Lajme

MESAZHET ARTISTIKE QË TENTOJNË TË THYEJNË KUFIJTË

Autori: Gazeta inFokus 12:29 | 12 February 2018

Grupi teatral “Art Mesazh” tash pesë vjet mundohet që përmes artit të jep mesazhe për probleme që e preokupojnë shoqërinë kosovare e mbi të gjitha dhe t’i bëjnë të qeshin.

Ndonëse e filluan në nivel lokal si një grup i vogël prej dhjetë aktorësh aktiv së fundmi ky numër ka arritur në 20.

Teuta Hyseni tregon se përmes “Art Mesazh” ia doli të realizojë ëndrrën për të aktruar që kishte pasur qysh fëmijë, Ndonëse është 18- vjeçare dhe studion juridik të përgjithshëm ajo prapëseprapë  pjesën më të madhe të kohës ia kushton aktrimit.

-Advertisement-

“Qysh fëmijë kam marrë pjesë në shfaqjet e shkollës dhe e famshme kam menduar të bëhem vetëm përmes aktrimit. Jam shumë krenare sepse shpesh kemi fituar vendet e para në shfaqje dhe hapat e parë i kam marrë nga një profesionist. Aktrimi më ka bashkuar me kolegë të të gjitha grupmoshave dhe vendeve”, thotë Hyseni.

Vitin e kaluar grupi “Art Mesazh” ishte pjesëmarrës në shumë festivale të organizuara në qytete të ndryshme të Kosovës si:“Lulëkuqet e Prillit” në Kamenicë, në festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Mitrovicë të organizuar nga OJQ “Sander Prosi”, ku u shpërblyen me çmimin “Premtues”.

Suksesit iu gëzuan edhe në “Humoriadën Mbarëkombëtare” që mbahet në Drenas ku u shpërblyen me vendin e parë si grup, vendin e tretë e mori aktori i këtij grupi Artur Kahrimani.

Prezantimet e këtij grupi në gara, skeçe humoristike, festivale të dramës i siguruan një njohje më të gjerë.

“Sukses ishte bashkëpunimi më reperin kosovar nga Klani Shqiptar Albert Zeka- Beti, me të cilin xhiruam spotin e serialit komik “Makalanat” këngë kjo që bëri jehonë të madhe në Shqipëri dhe u mirëprit nga publiku mbarëshqiptar”, tha Bujar Maloku.

Për të dhënë mesazh se “arti duhet të thyejë kufijtë”,  2018-ën e kanë filluar me bashkëpunimin me grupin teatral “Thuprat” nga Lugina e Preshevës.

Bashkë me aktorët preshevarë shfaqën një program të pasur artistik ku performuan drejtuesi i grupit teatral “Thuprat” Behar Limani, Bylent Bilalli, reperi Albert Zeka dhe këngëtari nga Presheva Nefail Ibrahimi (Nefa).

Regjisori Maloku tregon se ka pranuar ftesa nga shumë qytete të Kosovës për festivale dhe gara. Ai bën të ditur se grupi mendon të vazhdojë me xhirimet e episodit të dytë të komedisë “Makalanat”.

E, Teuta Hyseni jo vetëm që është një hap më afër ëndrrës së saj, por të arriturat e saj i kanë dhënë kurajo për të provuar veten në humor dhe në këndim, ku sipas regjisorit Maloku po ia del mjaft mirë.

Ndërsa, aktori preshevar, Behar Limani me të marrë pjesë më festivalin tashmë tradicional “Humoriada Mbarëkombëtare” në Drenas tha se u nda i kënaqur me sukseset që pati në Kosovë pasi që fituan çmimin e tretë dhe kështu i filluan shkëmbimet e para profesionale me grupin teatral “Art Mesazh” nga Peja.

Sado që vullneti dhe sukseset nuk iu mungojnë, Maloku thekson se deri më tani “Art Mesazh” është financuar nga bizneset e vogla që veprojnë në Kosovë dhe nga bashkëatdhetarët.

“Bashkëatdhetarët dhe bizneset e vogla po përkrahin vullnetarisht projektet tona, mirëpo ne kemi nevojë për mbështetje institucionale duke filluar nga komuna e Pejës”, shton ai.

Sa i përket grupit teatral “Thuprat” nga Presheva që poashtu vepron që nga viti 2013, ka një storie interesante të vullnetit të paepur kur bëhet fjalë për aktrimin. Sot ky grup ka vetëm dy aktorë aktivë Bylent Bilallin dhe drejtuesin e grupit Behar Limanin, i cili ndonëse vetëm 21 vjeç vazhdon të punojë në zgjerimin e tij.

“Duke udhëhequr këtë grup e kam kuptuar edhe më mirë përse e kam aktrimin në gjak dhe falë këtij grupi edhe kam vendosur që të studioj aktrimin shumë shpejt, kjo është një sfidë e vogël, dashuria jonë ndaj artit është më e madhe sesa numrat”, thotë Limani.

Ky grup organizoi një natë speciale në Preshevë ku ishin nikoqir të grupit “Art Mesazh” nga Peja për të ritheksuar se duhet të tejkalohen kufijtë për një emancipim kulturor mbarëkombëtar.

Natën e ndërrimit të motmoteve ishin mysafirë në emisionin e njohur “Portokallia” ku u shfaqën me një skeç humoristik të titulluar “Çifti i Lumtur”.

“Së shpejti do bëhemi pjesë e Portokallisë dhe në të ardhmen artdashësit e ndjekësit tonë i presin shumë befasi . Bashkëpunimi me aktorët kosovarë do të vazhdojë gjithsesi. Preshevën e shoh si brumin e artistëve dhe mendoj se ia vlen të interesohemi rreth artit të Kosovës dhe të bëjmë gjëra të mira së bashku”, përfundoi Limani.

Fjolla Hajrizaj

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera