Lajme

Mësimdhënësit nuk i marrin shtesat prej 100 euro ‘të premtuara’ nga qeveria Hoti

Autori: H. Smajli 18:11 | 31 March 2021

Mësimdhënësit nuk i kanë marrë shtesat prej 100 euro të cilat qeveria e kaluar tha se do të jepeshin edhe në muajin mars.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën inFokus, Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Mirëpo Ymeri ka thënë po ashtu se muaji në të cilin do të merret 100 euro-shi i dytë nuk ishte precizuar në vendimin e qeverisë.

“100 eurot nuk kanë dalë. Vendimi i qeverisë ka qenë për dy muaj duke filluar nga muaji shkurt mirëpo për pagesën e dytë nuk është precizuar se a do të bëhet në muajin mars apo prill”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit të SBASHK-ut, ka mundësi që pagesa të dalë në muajin prill megjithatë ai ka paralajmëruar se do të pyesin në Ministrinë e Financave për detaje.

“Kështu që edhe nuk e kemi pasë të qartësuar këtë pjesë mirëpo gjatë këtyre ditëve do të bisedojmë me ministrinë e financave për ti pyetur se pse nuk i kanë qit 100 eurot”, ka thënë Ymeri për inFokus.

Pagesën e parë me 100 euro shtesë mësimdhënësit e morën në muajin shkurt përderisa pritej që e njëjta të bëhej edhe në muajin mars .

Kujtojmë se pas paralajmërimeve për protesta, Qeveria Hoti i kishte ndarë këto paga shtesë për arsimtarët./Gazeta inFokus/

 

 

Të tjera