Mësimdhënësit po kërkojnë pushim njëvjeçar për të ikur jashtë vendit
Autori: Gazeta inFokus 12:26 | 19 August 2023
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës bëri të ditur se mësimdhënësit janë gati të fillojnë punën e tyre nga 1 shtatori, mirëpo, fajin e kanë hedhur te Ministria e Arsimit për mosshpërndarje me kohë të teksteve shkollore në komuna të vendit.
Kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse tekstet do silleshin me kohë, çdogjë do të ishte gati për të filluar vitin shkollor, porse sipas tij, Ministria e Arsimit është vonuar në këtë drejtim.
Edhe ky vit shkollor po fillon me mungesë të kushteve të mira në shkolla, kështu thotë kryetari i kësaj sindikate, Jasharaj. Sipas tij, arsimi në shekullin 21, nuk mund të jetë i suksesshëm nëse punohet me mjete dhe kushtet e shekullit të kaluar.
Duke renditur shqetësimet e njëpasnjëshme, Jasharaj thotë se ka informacione se disa nga mësimdhënësit po kërkojnë pushime njëvjeçare për të shkuar jashtë vendit për një punë më të mirë, për të cilën shprehet i brengosur se të njëjtit nuk do të kthehen më.
Mes tjerash, Jasharaj shton se qeveria duhet të jetë e lumtur që këtë vit, mësimi po fillon me kohë dhe nuk do të ketë grevë.
“Ajo që është e mirë dhe se është dashur të gëzohet edhe ministria, është se SBASHK-u kësaj radhe nuk po shkon me grevë. Por, duke i parë gjërat që u thanë, del se ky vit shkollor do të filloj me vështirësi, ngase edhe përkundër premtimit të ministres Nagavci, tekstet shkollore nuk kanë arritur ende në shkolla, dhe dita e parë do të jetë problematike, sepse e vetmja armë e diturisë në shkollat tona fatkeqësisht në mungesë të mjeteve bashkëkohore janë tekstet shkollore, shpuza dhe shkumësat… Nuk është krenari të thuhet se viti shkollor është përgatitur, nëse njerëzit mundojnë se kemi siguruar shkumësa mjaft dhe shpuza, dhe gjysmën e teksteve të reja e gjysmën të vjetra, që fatkeqësisht ende nuk kanë ardhë në shkolla… Shteti nuk guxon të kursej në arsim, e së paku jo të bëhet aq i kujdesshëm, që të mos ua përgatis edhe fëmijëve gjashtë deri në nëntë librat e reja”, deklaroi Jasharaj.
Jasharaj po ashtu ka adresuar edhe disa ankesa karshi Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, kjo ministri po nxjerr vendime e udhëzime pa u konsultuar me sindikatën dhe prindërit.
“Aq më keq ministrja Nagavci po nxjerr vendime e udhëzime pa u konsultuar me prindërit dhe SBASHK-un…Nuk janë konsultuar as lidhur me tekstet shkollore, dhe fatkeqësisht nxënësit nga klasa një deri në pesë, do të jenë pak më të lumtur, sepse tekstet do të shkojnë më të reja, ndërsa do të jenë shumë të pikëlluar nxënësit e tjerë, sepse do të kenë vështirësi të mëdha të mësojnë me librat që janë përdorur viteve të kaluara… Po ashtu, me udhëzimin administrativ ministrja Nagavci për të treguar se është shumë e saktë, e thotë se do të fillojë më 1 shtator që i bie e premte, dhe zakonisht herëve të tjera kur ka qenë situatë e tillë, për të qenë java e plotë e aktiviteteve, mësimi ka filluar të hënave, në mënyrë që të zhvillohen aktivitete tërë javën”, vijon Jasharaj.
Ai shton se qeveria duhet të investojë në mjete digjitale.
“Arsimi në shekullin 21 nuk mund të jetë i suksesshëm nëse punohet me mjete dhe kushtet e shekullit të kaluar, sepse fëmijët tanë janë në situatë ndryshe, kanë telefonat e mençur, në shtëpi ka internet dhe kur shkojnë në shkollë është tmerr. Shteti duhet të krijojë një ambient në shkollë të shekullit 21, ku nxënësit shkojnë me gëzim, sepse shohin gjera të reja dhe mësimin e zhvillojnë përmes projektorit”, shton Jasharaj.
Brengë tjetër e sindikatës është edhe ikja e mësimdhënësve nga vendi, për shkak të pagave jo të mira. Jasharaj thotë se ka kërkesa për pushim njëvjeçar të mësimdhënësve të Kosovës për të ikur jashtë vendit.
“Ne do të bëjmë një shkresë posa të kthehen deputetët që edhe njëherë të iniciohet çështja e vlerës së koeficientit, ngase është tejet e ultë, ka goditur arsimin kogja shumë… Ka rrezik që edhe ne po e hulumtojmë se ka kërkesa për pushim njëvjeçar të mësimdhënësve të Kosovës, që sipas meje dhe përvojës që kam, ata mbase do të shkojnë jashtë, do të provojnë të rehatohen, nëse gjejnë atje mundësi, nuk do t’i kthehen kurrë procesit mësimor, sepse janë të zhgënjyer me paga, me ligjin e pagave, me presionin e ofendimet publike që iu bëhen se nuk dinë”, thotë mes tjerash Jasharaj.
Mes tjerash, ai thotë se nëse shteti nuk ndan shuma për mësimdhënësit me sëmundje të rënda, ata do të detyrohen të dalin në shkolla.
“Nëse shteti nuk ndan mjete, koleget, pa fajin e tyre do detyrohen të dalin në shkollë, sepse mund ta humbasin vendin e punës, por nëse MASHT-i siguron mjete, takohet me DKA-të dhe Asociacionin e Komunave dhe iu tregon se duhet t’i lironi nga procesi, sepse janë mjetet, atëherë shkollat dhe DKA-të, me kënaqësinë më të madhe do t’i lironin këta nga procesi mësimor dhe do të zëvendësoheshin me kuadro të reja. Dhe puna e kuadrove të reja edhe do të merrte përvojë por edhe do të jepte kontribut shumë më të madh se kolegu i sëmurë, sepse nëse është i sëmurë, dhe obligohet të shkojë në shkollë, shkon për të ruajtur vendin e punës dhe pagën për bukën e fëmijëve, sepse sëmundja ia pamundëson të jap kontributin e tij, siç e ka dhënë dikur”, thotë Jasharaj.
E në fund, Jasharaj thotë se nëse qeveria do i ishte gëzuar lajmit që po fillon mësimi me kohë dhe pa greva, do të thërriste për takime këtë sindikatë.
“Nëse qeveria nuk do të ishte gëzuar (për grevë) ne do të kishim takime. Është logjike para fillimit të vitit shkollor të takohemi me ministren, të shohim a jemi përgatitur e të urojmë njëri tjetrin’, përfundon Jasharaj.
Kujtojmë se Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një konferencë për media, bëri të ditur se viti i ri shkollor 2023/2024, do të fillojë më 1 shtator, dhe se nxënësit do të kenë edhe pushim vjetor.
E sa i përket teksteve shkollore, ajo tha se gjatë kësaj jave do të japin detaje lidhur me furnizimin e shkollave.
Të tjera
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Gjatë natës sonte në disa zona të Kosovës nganjëherë priten intervale të ...
-
Një i lënduar nga aksidenti tek Liqeni i Badocit, e përfshirë një veturë
Një person është lënduar nga aksidenti që ka ndodhur në rrugën që kalona ...
-
Letra rrëqethëse e mërgimtarit i cili vendosi të kthehet në Kosovë
“Kosovë tanimë është koha të të kthejë gjithqka çfarë më ke dhënë, ti je toka...
-
Aksident tek Liqeni i Badovcit, dyshohet se ka rënë një veturë
Një aksident i rëndë dyshohet se ka ndodhur në rrugën përreth Liqenit të ...
-
Ankesa për tarifat, Termokos: Nuk ka ngritje të çmimit për ngrohje
Shqetësimet dhe pretendimet se çmimi i faturave për ngrohje nga Termokosi për...
-
“Patentë shoferi për 1000 Euro”, skandali i shitjes së tyre nga zyrtarët shtetërorë
Një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, me inicialet A.T., po dyshohet se...
-
Bedri Hamza uron Festën e Krishtlindjes: Shumë lumturi në këto Krishtlindje dhe gjithmonë
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, sonte ka marrë pjesë në pri...
-
Osmani uron Krishtlindjet: Të kujdesemi për ata që presin ndihmën tonë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Krishtlindjet. ...
-
Gjysmë orë është pritja për të hyrë në Kosovë te Dheu i Bardhë
Automjeteve që hyjnë në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar te Dheu i Bardh...
-
Krasniqi uron Krishtlindjet: Uroj që shtëpitë tuaja të mbushen me gëzim, zemrat me paqe dhe ëndrrat me shpresë e besim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, uruar krishtlindje...
-
Rrëqeth Vlora Dumoshi me lot në sy tregon se çfarë tha babai i saj para se të ndërronte jetë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Vlora Dumoshi, ka rrëfyer si asnjë...
-
Falja e të burgosurve nga Presidentja, SHKK dërgon 94 kërkesa
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se deri më 13 dhjetor janë d...