë të ndërtojë një spital privat të zemrës në oborrin e QKUK’së.

Hashimi, sipas videove, del që i ka marrë paratë  Dalladakut bashkë me një ndërmjetësues tjetër, Kadri Rexhepin nga Ferizaj, e ata vazhdimisht thonë se paratë po ia jepnin Kadri Veselit.

-Advertisement-

“Kadri Veseli i ka marrë 200 mijë euro”, dëgjohej duke thënë në njërën nga videot Rexhepi.

Kryeparlamentari Veseli ka mohuar se njeh protagonistët e këtyre incizimeve, duke thënë se po përdoret emri i tij për ta njollosur atë. Të enjten ai ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ‘mashtruesve’.

Krejt këto video janë incizuar në vitin 2012, në zyrën e biznesmenit Dalladaku, ku Hashimi dhe Rexhepi i përcillnin fjalët që thonin se u ka thënë Veseli.

Por, kush ishte Kadri Veseli shtatë vjet më parë?

Kreu i tanishëm i PDK’së deri para pak vjetësh konsiderohej figurë mitike. Për të flitej shummë ndërsa rrallëherë ishte parë.

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës u pa vetëm njëherë në paraqitje publike. Në vitin 2008 doli e tregoi se SHIK’u kreu misionin e tij dhe se do të shuhej pasi Kosova shpalli pavarësinë.

Që nga viti 2008, për Veselin flitej edhe në Kuvend, studio televizive, zakonisht nga njerëz të LDK’së, e më vonë edhe nga PDK’ja. SHIK’u i Veselit i vihej gishti për vrasje e krime të pasluftës.

Ai u shfaq sërish në nëntor të 2012’ës për t’u anëtarësuar zyrtarisht në PDK’në që thuhej se e kishte në dorë që nga themelimi i saj.

Tash pas shtatë vjetëve del që në 2012’ën fuqia e Kadri Veselit është shfrytëzuar nga njerëz të ndryshëm për të shantazhuar e për të përiftuar nga biznesmenë.

Biznesmeni Dalladaku, nga videot e publikuara, kuptohet se ka besuar aq shumë në fuqinë e Veselit të nëntokës, sa për të dhënë qindra miliona euro që ai t’ia mundësonte ndërtimin e një spitali privat në oborrin e QKUK’së, përkundër se kjo ishte e jashtëligjshme.

Në 2012’ën, Veseli mori librezën e partisë nga dega e PDK’së në Mitrovicë, ndërsa pak vjet iu deshën që ta merrte zyrtarisht kreun e partisë.

Në 2015’ën, nga një marrëveshje e PDK’së dhe LDK’së, Kadri Veseli mori pozitën e kryeparlamentarit.

Në 2016’ën Thaci u zhvendos në Presidencë, për t’ia trashëguar pozitën e kryetarit të partisë Kadri Veselit.

Veseli është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Konventën e 7-të të jashtëzakonshme zgjedhore të kësaj partie.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera